Komunitet

Të rinjtë shqiptarë të Edmontonit premtues për ardhmërinë e komunitetit

  • Published in Komunitet

Bisedë me shqiptarët e Edmontonit në Alberta

Me kryetarin e Albanian-Canadian Society of Edmonton, Shkumbin Pllana

Ata janë një grup të rinjsh të shkolluar në Kanada, të cilët jetojnë prej vitesh në Edmonton, metropolin e provincës veriore kanadeze, Albertas. Kanë marrë përsipër të çojnë përpara shoqatën shqiptaro-kanadeze duke integruar në vizionin dhe qëllimet e vëna idetë e të gjithë anëtarëve, pa dashur të personalizojnë organizatën apo ta lënë atë në harresë. Ushtrojnë pprofesione të ndryshme gjë që i bën të aftë të kuptojnë e të ndihmojnë bashkëatdhetarët e tyre në përpjekje të gjetjes së vetes në fillimet e emigracionit. Dhënia e informacionit është ndihma e parë e më tej nëse vullneti dhe dashamirësia bashkohen, një organizatë shqiptarësh mund të jetë një forcë e madhe për komunitetin. Ky grup të rinjsh të përfaqësuar nga kryetari Shkumbin Pllana tregojnë për FlasShqip se janë premtues për të ardhmen e historisë që do të shkruhet nesër mbi shqiptarët e Albertas.

Flasshqip: A mund të përmblidhet shkurtimisht historiku i prezencës së komunitetit shqiptar në Edmonton?

Shkumbin Pllana: Komuniteti shqiptar në Edmonton ka një histori solide 20 vjeçare. Disa nga pjestarët e komunitetit janë të stabilizuar në Edmonton prej më shumë se 30 vjetësh. Megjithatë, shumica e anëtarëve të komunitetit kanë mbërritur këtu në fundin e viteve 90’-të si pasojë e luftës në Kosovë. Në Edmonton gjendet një numër i konsiderueshëm shqiptarësh si nga Kosova ashtu dhe nga shteti amë, të cilët kanë vendosur të bashkohen brenda të njëjtës shoqatë (Albanian-Canadian Society of Edmonton) për të ruajtur dhe trashëguar vlerat tona kombëtare, gjuhën shqipe dhe kulturën tonë.

Flasshqip: Sa është aktualisht numri i bashkatdhetarëve tanë aty dhe si mund ta përshkruani ju integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze?

Shkumbin Pllana: Ka rreth 1000 shqiptarë në Edmonton të cilët janë integruar plotësisht në shoqërinë kanadeze dhe janë pjesë vitale e qytetit në veçanti por dhe provincës së Albertas në përgjithësi. Shumë prej tyre janë diplomuar në kolegje apo universitetë dhe punojnë në profesione si jurist, inxhinier, financier, ekonomist, menaxher, teknolog etj. Gjithashtu, shumë shqiptarë të Edmontonit kanë vendosur të themelojnë bizneset e tyre ose punojnë në industri si ato të naftës dhe ndërtimit që janë pjesë jetësore e ekonomisë së kësaj province. Pra me pak fjalë, komuniteti shqiptar është i integruar plotesisht në të gjithë sferat e shoqërise kanadeze në Edmonton.

Flasshqip : Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni dhe cilat janë aktivitetet më të rëndesishme të saj aktualisht?

Shkumbin Pllana: ACSE ka një kryesi prej shtatë vetësh (Shkumbin Pllana, Loren Jacaj, Selman Pllana, Eibi Likcani, Kaltrina Pllana, Vjollca Mehmeti dhe Adnan Pllana) të cilët jane të zgjedhur nëpërmjet votave të komunitetit. Mandati i kryesisë është dy vjeçar. Kryesia është e përbërë nga një kryetar, një zëvendëskryetar, një sekretar dhe katër anëtarë. Qëllimi kryesor i shoqatës tonë ështe të mbajmë gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare, të ruajmë komunikimin në gjuhën shqipe dhe të promovojmë kulturën dhe traditat tona kombëtare. Ndër aktivitetet më të rëndësishmë mund të përmendim pjesëmarrjen në “Heritage Days”, një festival i përvitshëm në Edmonton ku komunitete të ndryshme kanë një stendë përmes të cilës promovojnë kulturën dhe ushqimet tradicionale të vendit të tyre. Po kështu, ne organizojmë rregullisht çdo vit mbrëmjen e Festës së Pavarësisë më 28 nëntor si dhe Festën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.

