Komunitet

Në galerinë shqiptare ‘Ambigu’, aty ku ekspozojnë artistë nga gjithë bota

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

Në Montreal ndodhet një galeri arti nën pronësinë dhe drejtimin e një çifti artistësh shqiptarë. Entela Konomi dhe Mishel Koçiu kanë ditur t’i japin ngjyra jo vetëm jetës së tyre por edhe rrugës “Amherst”.

Kisha dëshirën e madhe të shkoja të vizitoja miqtë e mi për t’u çmallur së pari dhe së dyti për të parë zhvillimin artistik të Entelës, së cilës ende ia mbaja mend akrilikun në telajo kur i ndante dikur me shoqërinë krijimet e saj. Unë, e edukuar që herët me artin viziv prej sime motre kur mbushte me tablo muret e shtëpisë qosh më qosh, kam një afeksion të veçantë ndaj pikturës. Kështu pra, me këtë emocion arrita në rrugën “Amherst”, e pandikuar prej flamujve shumëngjyrësh andej-këtej, në pritje vetëm për të shijuar ngjyra përtej një ylberi.

“Ambigu”, është një galeri ku mbizotërojnë pikturat e Entela Konomit, Rapi Sotës, Kastriot Dervishit, Gent Bejkos dhe Sabri Oktrovës, krahas punimeve artistike në dru të Petrit Spahiut të ekspozuara në vitrinat e xhamit, që nuk u shpëtojnë as syrit të kalimtarit të shpenguar të Montrealit. Iniciativës së Mishelit dhe Entelës për të krijuar një qendër arti që në fillim iu bashkua edhe Gent Bejko, aktor e regjisor, për ta kthyer AMBIGU-n në një shtëpi të vërtetë produksioni artistik, që prodhon e shpërndan art vizual por edhe arte të skenës e ekranit. Ky grup simpatik artistësh shqiptaro-kanadezë, mbledhur në një atelie më kujton grupin e famshëm të të shtatëve të Kleinburgut, të cilët dallonin për nga ngjyrat, ngjanin për nga temat dhe kishin të përbashkët pasionin dhe dashurinë për artin, të bukurën.

Dashurinë e pashë më së shumti tek çdo tablo e Entelës, edhe aty ku kishte ravijëzuar refugjatët e luftës, edhe tek gruaja pa shkarpa apo shtamba ngarkuar në kokë, por me shporta me lule në duar, edhe tek shqiptari që lë Shqipërinë dhe gjyshin me shkop në derën e aeroportit të lotëve.  Ndoshta edhe për shkak të përmasave të mëdha, mua më dukej sikur në çdo pikturë bëhesha një personazh me mendjen brenda tablosë dhe këmbët jashtë saj. Realiteti kombinohej me stilin ekspresionist me ngjyrat e gjalla e të forta, ku lexohej siguria e artistes në përdorimin pa frikë të tyre dhe në shprehjen e emocioneve të saj.

Kishte disa tablo të tjera Entela që më pëlqyen shumë, ku jepte disa linja të formave dhe lëvizjeve të cilat së bashku krijonin harmoni, pa detaje të panevojshme duke i dhënë veprës unikalitet dhe pjesa tjetër i lihej imagjinatës së shikuesit. Me këto lloj pikturash fantazia mund të të çojë kudo.

Entela, ashtu siç është në jetën e përditshme, një njeri i lirë dhe pa komplekse nga të qënurit ajo që është, e sjell shpirtin e saj edhe në tablotë abstrakte të cilat nuk kanë rregulla interpretimi dhe as përkufizime. Dikur nuk e kam pëlqyer këtë stil në pikturë, sot e mendoj ndryshe qoftë në aspektin praktik ashtu edhe atë intelektual.

Prandaj i shoh pikturat abstrakte si pjesë e rëndësishme të ambienteve ku kaloj më shumë kohë. E mora këtë ndjesi të bukur dhe e përforcova mendimin te Galeria “Ambigu”. Aty kishte plot të tilla, të punuara kryesisht në vaj dhe në përmasa të ndryshme. Vizita ime në galeri ia vlejti edhe për të njohur e parë nga afër punimet e artistëve të tjerë që janë pjesë e pandarë tashmë e Ambigut. Faqet e mureve të marrin kohë për t’i vërejtur me kujdes e për t'i shijuar veprat e artit ekspozuar aty. Fatmirësisht Montreali ka dashamirës arti dhe ndodh që tablotë të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Grupi i të shtatëve është në fazë krijimtarie. Nga pas ateliesë presin makinat e aparaturat e përgatitjes së telajove të cilat burrat piktorë e kanë të lehtë t’i përdorin ndryshe nga Entela që kërkon ndihmë në këtë pikë.  

Dhe e bukura e artistëve tanë qëndron në shpirtin e tyre bashkëpunues. Nën kujdesin menaxherial të Mishel Koçiut, Galeria “Ambigu” është e hapur jo vetëm për shqiptarët që duan të promovojnë artin e tyre, por edhe për këdo artist që shpreh interesin për të ekspozuar aty. Disa herë në vit, Ambigu u ofron mundësinë artistëve të kombësive e shtetësive të ndryshme të regjistrohen kundrejt asnjë tarife pjesëmarrjeje, por ama “Grupi shqiptar i të shtatëve” rezervon të drejtën e seleksionimit të veprave të autorëve. Ata përzgjedhin mbi bazën e disa kritereve të caktuara për të ruajtur standardin artistik të vendosur prej kohësh në galerinë “Ambigu”.

Kështu ka ndodhur edhe këtë muaj me rastin e ekspozitës “L’été en couleur” që do të mbahet nga data 22 deri më 30 qershor, ku të përzgjedhurit kapën numrin 22 pothuajse sa gjysma e aplikantëve. Përmes një ekspozite kolektive, rruga “Amherst” nr.1761 në Montreal, do të shkëlqejë nga ngjyrat e dritat prej orës 7 deri në orën 10 p.m në ditën e çeljes e deri në ditën e fundit të muajit Qershor.

Këtë radhë në cilësinë e kuratores së ekspozitës së 22 artistëve, por edhe si një mikëpritëse e ëmbël, Entela Konomi do t’i vendosë pikturat e saj të përmasave të mëdha, të përshtatshme për të zbukuruar ambientet e shtëpisë apo zyrës, ndoshta në qoshen e ateliesë për t’u lënë sa më shumë hapësirë artistëve të tjerë që iu përgjigjën ftesës së Ambigut.

FlasShqip mbetet në pritje të ditës së aktivitetit për të sjellë për lexuesit artin bashkëkohor të Montrealit. Deri atëherë i urojmë suksese me organizimin miqve tanë të galerisë “Ambigu” duke i përgëzuar për promovimin e së bukurës pa çmim.

©FlasShqip.ca