Njoftime

Presidenti dekreton Ligjin për Diasporën

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka njoftuar zyrtarisht sot se këtej e tutje, “marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën, do të jetë e sanksionuar me një ligj të posaçëm. Pas miratimit në kuvend, presidenti Ilir Meta dekretoi Ligjin ‘Për Diasporën”, i cili mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, për pjesëmarrje më aktive në zhvillimet e vendit amë”. 

Ligji “Për Diasporën”, ndër të tjera, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën, krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të diasporës. 

Në bazë të këtij ligji, organet përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë:  

-Keshilli i Ministrave, i cili përcakton politikat e vendit të origjinës për diasporën dhe mënyrat e politikat për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit shqiptar.

-Ministri përgjegjës për Diasporën, i cili ndër të tjera, propozon nxjerrjen e akteve rregulluese dhe masa të tjera të nevojëshme për marrëdhënien me diasporën, mbikqyr zbatimin e Strategjisë për Diasporën, bashkëpunon me Ministritë e Kulturës dhe Punëve të Jashtme për ngritjen e qendrave kulturore etj.

-Agjencia Kombëtare e Diasporës, e cila ka për qëllim angazhimin e strukturave shtetërore për informimin dhe mbështetjen e diasporës, mbështetjen dhe organizimin e një bazë të të dhënave funksionale për diasporën, marrjen e masave koordinuese për realizimin e të drejtës së votës së diasporës me nënshtetësi shqiptare në zgjedhje, inkurajimin e investimeve, koordinimin e programeve për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare etj.

 -Qendrat kulturore për Diasporën, që do të krijohen për ruajtjen e kultivimin e identitetit kombtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet shqiptare.

Një organizëm i rëndësishëm që do të merret më përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve më diasporën është Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do te përbëhet nga 15 anëtarë, përfaqësues të diasporës. Pjesë e tij do të jenë gjithashtu Kryeministri, Presidenti e Ministrat më të rëndësishëm.

“Shqyrtimi dhe miratimi i një ligji të posaçëm për diasporën, konfirmon vullnetin e Qeverisë shqiptare dhe Shtetit shqiptar për të konkretizuar një lidhje më të fuqishme institucionale ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës”, - përfundon komunikata e Ministrit Majko, e publikuar sot në Website-in e Këshillit të Ministrave.