Flasshqip : Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera në Kanada si paraqitet ?

Shkumbin Pllana: Për shkak edhe të afërsisë gjeografike, bashkëpunim direkt kemi me Shoqatën Shqiptare në Calgary. Megjithatë jemi të hapur për bashkëpunim me shoqatat e tjera shqiptare në të gjithë Kanadanë.

Flasshqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes ketyre dy faktorëve shqiptarë? Është hedhur madje dhe ideja e pjesëmarrjes së diasporës në votime …

Shkumbin Pllana: Diaspora dhe shteti amë duhet të kenë komunikim të vazhdueshëm dhe në nivele sa më të larta. Diaspora është një pasuri për shtetet e Kosovës dhe Shqipërisë pasi së bashku me eksperiencën e fituar në vendet e zhvilluara perëndimore, hapat e të cilëve shtetet tona po mundohen të ndjekin, diaspora mund të sjellë në Atdhe edhe shumë investime që do të ndihmonin shumë ekonominë e cila ende është e brishtë në të dy shtetet shqiptare. Ka ende shumë vend për përmirësim por jemi të lumtur të shikojmë që interesi i vendit amë drejt diasporës është në rritje. Gjithashtu, do të ishte një hap i madh përpara nëse diasporës do t’i jepej mundësia të kishte peshë në vendimarrje lidhur me të ardhmen e atdheut nëpërmjet votes. Gjithsesi i duhet lënë kohës për të parë nëse diçka e tillë do të jetë e mundur.

Flasshqip: A e ndjeni aktualisht interesimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan për emigrantët në Kanada dhe aty ku jeni ju?

Shkumbin Pllana: Komuniteti shqiptar në Edmonton ka pasur së fundmi një vizitë nga Ambasadori i Shqipërisë në Kanada me rastin e festimeve të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Madje ambasadori, Z. Ermal Muça, ka qenë shumë aktiv dhe në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin tonë, duke vizituar Edmontonin dhe në raste të mëparshme. Kjo ndihmë dhe përfillje nga ana e Ambasadës Shqiptare në Kanada i jep një shtysë të madhe shoqatës tonë për të vazhduar me zell punën që kemi nisur. Prandaj përfitojmë nga rasti për të shprehur falenderimet tona.

Flasshqip: Vitin e kaluar, kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi publikisht krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat për bashkëpunim dhe këmbim eksperience. Si e vlerësoni një ide të tille? A mendoni që një forum i kësaj natyre mund ti shërbejë më mirë ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vazhdimesi brenda kuadrit te shoqërise kanadeze multikulturore?

Shkumbin Pllana: Mendojmë se një nismë e tillë do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për të gjitha shoqatat anë e mbanë Kanadasë dhe do të lehtësonte shumë komunikimin midis tyre dhe sidomos shkëmbimin e eksperiencave, madje pse jo duke mundësuar që shoqatat të ndihmojnë njëra-tjetrën gjatë zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme. Krijimi i një forumi të tillë do të lehtësonte bashkëpunimin edhe më institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar kësisoj një urë direkte komunikimi me të gjithë shqiptarët në Kanada. Prandaj ne si Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Edmontonit e mbështesim plotësisht këtë nismë.

Flasshqip: Ju faleminderit dhe suksese të mëtejshme në misionin tuaj atdhetar dhe fisnik!

©Flasshqip.ca