Aktivitete

British Columbia: Ardita Fishta tregon për suksesin shqiptar në Surrey Fusion Fest

Intervistoi: Taulant Dedja

Ardita Fishta, Zv. Kryetare e Shoqatës Shqiptare Eaglesland në British Columbia, ka 18 vjet që ka imigruar në Kanada duke zgjedhur qysh në fillim si vendbanim qytetin Surrey. Ajo ka lindur në Fushë Arrëz të rrethit të Pukës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1993 dhe ka punuar në Institutin e Studimeve të Transportit në Tiranë deri në vitin 2000. Si të gjithë imigrantët e tjerë shqiptarë, fillimet e jetës në Kanada ajo i konsideron të vështira, por me ndihmën dhe përkrahjen e miqve shqiptarë dhe kanadezë si dhe me punen e saj këmbëngulëse e dëshirën për të krijuar një jetë më të mirë, ajo ja ka dalë mbanë. Ka 17 vjet që punon ne Industrine e Siguracioneve të jetës dhe shëndetit. Prej 10 vjetësh është e angazhuar në kryesine e Shoqates Shqiptare Eaglesland, gjë që sipas saj, e ka ndihmuar të krijojë lidhje të reja dhe konsoliduar miqësitë e vjetra me anëtarë të komunitetin shqiptar në Vancouver. Ardita është martuar me një kanadez, i lindur në Surrey, qytetin ku u zhvillua aktiviteti të cilin në vija të përgjithëshme e kemi pasqyruar në informacionet tona. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Ken Westdorp, marrin pjesë rregullisht në aktivitete bamirëse dhe kulturore si dhe në aktivitetet që organizon Shoqata Shqiptare aty. Bisedën e përqëndruam në më shumë detaje rreth aktiviteti të fundit, Surrey Fusion Fest, ku falë angazhimit të saj dhe gjithë vullnetarëve të tjerë u prezantua me sukses të plotë kultura shqiptare.  

Një përshkrim të shkurtër të qytetit Surrey, të shqiptarëve që jetojnë aty dhe Fusion Festival si aktivitet …

Ardita Fishta: Surrey ndodhet në jug të provincës së British Columbia. Është qyteti me rritjen më të lartë të popullsisë në provincë dhe një nga qytetet me rritjen më të lartë të popullsisë në Kanada. Unë kam 18 vjet që jetoj në këtë qytet dhe më pëlqen ndërthurja e shumë komuniteteve që jetojnë këtu, përfshirë dhe shumë shqiptarë me të cilët jemi miq. Surrey Fusion Fest filloi për herë të parë në Korrik të vitit 2008 dhe në atë kohë une banoja shumë afër vendit (Holland Park) ku zhvillohej ky aktivitet. Ideja e festivalit është pjesëmarrja e vendeve të ndryshme të botës, (të përfaqësuara nga shoqatat e këtyre vendeve në Vancouver) me pavione kulturore, me ushqime tradicionale dhe me shumë aktivitete artistike. Me kalimin e viteve, numri i vendeve pjesëmarrëse erdhi duke u rritur dhe mua më lindi ideja dhe dëshira që edhe Shoqata Shqiptare Eaglesland të merrte pjesë në këtë festival multikulturor.  Surrey Fusion Fest është cilësuar si "Best Festival" në Regional Canadian Event Industry Awards në vitin 2017. Këtë vit Surrey Fusion Fest u vizitua nga më shumë se 100,000 vetë.

A është hera e parë që komuniteti shqiptar merr pjesë aty?

Ardita Fishta: Po, ky është viti i parë që morëm pjesë si përfaqësues të Shqipërisë me një pavion kulturor dhe një progam artistik 30 minutësh.

Si u organizuat paraprakisht dhe çfarë prezantonte Pavioni Shqiptar?

Ardita Fishta: Kryesia e Shoqatës më ngarkoi përgjegjësinë e drejtimit të grupit të punës. Përgatitjet filluan që në Prill të këtij viti, me qëllim krijimin e grupit artistik duke kontaktuar fillimisht anëtarët e talentuar të komunitetit shqiptar në Vancouver: Gerta Heba, Arta Jolldashi, Ben Meti dhe zotin Bujar Llapaj, dirigjentin e shquar shqiptar që jeton këtu. Ishte një nder i madh për ne që zoti Bujar Llapaj shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar si udhëheqësi artistik i programit shqiptar. Tematika e Surrey Fusion Fest kete vit ishte "Influential Women" dhe çdo vend duhej të paraqiste diçka për gratë me influencë. Në bashkëpunim me zotin Bujar Llapaj dhe zotin Dritan Muka, ne krijuam një kolazh fotosh dhe Bios për 16 gra dhe vajza shqiptare që kanë influencuar në shekuj dhe vazhdojnë të influencojnë në botën shqiptare dhe botërore të artit, shkencës, drejtimit, arsimit, sportit, etj. Ja edhe emrat: Mbreteresha Teuta, Nene Tereza, Shote Galica, Dora D'Istria, Flora Brovina, Musine Kokalari, Nexhmije Zaimi, Laura Mersini-Houghton, Ermonela Jaho, Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Parashqevi Qiriazi, Sevasti Qiriazi, Eliza Dushku, Bleta "Bebe" Rexha.

