Profil & Intervista

Ramazan Këllezi: Vetëm sëbashku mund të realizojmë projekte të mëdha

Bisedë me Kryetarin e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze Toronto, Ramazan Këllezi

Nga Taulant Dedja

Flasshqip.ca u ndal sot të bisedojë më kryetarin e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze të Torontos, metropolit ekonomik të Kanadasë dhe Ontarios, qytetit ku jeton dhe shumica e komunitetit shqiptaro-kanadez.

Ramazan Këllezi ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një prej familjeve më të vjetra të kryeqytetit. Ai ka mbaruar Akademine e Arteve të Bukura në Katedrën e Regji-Koreografisë, ku dhe është diplomuar me titullin “Koreograf” në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera. Ka kryer specializime në Itali e Kanada per kercimin historik dhe plastikë. Ka punuar për 8 vjet si drejtor i Shkollës Kombëtare të Baletit në Tiranë si dhe Drejtor i Pallatit të Kulturës Studenti deri në vitin 2000. Më pas emigron në Kanada me një periudhë shkëputjeje prej tre vitesh (2007-2010), kur kreu detyrën e konsullit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali.  

Kontaktet e tij të para me Shoqaten në Toronto i përkasin vitit 2011, vit në të cilin krijon grupin e mirënjohur të valleve “Shqiponjat e Vogla”. Nga ajo kohë e në vazhdim, ai është zgjedhur në bordin drejtues të shoqates, duke kryer fillimisht detyrën e zëdhënësit, zv. kryetarit dhe prej 3 vitesh atë të kryetarit. Aktualisht punon si Property Manager pranë kompanisë së njohur DEL Property Management në Toronto. Ramazani jeton këtu me bashkëshorten e tij Ledia, mësuese pranë Toronto District School Board. Ata janë prindër të lumtur të 5 fëmijëvë, Uarda, vajza e madhe, studente në vitin e tretë në degën e arkitekturës pranë Waterloo University, Dion, i cili punon për AUDI, Geri gjithashtu student si dhe dy binjaket Artes dhe Amber, nxënëse të vitit të tretë në shkollën e mesme.

Si kryetar aktual i SHBSHK a mund ta pëshkruani shkurtimisht historikun e shoqatës që drejtoni? Si ka evoluar aktiviteti i saj në raport me valët e imigrimit të shqiptarëve, kur kemi parasysh që në Toronto është edhe përqëndrimi më i madh i tyre?

Ramazan Këllezi: Gushti i vitit 1989 shënon muajin e themelimit të kësaj shoqate jetëgjatë, ndërsa regjistrimi zyrtar tek autoritetet kanadeze u bë në datën 4 Nëntor 1990, që do të thotë se këtë vit shoqata feston vitin e 28-të të themelimit të saj. Kryetari i parë i kësaj shoqate Z. Murat Hashani është edhe sot prezent në shoqatë si anëtar i Këshillit të Nderit. Fakti që kjo shoqatë ka funksionuar për kaq shumë vite, flet qartë për punën e palodhur vullnetare që është bërë nga grupi nismëtar por edhe grupet e tjera drejtuese në vite për realizimin e misionit që kjo shoqatë i ka vënë vetes në interes të të gjithë bashkatdhetarëve me banim në Kanada. Ajo që vlen të theksohet dhe që është çelësi i jetëgjatësisë dhe suksesit të saj, është fakti se në Bordin Drejtues, Këshillin e Nderit dhe anëtarësinë e saj, përfaqësohen denjësisht shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë.

Pak fjalë për misionin por edhe për rregullat e anëtarësimit, mënyrën e organizimit dhe funksionimit të brendshëm etj.

