Njoftime

Nuk llogaritet diaspora shqiptaro-kanadeze!

Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, ka publikuar për herë të parë një studim konkret mbi Diasporën të titulluar “Diaspora e Shqipërisë në shifra”,-kështu njofton në Facebook Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.

Sipas njoftimit, ky studim është kryer mbi bazë të vlerësimeve të tërthorta të realizuara gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave numri i shqiptarëve në Diasporën e re llogaritet të jetë rreth 1.6 milionë, e thënë ndryshe 36 % e shtetasve shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë.

Ky publikim kryhet në kuadër të Strategjisë Kombëtarë për Diasporën. Qëllimi i tij është vlerësimi i numrit të Diasporës shqiptare dhe profilin e saj mbi karakteristikat bazë demografike dhe sociale-thuhet në njoftim.

FlasShqip e shfletoi studimin dhe vërejti që diaspora shqiptaro-kanadeze nuk është llogaritur. Ajo thjesht është përmendur por nuk ka asnjë pasqyrë statistikore.

Sipas metodologjisë që ka përdorur INSTAT, të dhënat janë bazuar në rregjistrat e gjendjes civile, që do të thotë se ky studim ka mangësi të mëdha. Duket se nuk ka patur një bashkëpunim mes institucioneve, se po të ishte treguar më tepër interes për saktësinë e studimit, vlerësimi nuk do të ishte kaq i pjesshëm.  

Ja për shembull, duke ditur që Ministri i Diasporës Majko ka vizituar shqiptarët e Kanadasë gjatë vitit 2018, dhe ka kryer takime me përfaqësues të provincave të ndryshme ku jetojnë e punojnë shqiptarë, me përfaqësues shoqatash të shumtë që veprojnë në Kanada, do duhej të kishte siguruar ca të dhëna të sakta nga këto takime. Por ja që nuk paska ndodhur! Dhe as bashkëpunim për hir të punës reale mes institucioneve nuk paska.

Ama kur vjen rasti te prezantimet e studimeve, vrapojnë të parët për të marrë mikrofonin apo flamurin e nismëtarit. Për momentin, neve nuk na mbetet veç t’i këndojmë këngën qeverisë shqiptare “Na llogaritni edhe ne”!

Në link-un e mëposhtëm mund të lexoni publikimin e plotë: http://www.instat.gov.al/…/diaspora-e-shqip%C3%ABris%C3%AB…/

 

©FlasShqip