Komunitet

Në Hamilton të Ontarios hapet Shtëpia Shqiptare

Nga: Taulant Dedja

Bisedë me Refki Sertollin, Kryetar i Shoqatës Shqiptare Hamilton

Nga lindja e deri sa nisi lufta e Kosovës, jeta e tij ka qenë e lidhur totalisht vetëm me një qytet, Prizrenin historik të Lidhjes Shqiptare. Kështu e nis rrëfimin mësuesi i dikurshëm i Matematikës Refki Sertolli. I pasionuari pas teatrit dhe gazetarisë, sot është Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit, njërit prej qyteteve më të mëdha në Ontario, ku jeton prej gati 20 vitesh një komunitet jo i vogël shqiptarësh.

Refkiu me familjen, ashtu si mijëra të tjerë, ka ardhur në Kanada në qershor të vitit 1999, kohë kur shteti kanadez strehoi disa mijëra shqiptarë të larguar nga Kosova nën terrorin e regjimit të Millosheviqit. Me vendosjen në Hamilton, sëbashku me shokë e miq të tij, ai angazhohet dhe punon për krijimin e shoqatës shqiptare, shoqatë të cilën e drejton prej tre vitesh.

Refkiu kujton me nostalgji kohën e zjarrtë kur u shpall Pavarësia e Kosovës dhe festimin në sheshin përpara Parlamentit të Ontarios në Toronto, ku pjesmarrja e shqiptarëve ishte masive, mes të cilëve edhe një grup shumë i madh nga Hamiltoni. Aty pikërisht e ka dhe zanafillën ideja e krijimit të shoqatës, ide që u bë realitet më 28 Nëntor 2010, që njihet edhe si data e themelimit zyrtar.

Në Hamilton jetojnë shqiptarë nga të gjitha trevat, ndërsa më shumë të tillë ka nga Kosova, të cilët, siç e thamë në fillim, kanë ardhur aty kryesisht gjatë Luftës më 1999. Në pak vjet ky komunitet është integruar shpejt duke u bërë baza mbështetëse për një nga shoqatat shqiptare më aktive në Kanada. Falë këtij komuniteti energjik dhe plot kohezion, është arritur të realizohet dhe një projekt unik do të thonim deri më sot. Bëhet fjalë për Shtëpinë Shqiptare, qendrën komunitare e cila do të përurohet së shpejti dhe që është realizuar me kontributin ekskluziv të komunitetit shqiptar në Hamilton. Ja si e përshkruan Refki Sertolli jetën e bashkatdhetarëve tanë aty dhe rrugën e tyre të integrimit në shoqërinë kanadeze:  

Refki Sertolli: Ende nuk kemi arritur ta bëjmë regjistrimin e shqiptarëve këtu, mirëpo në bazë të indeksit të anëtarësimeve dhe pjesmarrjes nëpër aktivitetet tona, mendohet të jenë rreth 5000 shqiptarë, ndërsa në shoqatë çdo vit regjistrohen prej 130 deri në 170 familje. Integrimi për ne në momentet e para të ardhjes, nuk ishte i lehtë, por falë mikëpritjes së shtetit kanadez, shumë shpejt e kemi arritur me shumë sukses integrimin në shoqerinë e këtushme. Aktualisht kemi shume te rinj që punojnë në institucione të rëndësishme qeveritare dhe bashkiake apo të tjerë që vazhdojnë shkollimin. Kemi profesionistë të suksesshëm si inxhinierë, analistë financiarë, ekonomistë, agjentë të shitblerjes së pronave si dhe plot të tjerë të vetëpunësuar që kanë regjistruar bizneset e tyre të vogla dhe të mesme.  Disa prej tyre janë zgjedhur në kryesinë e shoqatës që prej themelimit dhe vazhdojnë të jenë shumë aktivë në mbështetje të saj. Përfitoj nga rasti ti falenderoj me gjithë zemër për kontributin e tyre shumë të çmuar.

FlasShqip: Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni i saj dhe cilat janë aktivitetet më të rëndesishme aktualisht?

Refki Sertolli: Shoqata jone është e organizuar mbi bazën e anëtarësimeve, të zgjedhjeve të lira dhe aktiviteteve të njëpasnjëshme. Aktiviteti dhe puna jonë, gjithnjë bazohet në Statutin dhe në rregulloren e kryesisë. Ne madje kemi një parim që nga fillimët e shoqates, ne shtyhemi ndërmjet veti se cili ta kryejë një punë e jo cili të jetë i pari në emër. Çdo dy vjet mbajmë Kuvendin Zgjedhor (deri tani kemi mbajtur katër të tillë), ku zgjidhet kryesia prej 11 anëtarësh dhe në bazë të statutit, në mbledhjen e parë të kryesisë, zgjidhet edhe kryetari i cili e kryen funksionin jo më shumë se dy mandate.    

Dihet mirëfilli se misioni që shoqata i ka vënë vetes, është ruajtja e traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe, si dhe aty ku është mundësia. edhe ndihma e saj për të integruar shqiptarët në jetën kanadeze. Prej themelimit, shoqata ka promovuar pra vlerat kombëtare, u ka dale zot të sapoardhurve atëherë kur i është kërkuar dhe ka dhënë edhe ndihma të veçanta për anëtarët apo bashkatdhetarët në nevojë.

