Komunitet

Fundjavë në Toronto dhe disa mendime për diasporën - Nga Rushan Xhaferi

  • Published in Komunitet

Fundjavën e fundit e kalova në Toronto. Ishin dy netë dhe tre ditë të mrekullueshme, plot me kënaqësi mes miqve të vjetër, njohje personash të rinj, shkëmbime idesh të reja si dhe debate politike pasionuese.

U nisa drejt Torontos nga dëshira për të takuar shokun tim Denisin i cili morri rrugën e imigrimit për në Kanada. Disi pak i humbur nga madhësia e Kanadasë por dhe i bindur në vendimin e tij, Denisi la Shqipërine dhe zgjodhi Kanadanë. I diplomuar si inxhinier, Denisi është një nga të shumtit shqiptarë që, jo pa dhimbje, vendosi të linte një situatë shumë komode për një vënd që të ofron një paqe mendore, ndoshta edhe shpirtërore nga zallamahija e vëndlindjes.

Të premten ne darkë, bashkë me Enrin, vellain tim te zemrës, mbërritëm në një birrari në rrugën Bloor për të takuar shokun tonë të shkollës. Pak më vonë, Denisi u shfaq me disa shqiptarë të tjerë të panjohur nga ne. Nga tre shokë u bëmë shumë shqiptarë. Pas birrës së dytë, gjuha e përbashkët bëri magjinë e vet. Humor, deshirë për të qeshur, mall për të pasur mirëkuptimin që na mungon në mërgim. Rrofsh o Denis që na mblodhe! Reni, vlonjat, aq sa të trashë kishte zërin aq të madhe pati dhe zemrën. Me një gjest vlonjati e mbështolli faturën gati me roveshat. « I keni nga unë sepse është kënaqesi », tha Reni në mënyrë shumë familjare. Rrofsh o Reni. Ta kemi borxh kur të na vish në Montreal.  

Ishte ora dy e natës kur lamë lokalin, më shumë të dehur nga humori, gazi dhe hareja e asaj tavoline të mrekullueshme ku secili mbarte në vetvete një histori sa të veçantë aq edhe personale imigrimi me rrjedha nga më të ndryshmet, të dhimbshme dhe m të tatëpjeta. Të gjithë në ato momente ja kuptonim hallin dhe mallin njëri-tjetrit.

Të shtunën në drekë, djali i hallës së Enrit na mblodhi per piacere (për qejf). Pak politikë dhe shumë të qeshura mbuluan drekën e këndshme të një tavoline prej 15 shqiptarësh. Mbas këtij festimi, erdhi momenti për një kafe në rrugën Islington. Aty pata kënaqësinë të takoja Taulantin dhe të njihesha me familjen e tij të mrekullueshme. Pasi u ritakuam pas kaq vitesh, kuptuam që largësia nuk na veçon nga mendimet e njëjta. Dëshira për të ofruar më shumë për komunitetin ishte e madhe. Realizimi është gjithmonë i mundur sepse e ardhmja nuk është e parashkruar. Vështirësia është veçse motivuese për të realizuar diçka që mund të jetë shumë madhështore si projekt.

Dhe darka e së shtunës nuk mund te mos ishte politike si dhe artistike. Altini, piktor me origjinë shkodrane më tregoi pak për pasionin e tij (por dhe një histori gati të pabesueshme mbi Gjeto Vocin). Pasioni për pikturën nuk e lë dot të mos shprehi në telajo gjithë dhuntinë e tij. Pamundësia për tu bërë kryeminister, Atin, siç e thërrasin të afërmit, e pruri në Kanada. Me më shumë humor dhe burrëri se politikani i kazaneve Ati kënaqi tryezën deri në orët e vona. Me humor shkodran dhe debat te fortë politik u mbyll dhe një ditë tjetër vizite në metropolin kanadez.  

Tablo nga Altin Muçiqi

 …

Të dielën mbas mëngjesit, me Enrin dhe Denisin, mezi gjetëm një kafene në Woodbridge. Një kafene të vogël italiane. Sa hymë, se nga doli një vlonjat që si rrufe i tha kamarjeres: “Këta çunat i kanë të paguara nga unë ato që do marrin”. Për pyetjen “a ka shumë vlonjatë në Toronto?” përgjigja është: “Në çdo lokal e ke nga një”.  

...

Më ne fund ishim vetëm ne të tre. Kishin kaluar plot 20 vjet që nga kafja e fundit mes shokësh. Dinamika ishte e njëjtë megjithëse koha na kishte plakur dhe jeta na dhuroi familje dhe femijë. Kësaj here muhabeti ishte më serioz dhe imigranti i ri na bombardoi me pyetje. Me Enrin e dinim shumë mirë se në ç’pozicion ndodhej shoku ynë. Nje lloj frike bashkë me shpresë e kishte mbushur Denisin në këtë vendim madhor që ai kishte ndërmarrë. Apartamenti, mobiljet, puna, makina, sigurimet, etj. Për momentin, ne donim vetëm të shijonim këtë moment shumë te çmuar mes nesh.

