Njoftime

Toronto-Koncert bamirësie në mbështetje të emisionit 'Shqiptarët për Shqiptarët'

Një koncert bamirësie në ndihmë të shqiptarëve në nevojë do të mbledhë në një skenë artistët shqiptaro-kanadezë dhe në publik bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në Kanada.

Organizatorët e këtij aktiviteti madhështor në përmasa por edhe në qëllim, producentja Lindita Meço dhe regjisori Ervin Meço janë frymëzuar prej emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” të teologut dhe humanistit Elvis Naçi dhe artistit Sidrit Bejleri, i cili transmetohet në Televizionin News24.  

Ata kanë përzgjedhur një dyshe simpatike si prezantues të eventit me skenar nga Inis Jorgo, aktorin Xhemi Agaj dhe aktoren e këngëtaren Ana Golja.

Duhet thënë që ftesës së organizatorëve u janë përgjigjur një numër i madh artistësh shqiptaro-kanadezë, të njohur e me përvojë si violinisti Jani Papadhimitri me dy vajzat e tij, Sofia dhe Livia, pianisti Rudin Lengo, muzikantët Qazim Kallushi dhe Entela Galanxhi, violonçelisti Granit Kamberi, violinisti Shkëlqim Tafaj, këngëtaret Tringa Rexhepi dhe Xhoi Bejko, valltarja Liliana Cingi,  muzikantet Marjeta Cako, Rudina Delia, aktori Gent Bejko si dhe grupi i fëmijëve koristë e valltarë. Koncerti do të transmetohet nga “Pasqyra Shqiptare” si sponsor mediatik i eventit.

Prenotimet kanë filluar. Një biletë e blerë 50 $ në Toronto mund të ketë vlerë shumë më të madhe për dikë në Shqipëri.

Prandaj çdokush mund të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në koncertin “Tinguj për vendin tim” më datë 28 Prill, ora 18:00 në Forest hill C.I, Eglinton Ave W.

 ©FlasShqip