Komunitet

Me Ilir Kuqin në Calgary të Alberta-s, atje ku flitet shqip

Intervistoi: Taulant Dedja

Kësaj here, synimi i Portalit tonë për të mbledhur e komunikuar sa më shumë informacion rreth shqiptarëve në Kanada, na çoi drejt perëndimit kanadez, më shumë se 2700 km nga Toronto, në qytetin e Calgary-t.

Calgary, është qendra më e madhe urbane e provincës Alberta, një territor mbi 660,000 km2, me një popullsi që i kalon 4,1 milionë banorët. Alberta konsiderohet provinca më e pasur dhe me rritjen më të lartë ekonomike në Kanada, kryesisht falë rezervave shumta të hidrokarbureve.

Në Calgary, si në të gjitha qytetet kryesore kanadeze, ka sot një komunitet shqiptar që ka filluar të vendoset atje prej më shumë se një çerek shekulli. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, aktualisht mendohet që numri i shqiptarëve të ketë arritur shifrën rreth 4000 vetë.

Shqiptarët e Calgary-t, me prejardhje nga të gjitha territoret shqiptare në Ballkan, sot janë të organizuar si komunitet në shoqatën e quajtur Albanian-Canadian Association of Calgary. Për të mësuar më tepër rreth tyre, ne patëm rastin të komunikojmë drejtpërdrejt me kryetarin e përkushtuar të shoqatës, Ilir Kuqin.

I lindur në Krujë, ai emigroi nga vëndlindja fillimisht drejt SHBA kur ishte vetëm 16 vjeç, vend ku edhe kreu studimet universitare në shkencat kompjuterikë. Karriera e nisur me kompaninë Entreprise Holdings e sjell atë në vitin 2012 në Kanada, sëbashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Fillimisht e ka ushtruar profesionin në Ottawa, ndërsa prej dy vitesh është vendosur në Calgary.

Që ne fjalët e para të bashkëbisedimit tonë, ai ka insistuar t’u shprehë mirënjohjen bashkëatdhetarëve që e kanë mbështetur dhe i kanë dhënë besimin të drejtojë shoqatën.

Sipas rrëfimit të Ilir Kuqit, mendohet që shqiptarët e parë në Calgary të kenë ardhur diku rreth viteve 1991-1992. Fillimisht, shoqata e parë, Calgary Albanians Society, ka qenë krijuar në 2002, nga një grup nismëtar nën drejtimin e Agron Milotit. Pas vitit 2006, kjo shoqatë pushoi së funksionuari dhe u rithemelua në vitin 2015, nën emrin Albanian Canadian Association of Calgary, e drejtuar nga Dorian Londo.

Iliri, pas fshehur krenarinë dhe vlerësimin, na pohon që shumica dërrmuese e bashkëatdhetarëve, që kanë ardhur me aplikim emigrimi si profesionistë, janë tashme krejtësisht të mirëintegruar në shoqërinë kanadeze. Ka plot syresh që punojnë si inxhinierë nafte, ngaqë industria e naftës në Alberta është shumë e zhvilluar. Gjithashtu ka edhe shumë të tjerë, që ushtrojnë profesionin e ndërtimit dhe drejtojnë kompanitë e tyre si kontraktorë apo nën-kontraktorë. Të tjerë punojnë si mjekë, financierë, mësues apo nëpunës administrate.

Ilir, si është e organizuar konkretisht shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni dhe cilat janë aktivitetet e saj kryesore?

Ilir Kuqi: Shoqata këtu në Calgary është akoma e re, e rithemeluar prej dy vjet e gjysëm dhe ende në përpjekje për të rritur nivelin e organizimit. Misioni kryesor dhe parësor i saj mbetet ruajtja e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë identitare shqiptare në përgjithësi. Kemi një bord me 14 anëtarë, të cilët janë të gjithë shumë të përkushtuar dhe aktivë, gjë që e bën punën më frytdhënësë. Prej dy vitesh kemi hapur dhe shkollën shqip me dy klasa sipas grupmoshave, me një numër prej rreth 30 nxënësish. Jam shumë optimist për ecurinë e saj sepse shoh gjithashtu të angazhuar me pasion individë që e kanë prirje dhe profesion edukimin. Organizojmë gjithashtu rregullisht edhe veprimtari të tjera të karakterit social dhe sportiv, përfshi aktivitete për festën kombëtare apo atë të pavarësisë së Kosovës.

A keni bashkëpunim me shoqata të tjera shqiptare në Kanada?

Ilir Kuqi: Duke patur parasysh dhe afërsinë gjeografike, kemi filluar bashkëpunimin me shoqatën e Edmonton-it, kryeqyteti i provincës, si dhe me shoqatën “Iliria” të Saskatchewan, që funksionon në Regina. Jemi duke menduar rreth mundësisë së organizimit të aktiviteteve të përbashkëta.

Si gjykoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë? Është hedhur madje dhe ideja e pjesëmarrjes së emigrantëve në votime … A e ndjeni aktualisht interesimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan për emigrantët në Kanada dhe aty ku jeni ju?

Ilir Kuqi: Faktikisht dua ti rri larg kësaj teme sepse më duket se është politike...  Ne këtu në Calgary, kemi synim fillimish të ndihmojmë dhe fuqizojmë komunitetin tonë, në mënyrë që t'i japim atij sa më shumë zë në jetën sociale kanadeze.  Tani për tani, nuk kemi patur ndonjë takim të drejtpërdrejtë për këto çështje që ju përmendni...

Para disa javësh, kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat shqiptare me synim bashkëpunimin dhe këmbimin e eksperiencave. Si e vlerësoni një ide të tille?

Ilir Kuqi: Kjo ide padyshim që është një ide e bukur dhe me vlerë, po të kihet parasysh se, këtu në Kanada jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, madje shumë të kualifikuar profesionalisht. Kemi shoqata të organizuara dhe me arritje apo realizime të rëndesishme. Kam parasysh këtu për shembull, Shoqatën e Torontos, me angazhimin e të cilës muaji Nëntor në Ontario është shpallur nga Parlamenti provincial muaji i trashëgimisë kulturore shqiptare.  Mendoj se dëshira dhe vullneti i bashkëpunimit ekziston tek të gjitha shoqatat dhe komunitetet shqiptare në gjithë Kanadanë. Duke u bashkuar dhe duke këmbyer eksperienca, mund të bëjmë edhe më shumë për njeri-tjetrin, por edhe për ta bërë edhe më të dukshëm, më të njohur dhe më të prekshëm identitetin tonë nga shoqëria multikulturore kanadeze.

@FlasShqip.ca