Profil & Intervista

Ana Golja, së afërmi në Shqipëri!

Intervistoi: Jeta Dedja

Ana Golja është një artiste tashmë e famshme shqiptaro-kanadeze. Ajo është aktore, producente, kantautore dhe kërcimtare. Ana ka arritur deri këtu, prej talentit e mbi të gjitha prej sakrificave të prindërve të saj. Ata emigruan në një vend, gjuhën e të cilit nuk e njihnin dhe as dokumente nuk kishin në atë kohë. Të detyruar nga rrethanat të punonin përtej tetë orarëshit, më në fund arritën të siguronin këtë të ardhme që për Anën dhe vëllain e saj është një e sotme e prekur dhe e jetuar çdo ditë.  

Ana Golja ka lindur në Kanada, dhe ka pak vështirësi në artikulimin e gjuhës shqipe, e megjithatë ne zgjedhim gjuhën tonë amtare për të komunikuar me Anën.

Ajo tregon se mezi pret të krijojë kujtime mbi Shqipërinë pas udhëtimit të saj të parë atje gjatë këtij muaji. E mban sekret aktivitetin ku do të marrë pjesë, por na thotë se bëhet fjalë për një aktivitet gjigand në Shqipëri.

Ana sa e lidhur je me komunitetin shqiptar këtu në Kanada? 

Une jam shumë e lidhur me komunitetin shqiptar. Kam marrë pjesë në disa aktivitete kulturore ashtu si dhe festa nacionale.

Po me gjuhën shqipe si i ke patur raportet? 

Une kam lindur ne Kanada por fjala e parë që kam mësuar ka qenë në shqip. Pastaj, isha e vendosur vet të mësoja gjuhën sidomos pas ardhjes së stërgjyshes dhe gjyshit. Mësova të lexoj dhe të shkruaj nëpërmjet gazetës që lexoja për gjyshin.

Si janë marrëdhëniet e tua me Shqipërinë? 

Mezi pres udhëtimin e parë në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur që do takoj familjen nga ana e mamit dhe e babit. Do kem mundësi që të takoj edhe shumë talente shqiptare. 

Kur do shkosh në Shqipëri? 

Jam e lumtur të them që do shkoj këtë muaj (dhjetor) për një aktivitet të madh por nuk mund të tregoj më tepër akoma.

Mirë, më trego si është një ditë e zakonshme e Anës?  

Gjëja e parë që bëj është mëngjesi dhe vazhdoj me fiskulturën. Kjo është një mënyrë që ta filloj ditën shumë këndshëm dhe me energi. Pastaj dita vazhdon me mësime, takime të biznesit dhe vazhdoj me punën në studio ose me filmin. 

Nëse të mbetet pak kohë e lirë, ç’bën me të?

Zakonisht nuk kam kohë të lirë, por kur ekziston mundësia lexoj libër, dëgjoj muzikë, kërcej, studioj modën edhe kaloj kohë me familjen.

Çfarë gatimi shqiptar të bën mami dhe që ty të pëlqen? 

Gatimi që më pëlqen më tepër është byrek me qepë dhe domate. 

Për çfarë i ke ngjarë mamit? 

Unë mendoj se kam marrë nga mami, aftësinë t’i kap gjërat shpejt dhe ndjenjën e biznesit.

Po babit? 

Besoj se nga babi kam marrë vullnetin për punë. 

Çfarë të pëlqen tek vetja? 

Gjëja që më pëlqen tek vetja është që jam shumë punëtore dhe me vullnet. 

Kur mërzitesh si reagon? 

Kur mërzitem, mbyllem në vetvete.

Më fol pak për shoqërinë tënde në Kanada 

Jam shumë e lumtur dhe ndjehem me fat që kam një shoqëri të mrekullueshme. Shoqëria ime përbëhet nga shqiptarë, si dhe intelektualë e artistë kanadezë edhe ndërkombëtarë.

Çfarë planesh ke për karrierën, ku do fokusohesh? 

Plani im është të jem në krye të botës! Të vazhdoj me prodhimin e filmave, muzikën dhe në kohën e duhur, modën!

Me çfarë je më shumë e kënaqur nga jeta? 

Në rradhë të parë, jam shumë e lumtur për dashurinë e familjes që kam dhe balancën që kam gjetur në mes shumë aktiviteteve ku jam e angazhuar.

 

Toronto, Dhjetor 2018 

©FlasShqip

 

 

Tagged under Ana Golja