Komunitet

Ervin Meço: Ndihma ndaj atdheut, detyrim moral i të gjithëve

  • Published in Komunitet

Ashtu siç është bërë e ditur përmes mediave dhe rrjeteve sociale, të dielën e ardhshme, më 28 Prill, artdashësit nga radhët e komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto dhe GTA, por jo vetëm, do kenë rastin të ndjekin koncertin e madh të bamirësisë “Tinguj për vendin tim”. Organizatorët e koncertit janë bashkëshortët Lindita Meço (producente) dhe Ervin Meço (regjisor), të cilët prej disa vitesh kanë themeluar Agjencinë e produksionit “Dea Art”. Tani që na ndajnë pak ditë nga ky event, Flasshqip vendosi të marrë pak më shumë informacion rreth tyre e të zhvillojë një bisedë të drejtpërdrejtë me Ervinin, regjisorin e dikurshëm të TV Arbëria dhe asistent-regjisorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Po cilët janë Lindita dhe Ervin Meço? Si ka qenë rrugëtimi i tyre drejt formimit shkollor dhe profesional deri ditën kur vendosën të linin vendlindjen?  Nga biseda mësuam që trazirat e vitit 1997 si dhe më pas situata jo e mirë politike në Shqipëri i detyruan çiftin e artistëve të mendonin seriozisht për të imigruar drejt Kanadasë. Natyrisht, ishte një vendim i vështirë dhe si për të gjithë, fillimi nuk ka qenë i lehtë. Ndërsa vitet kaluan, ata falë vullnetit dhe punës u integruan gradualisht me jetën dhe kulturën kanadeze duke ruajtur në të njejtën kohë më krenari dhe kulturën e vendit të origjinës, Shqipërisë tonë të dashur.

Si shumë prej artistëve që do interpretojnë në koncertin e të dielës së ardhshme, Lindita dhe Ervini kanë studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe në Akademinë e Arteve Tiranë. Lindita fillimisht në degën pikturë në Lice, për t’u diplomuar më pas në Akademi si Menaxhere Arti pranë Fakultetit të Arteve Figurative. Pjesëmarrëse në disa ekspozita, ajo ka qenë nga 1999 deri më 2004 pronare dhe menaxhere e Art Studio “Linda” në Tiranë. Në Toronto Lindita është liçensuar si Interior Designer dhe prej disa vitesh ushtron biznesin e saj në këtë fushë. Gjithashtu jep mësime private arti dhe merret me fotografi artistike.

Edhe pse pasioni i tij i parë ishte piano, pas 12 viteve në Liceun “Jordan Misja”, Ervini zgjedh regjisurën, degë në të cilën diplomohet më 1997, në Akademinë e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, duke patur fatin të jetë një ndër studentet e të mëdhenjve Pirro Mani, Drita Pelingut e Agim Qirjaqi. Diplomimi për regji skenike dhe formimi muzikor, i krijuan mundësi Ervinit të kontribuojë në TKOB gjatë viteve 1998-1999 si asistent-regjisor në dy realizime të rëndësishme, operan “Don Xhovani” të Mozartit, me regji të Paul Flieder, si dhe operan “Norma” të Bellinit, me regji të Saverio Capozzi. Ndërsa nga viti 1999 dëri më 2004, viti i imigrimit në Kanada, ai punon si regjisor pranë TV kombëtar Arbëria. Aktualisht, më Toronto Ervini është liçensuar edhe si Condominium Manager dhe Real Estate Agent, fusha ku një numër i konsiderueshëm shqiptarësh janë integruar suksesshëm profesionalisht. Nuk mund të mos përmenden nga jeta aktive e tij në Toronto edhe vitet e vullnetarizmit si kameraman e regjisor në Rogers TV apo angazhimi në aktivitete të rëndësishme të komunitetit tonë në Toronto si p.sh. regjia e koncertit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, regjia i pjesës teatrale “Gonxhja”, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës etj.

Flasshqip: Ervin, na përmendni ju lutem disa nga aktivitet e Agjencisë “Dea Art”…

Ervin Meço: Me pasionin dhe kënaqësinë që na jep organizimi i aktiviteteve të mirëfillta artistike, nëpërmjet “Dea Art” kemi vënë në skenë gjatë viteve të fundit dy Stand-Up Comedy Shows me aktorin e njohur të humorit Elvis Pupa dhe këngëtaren Entela Kaba.

Flasshqip: Si lindi ideja për koncertin dhe cila është e veçanta e këtij eventi në raport me organizimet e mëparshme? Si e pritën artistët ftesën?

