Aktivitete

Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal rinon kryesinë

Nga: Ajet Nuro

Pata kënaqësinë të jem i ftuar në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës Kulturore-Shqiptare në Montreal që u zhvillua ditën e diel më 10 qershor 2018. Ishte hera e parë që nga krijimi para tre vjetësh, që shoqata bënte një analizë dhe është për t’u përgëzuar puna e saj që ka gjallëruar jetën kulturore të shqiptarëve këtu në Montreal.

Kryetarja e parë e shoqatës, zonja Anila Kati, bëri një raportim mbi punën e shoqatës që nga krijimi, aktivitetet, sukseset por dhe josukseset e shoqatës që ajo drejtoi për tre vjet. Festimi i festës së flamurit përgjatë tre viteve, pikniket e organizuara, koncerti i Inva Mulës dhe Olen Çezarit, pjesëmarrja në aktivitete me organizata simotra në Ottawa dhe Toronto si dhe në aktivitetet e organizuara nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Kanada, aktivitetet e tjera sportive dhe me bizneset që kjo shoqatë apo drejtuesit e saj i kanë mbështetur, kanë qenë disa nga sukseset e përmendura në raport. Por, kuptohet, si organizatë e re, me qëllim zbulimin e rrugëve të reja dhe të pashkelura ndonjëherë, janë bërë edhe gabime ose edhe aktivitete që nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

Shumë nga pjesmarrësit, pasi vlerësuan punën e gjertanishme, kujtuan se puna e shoqatave është një punë vullnetare dhe se të gjithë duhet të ndihmojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe nismave që ato marrin. Ata theksuan gjithashtu domosdoshmërinë për gjetjen e mënyrave sa më frutdhënëse, për të tërhequr fëmijët dhe rininë të mësojnë gjuhën tonë të bukur dhe pse jo të integrohen në përpjekjet e prindërve të tyre për të mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat më të mira të atdheut tonë.

Bashkëpunim shqiptar

Në mbledhje u ngrit edhe shqetësimi se tashmë në Montreal janë disa organizata që përfaqësojnë shqiptarët dhe se si i bëhet që të gjithë sëbashku ta çojmë përpara çështjen e përbashkët të të gjithëve, që është ruajtja e traditave dhe ndjenjave patriotike sidomos tek brezi i ri. Anëtarët e kryesisë u shprehën se ata kanë bërë përpjekje konkrete për të bashkëpunuar por jo gjithmonë është gjetur gjuha e përbashkët apo mënyra e duhur e komunikimit. U theksua që edhe ata që do të zgjidhen si drejtues të rinj duhet të respektojnë dhe kërkojnë bashkëpunimin e shoqatave të tjera.

Shoqatë e re, gjak i ri

Mbledhja e përgjithshme e Shoqatës Kulturore-Shqiptare në Montreal kishte si qëllim edhe rinovimin e kryesisë. Të vjen mirë tek sheh emra të rinj por sidomos pjesëmarrjen me shumicë të grave në këtë organ drejtues. Mjafton të përmendim se nga dhjetë emrat që do të drejtojnë këtë shoqatë, shumica shtatë, janë femra dhe shumë të rinj. Kryesia e re zgjodhi për t’a drejtuar po një femër dhe një aktiviste të re, zonjën Eriola Qendro. Ajo do të ketë nënkryetar z. Artur Gjidede, sekretare zonjën Merita Bashari dhe përgjegjës për financat zotin Glen Kasneci.

Nuk na mbetet veç t’i urojmë kryesisë së re punë të mbarë për të mirën e gjithë shqiptarëve të Montrealit.