Mbas kafes, erdhi dreka në një restorant të çuditshëm me prodhime deti. Pronarët kishin harruar të blinin pjata dhe mi sollën karkalecat e detit në qese. Hajde dhe merre vesh! Be open mind dhe shijo! Koha kaloi dhe erdhi momenti për tu ndarë duke premtuar se do të shiheshim së shpejti.     

E lashë Toronton me ndjesinë se kisha kaluar fundjavën më të mirë mes miqsh, por dhe me disa pyetje mbi komunitetet shqiptare në diasporë dhe ndihmën që u ofrohet imigrantëve të sapo ardhur.  

Jam shumë i sigurt që Shqiptarët ndihmojnë njëri-tjetrin kudo që janë në botë, por kjo ndihmë është shumë sporadike dhe nuk ka fuqinë e një komuniteti të konsoliduar. Nuk kam shumë informacione për të përditshmen e diasporës shqiptare në SHBA dhe rasti i Artanit i cili pasi ishte integruar më së miri në SHBA dhe u detyrua të largohej pas 10 vitesh aty, më erdhi në mendje.  Ne Website-in e gazetes “Dielli” mund të lexojme se bëhet lobizëm per interesat e Shqiptarëve. Çfarë lobizmi? Çfarë bëri për Artanin dhe familjen e tij komuniteti shqiptar në SHBA? Ai u detyrua të linte SHBA dhe të fillonte çdo gjë nga e para në Kanada. Në komunitetin hebre kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë. Ja dhe qëllimi ynë i vërtetë: një diasporë e fuqishme.

Nga ana tjetër, mjafton të shikosh faqen e internetit të gazetës “Dielli” për të vënë re sesa pa kripë është bërë kjo media historike. Mbas më shumë se 100 vitesh “Dielli” është thjesht një faqe interneti nga më banalet që ekzistojnë. Faik Konicës do t’i vinte turp po të shihte sesi është katandisur “Dielli” i tij. 

Ky është komunitet i përbërë nga disa persona që kërkojnë famën dhe ndihmën financiare të njerëzve pa pasur përgjegjësinë e kontribuimit konkret tek anëtarët e komunitetit të tyre. Përse këta “Star” të diasporës që i shohim në fotografi  nëpër mbrëmje dhe festa duke u mburrur si atdhetarë të mëdhenjë kanë harruar qëllimin kryesor që duhet të kryej diaspora: mbrojtja dhe forcimi ekonomik i çdo shqiptari? Pseudoatdhetar apo shqiptarë të rremë? Nuk e di. Ata kanë çdo të drejtë të shikojnë interesat e tyre, por nuk mund të shpalosen si mbrojtësit e fundit të interesave të shqiptarëve.

...

Në Kanada situata nuk është më mirë.  Dikush mburrej se shoqata e tij kishte 28 vite apo më shumë që ekzistonte, por përveç vrimave në ujë, une nuk kam parë as edhe një gjë konkrete për forcimin e një komuniteti shqiptar në Kanada. Forca e komunitetit vihet re në veprime konkrete për imigrantët e rinj dhe të vjetër. Në ndihmën që u afrohet kur ata kanë më shumë nevojë, duke bërë kujdes në mbrojtjen e dinjitetit, dhe sidomos në mbështetjen që ata kanë muajt e parë te imigrimit.

Zgjidhjet mund të jenë të shumta ndaj po i lë për një herë tjetër. Forca e komunitetit nuk qëndron tek meritat fallco që marrin disa kryetarë shoqatash në shkëlqimin pa ndriçim të fotografive nëpër portale, por në mbështetjen pa bujë dhe pa reklama të imigrantëve të rinj që vijnë çdo vit. Kritika ime e parë qëndron në faktin se asnjë shoqatë, në Toronto, në Montreal, apo kudo që ndodhet në Kanada nuk ka më të thjeshtin informacion për numrin dhe emrat e shqiptarëve që imigrojnë në Kanada. Këtu qëndron edhe dështimi i çdo shoqate shqiptare në diasporë.

Së fundi, lind pyetja përse tregohen me gisht çdo qeveri në Shqiperi dhe politikanët që përfitojnë nga pozita e tyre? Me këtë të vërtetë të vjetër, ne kemi jetuar dhe ajo ka kontribuar që na solli këtu. Askush nuk shpiku ujin e ngrohtë. Jashtë shtetit çfarë është ndryshe? Do ta mbyllja duke thënë që përpara se të shohë qimen në syrin e qeverive shqiptare, diaspora duhet të shikojë trarin që i ka zënë asaj krejt shikimin.