Aktivitete

Jani Papadhimitri-Një jetë me muzikën!

Në 16 Tetor violinisti i shquar shqiptar Jani Papadhimitri festoi ditëlindjen.  Ishte ky gëzim i familjes që i nxiti për të planifikuar një aktivitet në nder të artistit, por edhe për t’i dhënë publikut shqiptaro-kanadez kënaqësinë e muzikës së zgjedhur.

Familja Papadhimitri me në krye Janin i janë përkushtuar muzikës duke arritur që edhe në Toronto të Kanadasë ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh të bëjnë po aq emër sa edhe në Shqipëri. 

Mjeshtër Papadhimitri ka qenë për një kohë të gjatë koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe më pas drejtor artistik i këtij institucioni deri në fund të viteve 80-të. Më pas emigroi në Greqi ku punoi si violinist në orkestrat më kryesore të vendit fqinj deri në momentin e emigrimit në Kanada. Në Greqi themeloi së bashku me vajzat edhe “Trio Fammus”.

Për të kurorëzuar periudhën e një jete të dedikuar muzikës, në 17 Nëntor familja Papadhimitri organizon koncertin “Një jetë me muzikën”

Do të jetë një mbrëmje e paharruar për të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë koncert ku do të interpretohen krijime të vetë Jani Papadhimitrit, për violinë dhe piano por edhe nga autorë të tjerë si nga Pjetër Gaci, Paganini, Wieniawski etj, të përzgjedhura prej artistit të shquar, i cili do të shoqërohet në piano nga e bija Sofia.

 

©FlasShqip