Komunitet

Salih Nela - Mjeku shqiptar në Saskatoon të cilit nga atdheu i mungon gjithçka, por jo politikanët…      

  • Published in Komunitet

Intervistoi: Taulant Dedja

Sfida më e madhe e shqiptarëve në Kanada është ruajtja e gjuhës amtare, kulturës dhe traditave kombëtare për brezat e rinj që kanë lindur e po rriten këtu!

Doktor Salih Nela, i diplomuar në Mjekësi në Universitetin e Prishtinës, i çertifikuar nga “American Academy of Pediatrics” si Instruktor për Reanimimin Neonatologjik, i çertifikuar nga “American Heart Association” për Emergjencat Mjekësore për fëmijë dhe të rritur, po ashtu nga “Royal College of Surgeons” si Koordinator dhe Instruktor i “Advanced Trauma Life Support program” etj, u largua prej Kosovës për shkak të vështirësive ekonomike. Fillimisht siguroi një kontratë pune në Riad të Arabisë Saudite ku për 12 vjet punoi si instruktor klinik për kurset e emergjencës në “King Fahad Medical City” si dhe në “Security Forces Hospital”. Doktor Nela nuk kurseu as vullnetarizmin gjatë kësaj periudhe. Ai shërbeu për “American Heart Association” si ligjërues për kurset e emergjencës. Paralelisht Doktori provoi të aplikonte për emigrim në Kanada, gjë që rezultoi me sukses në vitin 2013. Pasi përfundoi kontratën me spitalin në Riad, Dr. Nela u shpërngul në Kanada përfundimisht në vitin 2016. Meqënëse është emigrant i ri në Kanada, Doktor Salihu i ka të freskëta përvojat e tij në përfshirjen brenda jetës kanadeze të cilat pranoi t’i ndajë me FlasShqip.  

Dr. Nela, pas shumë viteve i stabilizuar në Riad, ku punonit në fushën e mjekësisë, vendosët të ndërmerrnit një emigrim të dytë. Duke ditur vështirësitë e zhvendosjes në vend tjetër, si u përballët ju me fillimin?

Fillimisht u vendosa në qytetin London të Ontarios. Aty kisha mikun tim të ngushtë Dr. Islam Miftari, i cili bashkë me gjithë familjen e tij na ndihmoi pa masë në këtë aventurë të re. Dr. Islami më ofroi shtëpinë e tij deri sa gjetëm një banesë për familjen time si dhe më njohu me gjithë komunitetin shqiptar në London si dhe  më informoi për të gjitha institucionet kanadeze që merren me integrimin e qytetarëve të huaj të sapoardhur në Kanada. 

Por ju aktualisht jetoni në Saskatoon të provincës Saskatchewan. Pse u larguat nga Ontario?  

Meqënëse munda të siguroja vetëm punë me kohë të pjesshme në LHEARN Center, Lakeridge Health Oshawa, m’u desh të lëvizja për në Saskatoon ku tani punoj me kohë të plotë në Universitetin e Saskatchewan si Specialist i Simulimit Mjekësor. Qendra ku unë punoj i shërben Fakultetit të Mjekësisë, Infermierisë, Fizioterapisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë si dhe trajnimit të mjekëve në specializim që ndjekin Residency Program. Roli im është në edukimin për simulim mjekësor, përgatitjen e skenarëve të simulimit dhe mbajtjen e ushtrimeve praktike të simulimit për studentët e mjekësisë si dhe mjekët në specializim në drejtimin e emergjencës, mjekësisë interne, pediatrisë, gjinekologjisë, anesteziologjisë dhe mjekësisë familjare.

Hasët vështirësi në gjetjen e punës?

Mungesa e përvojës kanadeze të punës që kërkohet në secilin institucion dhe pengesat në liçensimin tim në profesionin e mjekut meqë konsiderohem si “out of practice” (meqë puna ime në Arabi ishte në sferën e edukimit dhe jo e lidhur drejtpërdrejt me kujdesin për pacientë), ishte një nga vështirësitë kryesore në integrimin tim këtu.

Përveç kësaj vështirësie, a patët ndonjë aftësi që ju ndihmoi në integrim?

Në integrimin tonë të menjëhershmë na ndihmoi shumë njohja e gjuhës angleze, si unë ashtu edhe nga bashkëshortja dhe djali i madh. Ndërsa djali i vogël meqë ishte vetëm 3 vjeç nuk pati vështirësi sepse shumë shpejt e përvetësoi gjuhën angleze nga komunikimi me fëmijët e tjerë.

Edhe pse jeni relativisht banor i ri në Saskatoon, a jeni angazhuar në jetën komunitare?

