Aktivitete

Shoqata Shqiptaro-Kanadeze Toronto nderon dy shkrimtaret Sanije Gashi dhe Eglantina Mandia

Ministrja e Imigracionit e Ontarios, Laura Albanese, përshëndet aktivitetin

Shoqata Shqiptaro-Kanadeze Toronto, përmes një komunikimi në faqen e saj në rrjetin social Facebook, ka raportuar për organizimin në datën 6 maj 2018 të një aktiviteti mbi krijimtarinë e gazetares së shquar dhe publicistes nga Kosova, Sanije Gashi, dhe të shkrimtares së njohur nga Tirana, Eglantina Mandia, aktualisht me banim në Windsor, Ontario.

Aktivitetin e kanë nderuar me prezencën e tyre, Laura Albanese, Ministre e Imigracionit e Ontarios si dhe Sekretarja e Parë e Ambasadës së Kosovës në Kanada, Blerta Ademi.

Në hyrje, e ka marrë fjalën Kryetarja e nderit e shoqatës, Ruki Kondaj, e cila ka vlërësuar krijimtarinë e Sanije Gashit dhe Eglantina Mandisë për vlerat e spikatura artistike dhe mesazhet që përcjell tek lexuesi.

Më pas ka përshendetur pjesëmarrësit edhe Ministrja Albanese, e cila ndër të tjera ka kujtuar vitin 1999, kohën e Luftës së Kosovës, kur ajo vetë ka qenë gazetare e OMNI 1 dhe shpesh ka raportuar për atë periudhë dramatike. Laura Albanese e ka vlerësuar librin e Sanije Gashit mbi krimet serbe në Kosovë në periudhën 1998-1999 si një testament me shumë vlera.

Gjatë takimit, përmes dy prezantimeve të detajuara, është paraqitur edhe historiku i karrierës dhe krijimtarisë së Sanije Gashit, ndër të parat gazetare në Kosovë, si dhe mësueses dhe shkrimtares Eglantina Mandia, një zë i spikatur prej vitesh në listën e prozatoreve shqiptare. Nga publikimet e fundit të saj mund të përmenden “Fytyra e dashurisë” dhe “Lamtumira e mjellmës”.

@FlasShqip.ca