Historitë e grave kosovare trondisin parlamentin kanadez
“Në Parlamentin Kanadez kanë kumbuar zërat e 20 000 grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”- kështu nis postimin e saj në Facebook, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa Kanada.
Bëhet fjalë për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, prezantuar nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga përpara nën/Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentit Kanadez.
Në fjalën e saj ish-Presidentja Jahjaga prezantoi dhe çështjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, të Drejtat e Komuniteteve dhe Grupeve të Margjinalizuara. Ish-Presidentja theksoi se si Kushtetuta e Republikës së Kosovës është një ndër më modernet në rajon, jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, por dhe grupeve të margjinalizuara.
Ndërkohë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada z.Lulzim Hiseni në fjalën e tij përpara këtij Komisioni tregoi për progresin që është bërë në Kosovë për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht njoftoi Parlamentin Kanadez për Personat e Pagjetur për të cilët Serbia nuk po bashkëpunon me autoritetet përkatëse, si dhe për fushatën e fundit të Serbisë për të dekurajuar Serbët në Kosovë për të mos i’u bashkuar Forcës së Sigurisë.
Në kuadër të takimeve në Parlamentin Kanadez, ish-Presidentja e Kosovës Jahjaga u takua gjithashtu me kryesuesen e Grupit të Grave Deputete të Parlamentit të Kanadasë znj. Iqra Khalid, ku ndër të tjera znj. Jahjaga kërkoi ndihmën e saj, por dhe të gjithë grave deputete të Parlamentit Kanadez që të bëhen një zë i fortë për të njohur ndërkombëtarisht dhunën seksuale si mjet lufte të ushtruar ndaj 20000 grave në Kosovë. Ajo u takua dhe me Sekretarin Parlamentar të Ministrisë për Statusin e Grave z.Terry Duguit, i cili u zotua personalisht që do ta ndihmonte znj.Jahjaga në kauzën e saj për të njohur ndërkombëtarisht dhunën seksuale të ushtruar ndaj grave në Kosovë si mjet lufte. Sekretari Parlamentar i Ministrisë për Statusin e Grave gjithashtu tregoi interes të veçantë lidhur me rolin e gruas dhe çështjen e të drejtave të grave në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit në projekte të ndryshme që lidhen me çështjen e të drejtave të grave.
Në ambientet e Parlamentit kanadez, Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Grupin e Miqësisë Parlamentare Kanada-Kosovë, organizuan gjithashtu shfaqjen e filmit dokumentar “Mendoj për Ty” një projekt në qendër të të cilit janë historitë e shumta të dhimbjes së mijëra grave në të gjithë Kosovën.
Ky aktivitet mblodhi së bashku, Kryetaren e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kosovë-Kanada deputeten znj. Anita Vandenbeld, Drejtoreshën e Rajonit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Kanadeze znj.Alison Grant, trupin diplomatik, gazetarë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe anëtarët e komunitetit të diasporës. Në fjalën e tij Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada z.Lulzim Hiseni, falenderoi Kanadanë për mbështetjen e pakursyer dhe ftoi të gjithë të pranishmit ti bashkohen kësaj kauze dhe të ndihmojnë gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë të shpërblehen më në fund me drejtësi.