Aktivitete

Shqiptarët në Regina mirëpresin ambasadorin shqiptar

Ditët e fundit të shtatorit ishin mjaft aktive për shqiptarët e provincës së Saskatchewan-it. Ata, me shoqatën e tyre energjike “Iliria” organizuan disa takime të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë Ermal Muça dhe Sekretares së Parë Arlinda Dega, bujtës në Regina në datat 27 dhe 28 shtator. Sipas njoftimit të dërguar prej shoqatës “Iliria” në redaksinë e FlasShqip, kryetari i shoqatës së shqiptarëve të Saskatchewan-it Lejdi Ago bashkë me ambasadorin Muça kanë takuar së pari Kryetarin e Bashkisë z.Michel Fougere, të cilin e njohën me punën dhe synimet e Shoqatës “Iliria”, vullnetarizmin e anëtarëve duke theksuar promovimin e  vlerave dhe kulturës shqiptare, madje diskutuan edhe mundësinë e binjakëzimit të ndonjë qyteti shqiptar me Reginën. Z.Ago ftoi kryebashkiakun Fougere t’u bashkohet shqiptarëve në festën e Pavarësisë më 28 nëntor.

Kryetari i shoqatës së shqiptarëve të Saskatchewan-it Lejdi Ago bashkë me ambasadorin Muca me Kryetarin e Bashkisë Regina z.Michel Fougere
Kryetari i shoqatës së shqiptarëve të Saskatchewan-it Lejdi Ago bashkë me ambasadorin Muca me Kryetarin e Bashkisë Regina z.Michel Fougere

Takim tjetër i organizuar për vizitën e ambasadorit ka qenë edhe ai me sipërmarrësit shqiptarë në Regina. Dhe në fund, ashtu si dinë shqiptarët e diasporës të sajdisin përfaqësuesit e shtetit amë, ambasadorit i është rezervuar një pritje me recitime fëmijësh në shkollën shqipe.

Ndërsa Kryesia e shoqatës “Iliria” i dhuroi Ambasadorit bluzën e fushatës “I am albanian, let’s grow together”.

 Ish-kryetari i shoqatës “Iliria” Ajdin Kozmaqi duke i dhuruar bluzën ambasadorit Muça
Ish-kryetari i shoqatës “Iliria” Ajdin Kozmaqi duke i dhuruar bluzën ambasadorit Muça