Shoqata “Iliria” në Regina më ka zgjedhur Ambasador të Bashkësisë Shqiptare në Saskatoon. Ky është një nder dhe po ashtu një obligim i madh që kam ndaj bashkatdhetarëve tanë këtu. Do jap maksimumin tim që të formojmë degën e shoqatës edhe në Saskatoon dhe t’i çojmë përpara kërkesat e shqiptarëve drejt institucioneve vendore dhe të bëjmë të mundur fillimin e mësimit shqip për fëmijët tanë si dhe organizimin e aktiviteteve kulturore që t’i grumbullojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë në mënyrë të organizuar. Po ashtu jam angazhuar si vullnetar në shkollën ku mësojnë fëmijët e mi si dhe në aktivitetet sportive në komunitet si ndihmës trajner i futbollit për moshat e reja. Tani jam në proces të çertifikimit si trajner i futbollit për kategorinë U9. Jam gjithashtu në proces të transferimit të çertifikatave të mia për reanimim nga American Heart Association në Heart and Stroke Foundation dhe do fillojmë kurset për Basic Life Support për komunitetin.

Çfarë keni identifikuar si sfidë apo si pikë të dobët që duhet forcuar për diasporën shqiptare në Kanada?

Sfida më e madhe e shqiptarëve në Kanada është ruajtja e gjuhës amtare, kulturës dhe traditave kombëtare për brezat e rinj që kanë lindur e po rriten këtu. Mungesa e edukimit elementar në gjuhën shqipe në shumë qytete ku janë koncentruar bashkatdhetarët tanë është një problem me të cilin duhet të merremi aktivisht dhe ta bëjmë të mundur që kjo të realizohet kudo. Po ashtu organizimi jo i mjaftueshëm dhe hezitimi që të bashkohen rreth shoqatave shqiptare këtu në mënyrë që të arrijmë një integrim më të suksesshëm në shoqërinë kanadeze dhe të përfitojmë më shumë nga të gjitha mundësitë që i ofrojnë qeveritë lokale apo provinciale

Duke parë komunitetet e kombeve të tjera, me diasporë më të hershme se e jona, ju si e perceptoni të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada?

Një bashkërendim i forcave nga të gjithë bashkatdhetarët tanë do të çojë përpara pozitën e bashkësisë shqiptare dhe integrimin më të suksesshëm në shoqërinë kandeze. Hapja e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, prezenca shoqatave shqiptare në të gjitha qytetet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, organizimi i veprimtarive kulturore dhe njohja e publikut kanadez me vlerat dhe kulturën shqiptare do ishin prioritet për të gjithë ne. 

Cili duhet të jetë roli i diasporës në atdhe?

Diaspora ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik si dhe në ofrimin e përvojës së marrë në vendet ku jetojmë. Do përmendja sjelljen e investimeve të përbashkëta në partneritet me investitorët e huaj që do të ofronte një mundësi të mirë punësimi si dhe do të sillte një kulturë të re në menaxhim, kualitetin e punës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë; nxitjen dhe promovimin e tregëtisë dhe produkteve shqiptare në botë; krijimin e lidhjeve me universitetet shqiptare dhe profesorëve të Diasporës që të shërbejnë si ura komunikimi dhe për projekte të përbashkëta.   

Si i ruani marrëdhëniet me Kosovën e Shqipërinë? 

Përmes vizitave në familjen time, ndjekjen e të gjitha zhvillimeve në vend përmes platformës televizive si dhe leximit të gazetave dhe portaleve online. Mbaj një komunikim të vazhdueshëm me kolegët e mi në Kosovë dhe sa herë që jam për vizitë atje mundohem të mbaj ndonjë ligjëratë rreth reanimimit kardiopulmonar. 

Me çfarë gjërash e kujtoni vendin e origjinës në shtëpinë tuaj në Kanada? 

Flamuri kombëtar dhe ai i Kosovës janë gjithmonë të pranishëm në familjen time. Po ashtu kostumet kombëtare që veshin fëmijët sa herë që kemi festa dhe në shkollë kur mbahen manifestime për kulturën. Një flamur kombëtar është gjithmonë i varur në makinën time, kjo edhe për arsyen që nëse një shqiptar do e shohë të më afrohet dhe të krijojmë një miqësi të re. Kur lëviza nga Londoni në Oshawa si dhe në Saskatoon nuk po takoja shqiptarë kund dhe një mënyrë e kërkimit ishte edhe ky flamur i vendosur në makinë. Dhe rezultoi e suksesshme, sepse një shqiptar kishte parë flamurin dhe erdhi dhe më përshëndeti e kështu filluam shoqërinë që ende e vazhdojmë.

Çfarë ju mungon nga atdheu?

Gjithçka, përveç politikanëve…

 

Prill 2019

©FlasShqip.ca