Ramazan Këllezi: SHBSHK Toronto është një organizatë jo-fitimprurëse që synon të ofrojë një zë të bashkësisë shqiptare në Ontario, duke ndihmuar në zhvillimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë shqiptare në këtë provincë. Shoqata vepron pa ndarje fetare, politike apo krahinore për të ruajtur frymën kombëtare shqiptare në Kanada. Ajo e kryen këtë nëpërmjet kultivimit të vlerave, kulturës, traditës kombëtare dhe gjuhës shqipe, si dhe ofrimit të shërbimeve të shumëllojshme për grupmoshat e ndryshme në bashkësinë shqiptare. SHBSHK përpiqet me përkushtim për një përfshirje të nderuar të bashkësisë shqiptare në shoqërinë kanadeze, rritjen e vlerave dhe emrit të shqiptarëve në Kanada, përfaqësimit sa më të plotë të tyre në struktura të ndryshme shtetërore e shoqërore si të barabartë mes gjithë kombësive të tjera në përbërje të shoqërisë shumë-kulturore kanadeze.

Anëtarësimi në shoqatë mund të bëhet për familje, individë, pensionistë si dhe studentë (të cilët regjistrohen falas). Për çdo kategori ka një tarifë të miratur nga bordi. Ky anëtarësim përsëritet çdo vit me dëshirën e vullnetin e lirë të kujtdo. Shoqata funksionon mbi bazën e një statuti të votuar i cili respektohet me rigorozitet, çdo dy vite bëhen zgjedhjet e bordit të ri në prani të të gjithë anëtarëve, të cilëve u raportohet për punën dy vjeçare, arritjet, gjendjen financiare si dhe detyrat për të ardhmen. Çdo aktivitet miratohet dhe votohet në mbledhjet e bordit të cilat mbahen sipas përcaktimit në statutin e shoqatës.

Prej më shumë se dy vitesh në drejtimin e shoqatës, duke veçuar miratimin nga Parlamenti i Ontarios të Ligjit për shpalljen e muajit Nëntor si muaji i trashëgimisë kulturore shqiptare, cili do të ishte bilanci i arritjeve të SHBSHK gjatë kësaj periudhe?

Ramazan Këllezi: Pyetje interesante. Është e vërtetë që githçka u bë realitet në këtë periudhë në të cilën unë po drejtoj shoqatën, shpallja e muajit Nëntor Muaji i Trashëgimisë së Shqiptarëve në Ontario, një fitore e merituar e shoqatës sonë. Një tjetër arritje e pakontestueshme e shoqatës në ruajtjen e kulturës dhe traditave tona është padyshim atashimi pranë kësaj shoqate i grupit të valleve “Shqiponjat e Vogla”, krijuar e drejtuar nga unë që prej vitit 2011, grup i cili ka luajtur një rol të veçantë në përfaqësimin e shoqatës në shumë aktivitete brenda dhe jashtë Kanadasë, me interpretimin me nivel të lartë të valleve tona popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.  Gjithashtu një aktivitet që ia ka rritur vlerat dhe prestigjin shoqatës, është aktiviteti që është zhvilluar në “Air Canada Center” në një bashkëpunim të frytshëm ndërmjet meje dhe Z. Bujar Zejnullahu, ku “Shqiponjat e Vogla” kanë interpretuar valle shqiptare në praninë e 26 mijë spektatorëve në sallë, interpretim i ndjekur edhe nga mijra të tjerë në TV.

Çdo aktivitet i miratuar në kalendarin vjetor ka qenë një sukses më vete i kësaj shoqate siç janë: Festa kombëtare e shqiptarëve dhe ajo e pavarësisë së Kosovës, organizimet për festimin e Muajit të Trashëgimisë, pikniku veror, pritje të personaliteteve të niveleve të larta, aktiviteti i realizuar për nder të Vitit të Skënderbeut, me të cilin hapëm siparin e veprimtarisë këtë vit.

Para disa muajsh u publikua iniciativa madhore e SHBSHK për ngritjen e një qendre komunitare apo kulturore me emrin Shtëpia e Shqiptarit në Toronto. Si po ecën kjo iniciative? A ka tashmë një projekt konkret të detajuar dhe me faza zbatimi të programuara?

