Njoftime

Regina Saskatchewan - Së shpejti një rrugë me emrin ‘Zeka’, në nderim të kujtimit të një familjeje shqiptare

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e rrjetit social Facebook të Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Regina të provincës Saskatchewan, së shpejti në këtë qytet një rrugë do të quhet “Rruga Zeka”.

Pas propozimit drejtuar Bashkisë nga shoqata, ka ardhur edhe njoftimi për aprovimin nga ana e instancës përkatëse të qytetit, Këshillit për emërtimet, njoftim i cili do të pasohet edhe me një letër zyrtare urimi drejtuar komunitetit shqiptar nga ana e kryebashkiakut Michael Fougere.

Ky është një sukses shumë domethënës i Shoqatës “Iliria”, sukses për të cilin meritojnë të përgëzohen drejtuesi i mëparshëm i saj Lejdi Ago si dhe kryetari aktual Ajdin Kozmaqi, sëbashku me gjithë kryesinë dhe anëtarët. Pas Ottawa, ku një rrugë do të emërtohet “Parasol Kosovo”, ky është rasti i dytë në Kanada, që një arterie qyteti do ketë një emër që lidhet me komunitetin shqiptar.

Po cila është historia që u bë pikënisje për këtë arritje vërtetë të lavdërueshme? Emri Zeka lidhet me dy emigrantë shqiptarë që nuk jetojnë më, bashkëshortët Linda dhe Arben Zeka, të cilët emigruan në Kanada në kohën e Luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe u vendosën në Regina, kryeqendrën e provincës së Saskatchewan-it. Arbeni ka qenë përkthyesi i parë i gjuhës angleze për komunitetin shqiptar në Regina dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh jo vetëm për integrimin e bshkëkombasve të tij atje por edhe për gjallërimin e jetës komunitare me angazhimin e tij sidomos në aktivitete sportive duke arritur te liçensohet edhe si trajner tenisi.

Bashkëshortët Zeka, fatkeqësisht humbën jetën më 21 Nëntor 2002, kur flakët mbuluan banesën e tyre. Në mes flakëve, ata mundën të shpëtojnë dy fëmijët, Nolin dhe Hanën, bashkë me nënën Bademe duke sakrifikuar veten e tyre në mënyrën më sublime.

Ata kujtohen sot me shumë respekt jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga qytetarë të shumtë kanadezë të Regina-s që i patën njohur. Kontributi i rëndësishëm i tyre në komunitet dhe respekti për kujtimin e tyre të paharruar kanë qenë pikërisht arsyet që autoritetet e Bashkisë, kryeqendër e Saskatchewan të miratojnë vënien e emrit të një rruge në qytet “Rruga Zeka”.

Kjo ngjarje e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Regina-s, por të të gjithë Kanadasë, vjen pikërisht në vitin kur përkujtohet 20-vjetori i ardhjes këtu të refugjatëve nga Lufta e Kosovës të cilët mori përsipër t’i strehojë me bujari Qeveria dhe shteti kanadez. “Rruga Zeka” në Regina është një dëshmi e prekshme se sa shumë kanë arritur të integrohen në Kanada shqiptarët, një dëshmi e prekshme se si Kanadaja multikulturale di t’i integrojë kulturat dhe t’i respektojë gjithë komunitetet. Përgëzime Shoqata “Iliria” Saskatchewan. Falemnderit Bashkia Regina për vendimin që morët. I përjetshëm kujtimi i bashkëshortëve Zeka!

©Flashqip.ca