Pavioni shqiptar prezantoi gjithashtu një stendë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në kuadrin e "Vitit të Skënderbeut", me libra, foto, buste, etj.  Gjithashtu, kostumet kombëtare, qilimat me motive të bukura shqiptare, kukullat me veshje tradicionale nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe "sofra shqiptare", i dhanë pavionit shqiptar veçantinë dhe bukurinë në krahasim me pavionet e vendeve të tjera.   

A mund t’i përmendni kontribuesit kryesorë?

Ardita Fishta: Kontribuesit kryesorë të këtij aktiviteti ishin anëtaret e mrekullueshëm të komunitetit shqiptar në Vancouver: Alma Tarelli, Altin Zeneli, Dritan Muka, Bujar Llapaj, Armenida Jolldashi, Sokol Vukaj, Betim Morina, Kije Gollopeni, Arben Gashi, Eglantina Cipllaka, Lazer Kulla, Elvira Beqo, Ardiana Zherka, etj qe na ndihmuan duke na dhënë artikuj të ndryshëm (libra, kostume popullore, punime artistike, albume, kukulla me veshje tradicional shqiptare, buste, etj) për t’i ekspozuar në Panair. Anëtarët e komunitetit: Dritan Muka, Baftjar Ymeri, Ken Westdorp, Altin Zeneli, Ardian Lagji, Edison Heba, Klodiana Kondo, Kije Gollopeni, Suzana Vukaj, Lazer Kulla, Arben Gashi, Armenida Jolldashi etj. u bënë mikpritës të vizitorëve të shumtë gjatë dy ditëve të Surrey Fusion Fest. Gjithashtu Ambasadori Shqiptar në Kanada Z. Ermal Muça na ndihmoi me disa materiale për turizmin në Shqipëri. Zonjat Armenida Jolldashi, Mirela Alikaj dhe Ardiana Zherka përfaqësuan Shqipërinë në paradën e flamujve. Gerta Heba, Arta Jolldashi, Armenida Jolldashi, Kije Gollopeni, Ben Meti, dhe Bujar Llapaj realizuan një koncert modest dhe dinjitoz që la mbresa tek shikuesit.

Cilat janë mbresat tuaja më të veçanta nga ky aktivitet? Me sa dimë, u nderuat dhe me vendin e tretë…

Ardita Fishta: Zënia e vendit të tretë për "Best dressed Pavillion" ndër 53 vendet pjesëmarrëse është një nder i madh për të gjithë ne dhe na bën të ndjehemi krenarë që përfaqësuam Shqipërinë në mënyrë dinjitoze në Surrey Fusion Fest. Vizitorët e shumtë dhe disa drejtues të pavioneve të tjerë na përgëzuan për faktin që pavioni shqiptar ishte një ekspozitë e mirëfilltë dhe e mrekullueshme e traditave dhe vlerave shqiptare. Vizitorët jo vetëm që shprehnin dëshirën për të ditur më shumë për historinë e vendit tonë, figurat historike, kulturore etj, por shumë prej tyre ndjeheshin të entuziazmuar kur merrnin vesh që Nënë Tereza është shqiptare nga origjina, apo shkrimtari Ismail Kadare është shqiptar, dhe kërkonin të dinin më shumë mbi këto figura dhe të tjera të ekspozuara në pavionin tonë. Gjithashtu kishte kërkesa për të njohur më shumë Shqipërinë turistike, etnografinë, traditat e kulturën, gatimet e zonës etj.

Të dyja ditët e Surrey Fusion Fest ishin shumë mbresëlënëse, megjithatë unë do të përmendja tre aspekte që ndihmuan shumë në marrjen e vendit të tretë në këtë festival.

-Komenti interesant dhe i përbashkët i vizitorëve ishte "pavioni shqiptar është një nga të vetmit që rrezaton e prezanton vetëm kulturë dhe është tepër i pasur me materiale fotografike, artefakte dhe shumë libra, në dallim nga pjesa më e madhe e pavioneve që janë përqëndruar tek shitja e ushqimeve apo punimeve tradicionale e artizanale të vendeve që përfaqësojnë".

-Në ditën e dytë të festivalit, pas përfundimit të programit artistik shqiptar, shumë anëtarë të komunitetit erdhën tek pavioni ynë dhe disa nga vajzat e reja filluan të kërcenin vallet tona të bukura shqiptare brenda dhe përpara tendës. Atmosfera e gëzueshme e valleve bëri që atyre tu bashkoheshin, krahas anëtarëve të pranishëm të komunitetit tonë edhe vizitorët e huaj. Nëse kishte vizitorë që nuk ishin futur në valle, ne i inkurajonim të vallezonin me ne duke u dhënë dorën dhe shpjeguar hapat dhe menjëherë ata bëheshin pjesë e larmishme e valleve tona.

Gjithashtu, gjatë dy ditëve të festivalit, Ken Westdorp, si një mikpritës karizmatik dhe me njohje të traditave shqiptare, i ftonte vizitorët e huaj të bëheshin "shqiptarë për një ditë". duke i inkurajuar të pozonin përpara flamurit shqiptar, me një shall të kuq rreth qafës dhe duke bërë shenjën e shqiponjës me duart e tyre.   Kjo krijoi një atmosferë shumë të gëzueshme dhe interaktive me vizitorët e shumtë. 

@FlasShqip.ca