Shtyhet afati i dorëzimit të kandidaturave për në Këshillin e Diasporës
Meqënëse afati i dorëzimit të propozimeve të kandidaturave për në Këshillin Koordinativ Kombëtar përfundoi më 31 korrik, Flasshqip u interesua pranë Ambasadës shqiptare në Ottawa për t’u njohur me emrat e propozuar. Do donim në fakt, që para se Ministri i Diasporës Majko të përzgjidhte mes tyre, të pasqyronim paraprakisht për lexuesit tanë historikun e jetës profesionale e komunitare të kandidatëve.
Ambasada, përmes përgjigjes në kohë dhe transparente na vuri në dijeni se vlerësonte të nevojshëm vijimin e procesit të konsultimit për përzgjedhjen e kandidaturave për KKD. Ajo u ka dërguar njoftimin e mëposhtëm organizatave të diasporës për vijimin e këtij konsultimi.
“Të nderuar/a zonja e zotërinj, drejtues të organizatave të diasporës,
Në vijim të komunikimit të deritanishëm dhe të procesit intensiv të konsultimit për përzgjedhjen e kandidaturave nga Kanadaja për Këshillin Koordinues të Diasporës:
-duke vlerësuar angazhimin serioz dhe tejet konstruktiv të deritanishëm të organizatave të diasporës në këtë proces;
-duke konstatuar me kënaqësi interesin e treguar nga bashkëatdhetarët tanë dhe gatishmërinë për të ofruar kontribut;
-duke vlerësuar kapacitetet e shumta ndër radhët e diasporës sonë në Kanada dhe me gjithë vullnetin e mirë për të realizuar përftimin e një liste sa më gjithpërfshirëse dhe të larmishme kandidaturash,
ju bëjmë me dije se Ambasada do të vijojë të mirëpresë përcjelljen e propozimeve për më shumë se nga një kandidaturë, nga secila prej organizatave të interesuara të diasporës, të regjistruara në vendin pritës dhe të angazhuara në proces. Për të mundësuar përpunimin në kohë të dokumentacionit nga ana jonë dhe proceduar brenda afateve të duhura kohore, mirëpresim vijimin e përcjelljes së këtyre kandidaturave pranë Përfaqësisë sonë brenda datës 15 gusht 2018.
Risjellim në vëmendje se kandidaturat duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara në Ligjin nr.16, datë 05.04.2018 dhe VKM nr. 340, datë 06.06.2018, përcjellë më parë nga ana jonë. Sigurisht që disponibiliteti i kandidaturave është thelbësor. Me këtë rast, rikujtojmë se sipas VKM të sipërcituar duhet që krahas jetëshkrimit të përcillen edhe dokumente, kualifikime dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së përfaqësuesit të propozuar.
Me besimin se ky proces konsultimi, ku angazhimi ynë i përbashkët është shumë i rëndësishëm, do të reflektojë përpjekjet për një listë sa më të arrirë kandidaturash, ju falenderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin!”
Nga ana e Flasshqip, ky proces do të ndiqet hap pas hapi siç edhe e kemi bërë që në fillim.