Aktivitete

Kultura shqiptare në Fusion Festival

Komuniteti shqiptar vlerësohet me çmimin e tretë 

Në datat 21-22 korrik në Parkun Holland në Surrey të Kolumbisë Britanike, u organizua edicioni i 11-të i Fusion Festival. Në këtë festival, traditë e të cilit janë paraqitjet e kulturave të komuniteteve të ndryshme, ushqimeve, muzikës e sigurisht me fokus në argëtim, ishte rezervuar një hapësirë edhe për komunitetin shqiptar të British Columbia. Pavioni i kulturës shqiptare pati pjesëmarrje të gjerë ditën e parë prej shumë vizitorëve.

Mikëpritësit në pavion i bënë vizitorët kuriozë të ndiheshin për disa minuta si shqiptarë, duke u kërkuar të dilnin foto para flamurit dhe duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.  Ose të uleshin në sofër e të trokisnin gotat e rakisë, apo të vendosnin një qeleshe mbi kokë.

Ndërsa ditën e dytë, më 22 korrik, u dha një koncert i shkurtër i komunitetit shqiptar, i realizuar me ndihmën e çmuar të dirigjentit dhe personalitetit të njohur të muzikës shqiptare, Bujar Llapaj. Dy emra të rinj të muzikës ishin pjesë e koncertit, violinistja Arta Jolldashi dhe këngëtarja Gerta Heba. 

Sigurisht që ky aktivitet i realizuar nga shoqata “Eaglesland” në Vancouver, pati gjithashtu mbështetjen e gjithë grupit të vullnetarëve shqiptarë, pa të cilët nuk do të kishin shkuar gjërat kaq mbarë. Në një komunikim të dretpërdrejtë me FlasShqip, kryetari i shoqatës Ardian Lagji, vlerësoi të gjithë kontribuesit duke theksuar në mënyrë të veçantë angazhimin e zv.kryetares së shoqatës Ardita Fishta, të cilën ai e cilësoi si "trurin" e organizimit të evenimentit.

Pjesëmarrja e këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve ishte një vlerë e aktivitetit, duke e prezantuar kulturën shqiptare tek të pranishmit jo vetëm përmes pamjeve e objekteve, por edhe tingujve të gjallë të muzikës tonë.

©Flasshqip.ca