Aktivitete

Toronto - RH Scholarship, organizata e të  rinjve që  mbështet ekselencën në eventin e saj të  radhës

 

Të shtunën, më 3 mars, në  një  nga sallat e “Rizzo Banquet Hall” në Toronto, është  zhvilluar eventi i radhës i RH Scholarship “Empowering the Albanian-Canadian Students to Excellence”. RH Scholarship, me bashkëthemelues Rej dhe Tea Haxhillari, është  një organizatë  jofitimprurëse e krijuar në  vitin 2013 që ka për mision, përmes akordimit të  bursave, mbështetjen dhe promovimin e ekselencës akademike në rradhët e nxënësve dhe studentëve të  rinj të komunitetit shqiptaro-kanadez. Deri tani bursa kanë përfituar 30 nxënës dhe studentë me rezultate të shkëlqyera.

Aktivitetet e RH Scholarship zhvillohen dy herë në vit, në mars dhe në nëntor. Aktiviteti i fillimvitit ka për synim mbledhjen e fondeve por edhe kremtimin e 7-8 marsit, ndërsa ai i nëntorit është eventi ku shpallen studentët fitues. Përzgjedhja e fituesve bëhet mbi bazën e disa kritereve të përcaktuara më parë nga një komision në perbërje të të cilit gjenden figura të nderuara të komunitetit, por edhe të rinj profesionistë të fushave të ndryshme. Vlen të përmendet prezenca e vazhdueshme e autoriteteve politike të  nivelit lokal, provincial e federal dhe e ambasadorëve të  Republikës së Shqipërisë  në  mbështetje dhe inkurajim të  iniciativës fisnike të grupit të të rinjve shqiptaro-kanadezë.   

Personalitete që kanë mbështetur RH Scholarship, kanë  qenë  ndër vite i ndjeri Rob Ford, kryetar i Bashkisë së Torontos, ish-Ministri i qeverisë  së Ontarios, Tony Ruprecht dhe deputetë  të  tjerë  të  legjislaturës provinciale, mes të  cileve më  aktivi mbetet Ivan Baker. Në 18 nëntor të vitit të kaluar, Kryeministri kanadez Justin Trudeau e përshëndeti gjithashtu përmes një letre zyrtare mbremjen vjetore të shpalljes së studentëve fitues, duke e vlerësuar iniciativën e RH Scholarship si “frymëzuese për gjeneratën e re të  liderëve komunitarë”. Në aktivitetet e RH Scholarship nuk mungojnë asnjëherë artistët shqiptarë të  kengës. Në  eventin e sivjetëm të  3 marsit, të  moderuar nga Tea Haxhillari dhe Magda Kajo, ishin të pranishëm për herë  te dytë  në Toronto, të mirënjohurit Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi, bashkë me të cilët interpretuan Vedat Ademi, Altin Xhepa dhe Erlind Erebara.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, përshëndeti të  pranishmit dhe vlerësoi RH Scholarship për arritjet dhe shembullin që  ofron ndaj brezit të ri të  komunitetit shqiptaro-kanadez.   

 

FlasShqip.ca