Ervin Meço: Ideja e koncertit të bamirësisë “Tinguj për vendin tim” lindi nga dëshira, sidomos e Lindës, për të bërë diçka përtej kontributit tonë personal në ndihmë të njerëzve në nevojë në trojet shqiptare. Ne mendojmë që ky është një detyrim moral i gjithësecilit nga ne dhe mundohemi që këtë t’ua ushqejmë edhe fëmijëve tanë. Ndjemë një kënaqësi shumë të madhe kur vajza jonë, Adea, arriti të mblidhte mbi 200 libra për fëmijë në shkollën e saj dhe ato më pas ia dhuroi Spitalit të Femijëve në Tiranë. Duke qenë të dy në fushën e artit, menduam të ftojmë të gjithë miqtë dhe të njohurit tanë artistë. I falenderojmë të gjithë pa masë për gatishmërinë dhe mirëkuptimin që treguan ndaj nismës sonë. Është për t’u theksuar që janë të gjithë artistë profesionistë që i kanë dhënë shumë artit dhe kulturës shqiptare në Shqipëri dhe  Kanada, duke filluar nga Nderi i Kombit, ikona e valles shqiptare Liliana Cingi, kompozitori dhe violinisti i shquar Jani Papadhimitri me vajzat e tij Sofia dhe Livia, pjestarë të trios “Fammus”, prezantuesit e njohur Ana Golja dhe Xhemi Agaj, skenaristja Inis Jorgo, këngëtaret shumë të dashura për publikun Tringa Rexhepi, Xhoi Bejko dhe Rudina Delia, instrumentistët e afirmuar Rudin Lengo, Entela Galanxhi, Marjeta Çako, Qazim Kallushi, Shkëlqim Tafaj dhe Granit Kamberi, aktori i talentuar Gent Bejko, grupi i valleve “Shqiponjat e Vogla” nën drejtimin e koreografit të njohur Ramazan Këllezi, kori i të rinjve  të Marlee’s Got Talent, nën drejtimin e apasionuar të Ina Xoxa e shumë të tjerë.

Flasshqip: A ka diçka tjetër të veçantë qe do donit ta vinit në dukje nga lista e pjesëmarrësve?

Ervin Meço: Një surprizë e bukur do jetë edhe interpretimi i artistëve kanadezë Scott Christian, Kevin Arizo dhe Daniel Bado, të cilët shprehën dëshirën për të marrë pjesë dhe për të kontribuar me artin e tyre në këtë aktivitet.

Flasshqip: Cilat janë pritshmëritë tuaja si organizatorë në prag të koncertit?

Ervin Meço: Urojmë që puna dhe angazhimi i të gjithë artistëve të shpërblehet me një pjesëmarrje sa më të madhe. Jemi të bindur që do jetë një koncert shumë cilësor dhe publiku do shijojë një mbrëmje të këndshme në shoqërinë e muzikës dhe fjalës së bukur shqipe. Të gjithë artistët do marrin pjesë  vullnetarisht në këtë aktivitet dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave, kuptohet duke hequr shpenzimet e sallës, do të dhurohen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku ka shqiptarë në nevojë, nëpërmjet Fondacionit të Bamirësisë “Firdeus” dhe emisionit televiziv “Shqiptarët për Shqiptarët” që në këto dy vitet e fundit, sëbashku edhe me disa emisione të tjera në Shqipëri, kanë bërë një punë shumë të madhe në këtë drejtim.

Flasshqip: Duket që mbështetja nga artistët ka qenë totale. Po nga komuniteti jashtë rretheve artistike si kanë qenë reagimet deri më tani?

Ervin Meço: Mbështetje po vazhdojmë të marrim nga mediat, biznese shqiptare por edhe nga anëtarë të angazhuar të komunitetit duam të falenderojmë në mënyrë të veçantë sponsorin tonë mediatik “Pasqyra Shqiptare” me producent Ilir Lena, për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë profesionale që në hapat e para të këtij projekti, si dhe programin radiofonik “Radio e Diel”, me producente Remka Huruglica. Gjithashtu falenderojmë bizneset shqiptare “Old Mill Café”, “European Patisserie” dhe “Mashu Mashu Mediteranian Grill”, për ndihmën e madhe që po japin në shitjen e biletave të koncertit. Nje falenderim dhe mirënjohje e sinqertë shkon për të gjithë miqtë tanë, në veçanti për zonjat Minire Omeri, Semi Luzi Balili, Vilma Mebelli, Z. Roland Lelaj e shumë të tjerë, për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të pakursyer. Së fundmi, ju falenderojmë ju, portalin FlasShqip, për dashamirësinë dhe gatishmërinë që po ofroni për promovimin e koncertit “Tinguj për vendin tim”.

Flasshqip: Edhe ne ju falenderojmë për bisedën. Duke vlerësuar veçanërisht përkushtimin tuaj, ju urojmë përzemërsisht suksese në koncertin bamirës të 28 Prillit. Shqipëria, atdheu ynë, gjuha dhe kultura jonë, janë ato që na bashkojnë të gjithëve.

©Flasshqip.ca