Shoqata jonë, së bashku me disa shoqata në Ontario dhe Quebec, që nga viti 2012 bashkëorganizon Kupën e Shqiptarëve të Kanadasë, ku ekipi ynë ka dalë fitues katër herë. Organizojmë gjithashtu herë pas here promovimin e librave të autorëve nga komuniteti e vendlindja. Të një rëndësie të veçantë vlen të theksohen edhe dy gjëra që janë pjesë e aktiviteteve të shoqatës nga fillimi.

E para, hapja e vazhdimi i Shkollës Shqipe të Hamiltonit që nga shtatori i vitit 2013, ku zakonisht kemi nga dy klasa të moshave nga 5 deri në 14 vjeç. U jemi shumë mirënjohës të gjithë mësuesve që kanë punuar apo janë duke punuar me përkushtim për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhes shqipe, pasurisë më të madhe të kombit tonë.   

E dyta, që nga 2011 kemi themeluar Grupin e Valltareve Shqiptare të Hamiltonit, grup që më vonë mori emrin “Fluturat”. Grupi i Valleve “Fluturat” perveç paraqitjes në aktivitetet kombëtare tonat, herë pas here merr pjesë edhe në aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Hamiltonit si dhe në aktivitete multikulturore të organizatave të ndryshme që veprojnë në Hamilton. Vitin e kaluar, “Fluturat” morën pjesë në Ottawa, në festimin e 150-vjetorit të Kanadasë, në aktivitetin e Shoqatës Diplomatike të Ottawa, duke përfaqësuar Ambasadat e Shqiperisë dhe Kosovës.  

FlasShqip: Ju keni tashmë si shoqatë edhe ambientin në pronësi tuaj të cilin po e rikonstruktoni, ambient që do mbajë emrin “Shtëpia Shqiptare”. Ju lutemi na përshkruani si u realizua ky investim madhor, i pari ndër shoqatat shqiptare në Kanada.

Refki Sertolli: Përveç atyre që përmenda, një ndër synimet e shoqatës që në fillim ka qenë edhe blerja e një objekti për ta shndërruar atë në Shtëpinë Shqiptare. Me përkushtim, sinqeritet e punë të palodhur, ne arritëm ta finalizojmë këtë projekt me shumë vlerë për komunitetin. Në verën e vitit 2016, ne kemi blerë një ndërtesë, në të cilën është zyra e shoqatës dhe një sallë, që mund të përdoret për shumë aktivitete dhe mund të lëshohet edhe me qira, varësisht kërkesave.

Këto ditë jemi në vlugun e punës në përfundim të rinovimit dhe besoj se shumë shpejt do bëhet edhe inaugurimi i Shtëpisë Shqiptare në Hamilton. Që nga koha kur është bërë blerja e deri më tani, është bërë shumë punë krejt në baza vullnetare në fundjavë. Është një arritje me të cilën kemi të drejtë të krenohemi ndaj dhe përfitoj nga rasti ti falenderoj të gjithë kontribuesit pa përjashtim. Madje nuk mund të rri pa theksuar edhe faktin që, kur na erdhi për vizitë në ambientet e shoqatës Ministri shqiptar i Diasporës Pandeli Majko, ai mbeti krejt i befasuar kur dëgjoi që ne kemi arritur të gjenerojmë një pronë krejtësisht me kontributin tonë.

FlasShqip: Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera në Kanada si paraqitet?

Refki Sertolli: Duke marrë parasysh shtrirjen gjeografike të shtetit kanadez, mund të them se bashkëpunimi është i mirë. Ne gjithnje kemi qenë e jemi për bashkëpunim me çdo shoqatë apo individ që ka dëshirë dhe vullnet të kontribuojë, sepse kështu arrijmë të shkëmbejmë e mësojmë nga përvojat e njëri-tjetrit. Mendoj se asnjë shoqatë, grup apo individ, nuk ka monopol dhe nuk duhet ta shohë veten superior përballë të tjerëve. Bashkëpunimi i hapur dhe i sinqertë ndërmjet nesh, na bën më të fortë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit dhe traditës sonë kombëtare.

FlasShqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes ketyre dy faktorëve shqiptarë?

Refki Sertolli: Dëshira është diçka tjetër e realiteti është tjetër. Për fat jo të mire, dy shtetet tona, diasporën e shohin si një aset për t'u vjelur.  Vetëm atëherë kur shtetet tona ta shohin dhe vlerësojnë diasporën si një mekanizëm e si një trung që ndër shekuj ishte, e akoma është promotor e promovues i zhvillimit e avancimit të çështjes kombëtare, atëherë shumë gjëra do vijnë në një nivel më të mirë bashkëpunimi e bashkërendimi në të gjitha sferat e jetës për diasporën dhe Shqipërinë e Kosovën.

FlasShqip: Para disa javësh, kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi publikisht krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat shqiptare për bashkëpunim dhe këmbim eksperience. Si e vlerësoni një ide të tille?

Refki Sertolli: Çdo ide që thellon bashkëpunimin është e mirëseardhur dhe me shumë vlerë, nëse në thelb të saj është sinqeriteti e dashuria për kombin. Një forum i tillë do të jetë i domosdoshem për ruajtjen në vazhdimësi dhe kultivimin e traditës sonë kulturore dhe kombëtare. Më lart përmenda se nuk duhet asesi të ketë individë apo edhe shoqata superiore në bashkëpunim. E njëjta gjë vlen edhe për realizimin e ketij projekti madhor për shqiptarët e Kanadasë. Vetëm me një sinqeritet, atdhedashuri të mirefilltë e respekt të ndërsjelltë mund të bëhet realizimi i tij. Uroj që kjo nismë të realizohet sa më pare!

@FlasShqip.ca