Vangjush Ziko vjen me librin e ri ‘Përsiatje’
Vangjush Ziko është shkrimtar shumë dimensional me mjaft libra të publikuar, prozë, përkthime, drama, poezi, skenarë filmash, studime e kritika. Ai është një figurë e rëndësishme e krijuesve shqiptaro-kanadezë, i cili ka lënë gjurmë në historinë e letrave shqipe përmes lëvrimit të gjinive e llojeve të ndryshme të artit të fjalës.
Në portalin FlasShqip, shkrimtari Vangjush Ziko është i pranishëm rregullisht kryesisht me lirikat e tij. Por angazhimi intelektual i Zikos është për t’u admiruar. Së fundi ai ka publikuar librin e tij “Përsiatje” një përmbledhje me studime, esse dhe kritika.
Vetë shkrimtari e shpjegon kështu veprën e tij më të fundit:
“Sendërtimi i një libri nuk është i lehtë. E vështirë është edhe gjetja e emrit të tij.
Për një libër që përmbledh mbresat dhe opinionin tënd, gjykimin tënd për librat që ti ke lexuar, libra artistikë apo filozofikë, historikë apo biblikë, studime dhe leksione të ndryshme mbi historinë e artit dhe të letërsisë, mbi stilin dhe filozofinë e krijimit të autorëve botërorë, për libra të autorëve të tu të preferuar apo të kolegëve të tu, për traditat historike, qytetare, patriotike, kulturore, folklorike, artistike të qytetit tënd të jetës dhe të vendeve të origjinës tënde gjenealogjike familjare qenka shumë vështirë të gjesh një titull që t'i përmbledhë të tërë dhe të tëra në një emër. Mund të përcaktosh lehtësisht emërtimin e formës, llojit apo gjinisë letrare që ke zgjedhur për t'i shprehur mendimet e veta: studime, ese, meditime, opinione, analiza letrare, komente.
Një libër i tillë përmbledh procesin tënd të njohjes dhe të të menduarit, të përqëndrimit dhe angazhimit tënd për vlerësimin e një përvoje komplekse krijuese dhe estetike botërore, të një tradite të vyer dhe aq të rëndësishme për formimin tënd shpirtëror dhe krijues, me të cilën ti je ushqyer dhe rritur, je bërë i aftë të gjesh rrugën tënde në jetë dhe të ecësh i sigurt më tej në shtegun e krijimtarisë tënde, t'u japësh përgjigje pyetjeve dhe mëdyshjeve të tua dhe të ndash me lexuesit e tu këtë përvojë vetjake, duke shpresuar se u ke thënë diçka që u ka vlejtur edhe të tjerëve.
Të gjitha këto i përmblodha në një fjalë të vetme PËRSIATJE, veprim që lidhet me të menduarit gjatë për të gjetur shkaqet dhe arsyet, për të zbuluar një të vërtetë, për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje apo një mëdyshjeje, për të arritur në një përfundim vetjak”.
Këtë libër mund ta porositni online në faqen:
http://www.lulu.com/shop/vangjush-ziko/përsiatje/paperback/product-23980493.html