Ramazan Këllezi: Po është e vërtetë që në datën 1 Tetor 2017 shoqata organizoi një mbrëmje Gala ku për të parën herë shpalli idenë e këtij projekti të madh i cili u prit dhe u mbështet mjaft mirë nga të pranishmit. Ky projekt parashikohet të realizohet nga një grup pune që funksionon pranë shoqatës i drejtuar vullnetarisht nga Dr. Alban Merepeza. Natyrisht ky është një projekt i madh që kërkon kohë dhe shumë angazhim për të cilën grupi i punës mblidhet rregullisht mbi bazën e një programi të detajuar për sigurimin e fondeve, gjetjen e truallit të ndërtimit si dhe ecurinë e punimeve në të ardhmen. Gjithashtu po punohet për përgatitjen e dokumentave ligjore nga avokati ynë Z. Gjergji Vani.

Janë mbi dhjetë shoqata shqiptare të organizuara tashmë në gjithë Kanadanë. A keni vendosur bashkëpunim të drejpërdrejtë me to? Ndërkohë është hedhur dhe ideja për krijimin e një forumi të përbashkët bashkëpunimi në rang Kanadaje që mund të quhej “Kongresi shqiptaro-kanadez” (nën shembullin edhe të komuniteteve të tjera). Si e vlerësoni këtë propozim? A mendoni që me një organizëm të tillë mund të lobohet më mirë përballë autoriteteve kanadeze?

Ramazan Këllezi: Ideja e një forumi të përbashkët më duket shumë pozitive dhe unë e mbështes atë plotësisht. Përmes bashkëpunimit mund të realizojmë jo vetëm lobime por edhe projekte madhore në të mirën e përbashkët. Na mbetet të reflektojmë për rrugën dhe modalitetet se si mund ta realizojmë, sepse natyrisht që kjo kërkon kohën dhe angazhimin e të gjithëvë. Ideja e bashkëpunimit gjithashtu është aplikuar nga shoqata edhe në konsultimet me shoqata të tjera gjatë gjithë procesin të propozimit dhe miratimit të ligjit të Trashëgimisë nga parlamenti i Ontarios. Bashkëpunimi ynë është mjaft frytdhënës dhe i lavdërueshëm. Me të gjitha shoqatat që operojnë në Ontario dhe të gjithë të tjerat kemi marrëdhënie reciproke të shkëlqyera. Natyrisht gjithmonë ka vend për përmirësim dhe ecje përpara dhe këtë bashkëpunim shpresoj ta forcojë jo vetëm ideja e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez” por edhe projekti i “Shtëpisë së Shqiptarit”, i cili kërkon mbështetjen e çdo shqiptari që jeton e punon në Kanada. Bashkimi bën fuqinë thotë populli ynë.  

Në Shqipëri u miratua para pak kohësh Ligji për Diasporën. Cili është mendimi juaj për përmbajtjen e tij?

Ramazan Këllezi: Shpresoj që të mos mbesë në letër por të zbatohet. Personalisht nuk shikoj ndonjë shpresë, por gjithsesi le të lëmë kohën ta gjykojë si gjykatësi më i mirë.

Si i vlerësoni marrëdhëniet Shqipëri-Kanada? Si drejtues i shoqatës që përfaqëson komunitetin më të madh shqiptaro-kanadez a keni dijeni se kur mund të nënshkruhen dy marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve, ajo për pensionet dhe ajo për mbrojtjen e investimeve (Foreign Investment Promotion and Protection Agreement)?

Ramazan Këllezi: Marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë janë tepër pozitive dhe për t’u vlerësuar. Vitin e kaluar ambasada shqiptare në Ottawa organizoi edhe një aktivitet mjaft të bukur për nder të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Në lidhje me vazhdimin e pyetjes, nënshkrimin e dy marrëveshjeve, nuk kam ndonjë informacion, por nga përvoja ime e mëparshme si Konsull pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, ky është një proces i gjatë dhe që merr kohën e duhur për t’u përfunduar pozitivisht…

A i ndiqni zhvillimet në Shqipëri? Në se po, një koment të shkurtër dhe si ju duket ideja për pjesmarrjen e diasporës në votime?

Sinqerisht nuk kam kohë dhe dëshirë të ndjek “zhvillimet”, pasi më duket e kundërta, tatëpjetë … por nëse votimi do të realizohej me ndershmëri, do te ishte pozitive që edhe emigrantët të thonë fjalën e tyre, megjithëse nuk jam optimist…

 @FlasShqip.ca