Komunitet

Ontario: Krijohet Shoqata e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë

  • Published in Komunitet

Në Kanada veprojnë disa shoqata me fokus gjithëpërfshirës, por së fundi është krijuar në Ontario, për herë të parë në historinë e emigrimit të shqiptarëve në Kanada, Shoqata e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë.

Kryesia e shoqatës përbëhet nga tre profesioniste të së drejtës Anisa Arra, presidente, Lusi Brace-përgjegjëse për komunikimin dhe Pamela Metani përgjegjëse për anëtarësimet. Me nismën e këtyre juristeve dhe guximin e tyre profesional pas dy javësh do të mbahet dhe eventi që do të mbledhë bashkë prakticienët e ligjit, studentët e drejtësisë, por dhe të tjerë të interesuar.

Pikërisht më 27 Maj, ora 6 p.m.  në Borden Ladner Gervais LLP, East Tower, Bay Adelaide Centre, 22 Adelaide Street West, 44th Floor, Toronto, ON M5H 4E3, juristët shqiptaro-kanadezë do të njohin njëri-tjetrin dhe do të vendosin urat e bashkëpunimit për të promovuar profesionin e tyre por edhe për t’u angazhuar në dobi të komunitetit.

Kush është profesionist i një fushe, pak a shumë ka informacion rreth kolegëve bashkëatdhetarë, por se sa është numri dhe se ku veprojnë këta profesionistë nuk ka të dhëna të sakta. Këtë gjë do mundësojë fillimisht shoqata e avokatëve, të bëjë bashkë në një organizim profesionistët e fushës së ligjit, jo vetëm për krenari kombëtare por edhe për qëllime afatgjatë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të anëtarëve të komunitetit shqiptaro-kanadez, edukimit e zhvillimit profesional.

Me krijimin e kësaj organizate, tashmë shqiptarët do të kenë një adresë të saktë për të kërkuar ndihmë në zgjidhjen e problemeve të tyre ligjore në provincën e Ontarios. Gjithashtu në ambiciet e drejtuesve të SASK përfshihet ndihma drejt rrugës së suksesit ndaj grave e vajzave sidomos në fushën e biznesit, por edhe orientimi e këshillimi i të rinjve që aspirojnë të studiojnë në degën e drejtësisë.

Një nismë frymëzuese, qëllimmirë dhe tejet specifike sjellin avokatët shqiptarë të Ontarios, me shpresën për t’u shtrirë anëtarësimi në gjithë Kanadanë.   

Por më shumë rreth qëllimeve e objektivave afatgjata e afatshkurtra të kësaj shoqate, do të mësojmë ditën e aktivitetit Gala që do të mbahet në Toronto më 27 Maj. Ndërkohë të interesuarit mund të lundrojnë në faqen e shoqatës https://www.acla-sask.com për detaje anëtarësimi apo dhe për pjesëmarrjen në event. 

 

©FlasShqip.ca