Njoftime

Calgary: Një kolonele kosovare nderohet me çmim ndërkombëtar

Kolonele Taibe Canolli-Brajshori është nderuar në Konferencën e Shoqatës Ndërkombetare të Grave Police IAWP 2018 në Calgary, Kanada me çmimin ndërkombëtar të lidershipit për gratë police. Kolonele Canolli është njëkohësisht themeluese e Shoqatës së Grave Police të Kosovës (SHGPK). SHGKP është e para në rajon që është pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Grave Police IAWP dhe Rrjetit Europian të Grave Police.

Kolonele Canolli është nderuar më këtë çmim prestigjoz, për arritjet e saj të shkëlqyera dhe kontributin e vazhdueshëm në Policinë e Kosovës si dhe lidershipin rajonal të shfaqur për rolin e saj si themeluese e SHGPK. Në fjalën e saj përshëndetëse znj.Canolli falenderoi IAWP dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e pakursyer ndaj Policisë së Kosovës dhe sidomos të grave police.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada shpreh falenderimin ndaj Kanadasë për mbështetjen e vazhdueshme për themelimin dhe ngritjen e kapaciteteve brenda policisë së Kosovës.