Aktivitete

Në Regina hidhet vallja kosovare

Për herë të dytë në Regina, Saskatchewan, është organizuar “Summer Bash”, aktiviteti më i madh i realizuar në ambient të hapur.

Ky aktivitet ka si qëllim grumbullimin e banorëve (kryesisht nga jugu i qytetit) të njihen me njëri-tjetrin, të njohin kulturat e njëri-tjetrit dhe të kthehet në aktivitetin më të dashur për fëmijët.

Komuniteti shqiptar në Regina, i përfaqësuar nga Shoqata “Iliria” me kryetar Lejdi Ago, mori përsipër organizimin e njërës prej shtyllave kryesore të Summer Bash e cila ishte “Cultural Village”.

Kështu u quajt skena ku do të performonin grupe nga komunitete të ndryshme në Regina me qëllim promovimin e kulturës dhe traditës së vendeve respektive. Afrika (Nigeria dhe Uganda), Shqipëria, India (me dy grupe), Irlanda, Japonia, Gjermania, Nepali dhe Skocia u bënë pjesë e organizimit në fjalë.

Disa vullnetarë nga komuniteti shqiptar ndihmuan organizimin dhe mbarëvajtjen jo vetëm të skenës së kulturës por të të gjithë aktivitetit. Ata ishin veshur me bluzat e fushatës “I’am Albanian, let’s grow together”.

Dy ambiente iu dedikuan bizneseve, një tjetër fëmijëve artistë. Fëmijët nga Shqipëria, të veshur me kostume popullore, performuan me këngën “Valle Kosovare” të Shpat Kasapi. Pasi fëmijët shqiptarë mbaruan, kënga e tyre është luajtur edhe disa herë të tjera duke bërë që pjesëmarrësit të kërcenin e madje edhe të mësonin hapat fillestarë të valles shqiptare.

Ndërkohë një fushë futbolli ka qenë në dispozicion të lodrave dhe garave për fëmijë. Nuk kanë munguar as ushqimet falas për të pranishmit në aktivitet, të cilët pavarësisht motit me shi qëndruan deri në fund të ditës.  

Para dhe gjatë organizimit të “Summer Bash” ka pasur shumë interes nga mediat vendase dhe grupi i shqiptarëve ka dhënë intervista për CBC Radio dhe SaskCulture, gjatë së cilave thelbi ishte promovimi i kulturës dhe traditave shqiptare si dhe sipërmarrja kaq e madhe e një komuniteti të vogël duke përcjellë edhe mesazhin: Ne duam të ecim duke dhënë shembullin tonë!