Njoftime

Deklaratë e Anëtarëve të Këshillit Koordinativ të Diasporës shqiptaro-kanadeze

Të dashur bashkëatdhetarë në Kanada,

Më datë 05.04.2019, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe Vendimit 340, datë 06.06.2018 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës “, me propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën vendosi:

Dy përfaqësuesit e mëposhtëm të propozuar nga shoqatat shqiptaro-kanadeze dhe të votuar si 2 nga 19 kanditaturat dinjitoze për të përfaqësuar diasporën e Kanadasë, në Këshillin Koordinues të Diasporës (KKD):

- Znj. Adriana Fishta-Bejko 
– Z. Ardian Radovicka

Ky Këshill në bazë të Strategjisë Kombëtare të Diasporës do të formalizojë një marrëdhënie të re të shtetit me diasporën. KKD do të jetë një strukturë ndër-institucionale për angazhimin e diasporës dhe emigrantëve dhe do të drejtojë procesin e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Si përfaqësuesit tuaj, të dy ne ofrojmë sa më poshtë:

  • Integritet të lartë personal dhe profesional; 
  • Dashuri dhe respekt për të gjithë anëtarët e komunitetit; 
  • Dëshirë të mirë për të kontribuar për ruajtjen dhe promovimin e kulturës kombëtare në komunitetin shqiptaro-kanadez 
  • Pavarësi të mendimit, neutralitet politik dhe detyrim për të kontribuar në sherbim të Kombit; 
  • Transparencë mbi aktivitetin tonë.

Bazuar në sa më sipër, ne të dy angazhohemi të bashkëpunojmë ngushtësisht me të gjitha shoqatat, institucionet, komunitetet fetare dhe mediat shqiptare që operojnë në Kanada. Ne si popull kemi mjaft shembuj të vyer nga historia që duhet të na frymëzojnë në punën tonë. Mjafton të kujtojmë Shenjtoren Nënë Tereza për shprehjen e saj lapidare "Të duash, do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Këtu do të bazohen dhe dy mandatet tona,-kohezioni i komunitetit dhe realizimi gjërave të vogla me dashuri të madhe në dobi të bashkëatdhetarëve tanë në Kanada. Dëshirën për të shërbyer e kemi të madhe, punë kemi shumë, nevojat e diasporës janë të shumta, por ne besojmë tek forca e komunitetit shqiptar në Kanada, besojmë tek puna në ekip me mirëkuptim, transparencë dhe përkushtim. Kemi shumë besim se do të kemi ndihmën tuaj me mendime, këshilla, vërejtje dhe propozime konkrete për zgjidhje.

Ju faleminderit për besimin!

Me respekt,

Dr. Adriana Fishta-Bejko dhe Ardian Radovicka, M.A.Sc, P.Eng.

Shënim i FlasShqip: Procesi i propozimit të kandidatëve të diasporës shqiptaro-kanadeze për në Këshillin Koordinativ të Diasporës ishte ndër më transparentët. Fillimisht nisi me dyer apo e-maile të mbyllura, por më pas me insistimin e FlasShqip për transparencë dhe konkurim të gjerë mes përfaqësuesish nga çdo organizatë që vepron në Kanada, u arrit të propozoheshin jo 2 por 19 kandidatë të votuar prej organizatave të ndryshme si përfaqësuesit e tyre për në Këshill. Duhet theksuar se Ambasada shqiptare në Ottawa tregoi neutralitet dhe arriti të përmbushë rolin e saj për organizimin e mbledhjes së jetëshkrimeve e dërgimin e kandidatëve të propozuar për në Ministrinë e Diasporës me korrektesë. Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KKD i mori një vit kohë Ministrit Majko, derisa më 5 prill ai shpalli 15 anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës. Për herë të parë u vërejt se pati meritokraci meqënëse shumica e anëtarëve të përzgjedhur ishin personalitete me integritet, profesionistë dhe pa histori partish politike, siç ishte dhe rasti i anëtarëve të diasporës shqiptaro-kanadeze, të cilët u votuan dyfish për të qenë të tillë, njëherë prej organizatave që i propozuan dhe së dyti nga komisioni i ngritur prej Ministrit të Shtetit për Diasporën për përzgjedhjen e 15 anëtarëve të KKD. Urime Dr. Adriana Fishta-Bejko dhe Ing.Ardian Radovicka!