Komunitet

Lorandi Jazexhi: Muzika shqiptare, pasuri që duhet t’ua trashëgojmë brezave në diasporë

  • Published in Komunitet

Shqiptarët në diasporë organizojnë herë pas here aktivitete ku këndohet e kërcehet shqiptarçe. Ka plot artistë në Kanada, muzikantë të rrymave të ndryshme. Mjafton t’i biesh numrit të telefonit dhe të koordinosh datat dhe eventi merr zë. Një këngëtar i cili në të shumtën e kohës është në aktivitete, shumicën e të cilave i organizon vetë me rrethin e tij shoqëror në Toronto është Lorandi Jazexhi, i njohur si Land Korçari.

Landi ti ke jetuar në Elbasan, pse të thërrasin Land korçari?

Unë vij nga një familje me origjinë nga fshati Ponçarë, Devolli i Korçës. Në vitin 1972 ne u zhvendosëm në Elbasan. Atje unë ndoqa shkollën e mesme mekanike e më pas fillova punë si mekanik në Uzinën Energjetike në Repartin e turbinave. Kisha pasion për muzikën dhe ndoqa në atë kohë edhe një kurs për kitarë. Pas kursit më angazhuan si këngëtar në Kinoklubin Metalurgu. Duke qenë se isha tepër aktiv në aktivitete dhe merrja pjesë si instrumentist nëpër orkestra dashamirësit dhe shokët filluan të më thërrisnin Land korçari e më ka ngelur ky emër deri më sot.

Flet me shumë dashuri për Elbasanin, duket sikur ka lënë shumë gjurmë tek ty...

Kam kaluar në atë qytet treçerekun e jetës sime, rininë time. Kam shumë shokë e miq që nuk i harroj sa të kem jetë. I ndihem borxhli Elbasanit për faktin se aty u formova si njeri dhe artist. Jam duke punuar mbi një këngë dedikuar qytetit të dashur për mua, Elbasanit.

Në ç’moshë e dëgjove thirrjen e brendshme për t’u marrë me muzikë?

Pasioni për muzikën mu shfaq në moshën 5-6 vjeçare. Kujtoj se kisha sajuar një kitarë druri me tela telefoni dhe bëja sikur i bija dhe këndoja me shokët e lagjes. Në atë kohë nuk e kisha idenë e akordeve, madje as televizor nuk kisha ku të shihja e dëgjoja muzikë apo instrumente muzikore. Duke u rritur, kuptova se sa të vështira do ta kisha aty në fshatin tonë kufitar të bëja muzikë. Pasioni rrezikonte të shuhej. Por fatmirësisht zhvendosja drejt Elbasanit më ndryshoi jetën.

Ç’lloj muzike preferon të këndosh apo i përshtatesh kërkesave të audiencës?

Unë lëvroj muzikën e gjithë zonave të Shqipërisë, por më tepër preferoj dhe ndihem vetvetja me muzikën qytetare dhe serenatat. Duke qenë se kam jetuar 35 vjet në Elbasan, duke u bërë gjysëm elbasanlli, këngët e Isuf Myzyrit më pëlqejnë shumë. Por adhuroj edhe këngët kosovare, sidomos ato kënduar prej Sabri Fejzullahut.

Pse e le Elbasanin tënd të dashur dhe erdhe në Kanada?

Pas ngjarjeve të vitit 1997, duke ndjerë se tranzicioni në Shqipëri do të zgjaste më tej, si shumë shqiptarë të tjerë vendosa bashkë me familjen të emigrojmë në Kanada.

Si t’u duk fillimi?

Si fillim emigrimi këtu ka qenë shumë i vështirë. Kishte shumë sfida gjatë rrugës së integrimit në një vend me kultura shumë të ndryshme me tonën, por me kalimin e kohës me shumë punë dhe përkushtim, dhe me meritën e gjithë familjes duke punuar, pa parë dhe llogaritur çfarë pune është, arritëm në pikën ku jemi. Tashmë ndihemi të sigurtë dhe mirënjohës ndaj Kanadasë për mundësinë që na ka dhënë për të ecur përpara.

Cila është formula juaj për suksesin?

Unë mendoj se kudo në çdo fushë është një mundësi për të ecur përpara, por duhet gjetur çelësi që të hapësh derën e duhur. Shprehja e tre musketjerëve “Një për të gjithë e të gjithë për një” ka funksionuar për familjen time.

Si e gjen kohën për muzikën, duke ditur që je shumë i zënë me punën e përditshme?

Sa për muzikën, pavarësisht se jam shumë i ngarkuar me punë, kohën për të bërë muzikë, për të luajtur në kitarë e për të kënduar e kam gjetur gjithmonë. Pasioni nuk të lë të biesh në gjumë. Këtu në Kanada organizohem me aktivitete, koncerte dhe evente të ndryshme. Deri tani kam realizuar 3 albume, ku nga njëri tek tjetri duket dhe kualiteti i regjistrimeve dhe teknologjisë.

Po bashkëpunime me artistë të tjerë ke patur?

Me daljen në treg këtë vit të dy këngëve të reja të shoqëruara me videoklip kam dhe një duet me një këngëtare. Gjithashtu prej shumë vitesh në Toronto kemi formuar grupin muzikor “Tingujt”. Tani po punojmë për ta profesionalizuar më shumë këtë grup edhe me elementë të rinj.

Si e vlerëson interesin e komunitetit për muzikën shqiptare?

Shqiptarët i duan këngët dhe vallet e vendit të tyre. Unë mendoj se përmes grupeve muzikore dhe albumeve tona i jepet një kontribut komunitetit për brezat e ardhshëm, për ata breza që kanë lindur e janë rritur këtu. Ata kanë të drejtë dhe mendoj se duhet të njihen patjetër me muzikën e bukur të gjithë krahinave të Shqipërisë e Kosovës. Është një pasuri kombëtare që duhet t’ua trashëgojmë pasardhësve tanë.

Prill 2019

©FlasShqip