Profil & Intervista

Olton Hysenbegas: Si u mblodhën shqiptarët e RBC më 28 Nëntor në Toronto

Intervistoi: Taulant Dedja

Olton kam marrë vesh nga miku im i mirë Hasan Misiri, i cili punon në Royal Bank of Canada (RBC), se ti ke qenë organizatori i mbledhjes së shqiptarëve që punojnë në RBC. Në gjykimin tim ishte një nismë e bukur dhe mendova se do të ishte interesante për lexuesit e FlasShqip të njihen me ideatorin dhe motivet e tij. Fillimisht le të tregojmë për Flas Shqip se kush është Olton Hysenbegas.

Jam diplomuar si “Inxhinier Elektronik”, specializuar në Microsoft, si “Microsoft Certified Engineer, MCSE”, diplomuar me titull “Master of Science”, diplomuar me titull “Master of Business & Administration”. I akredituar dhe certifikuar si: “Project Management Professional”, ITIL, “Certified Lean Six Sigma”, “Certified Agile Practitioner”. Gjatë karrierës kam marrë dhe çmime ku vlerësohej puna si: RBC Gold Award (3 herë fitues), CIBC Achievers Award etj. Gjatë karierës kam pasur pozicione me rritje në përgjegjësi, nga menaxher projektesh (Project Manager), në menaxher programesh (Sr. Program Manager), menaxher portofoli programesh (Sr. Manager Portfolio Manager), dhe drejtor në disa departamente si në strategjinë e korporatës, në siguri dhe risk dhe së fundmi drejtor në Sigurinë Globale “Cyber” në “Royal Bank of Canada” duke drejtuar programe kritike për bankën RBC, që zbatohen në të gjitha bizneset (13 në total) në nivel korporate dhe të gjitha kontinentet ku RBC shtrin aktivitetin e saj. Fokusi në rolin aktual, është në krijimin dhe përshtatjen e strategjisë së korporatës në këtë fushë, në bazë të rreziqeve sipas shkallës së ndikimit. Ndërtimin dhe pilotimin e modeleve të zbatueshme organizative dhe mekanizmave për të monitoruar dhe raportuar mbi zbatueshmërinë e rregullave, në institucionet përkatëse.

Tani më trego se si lindi ideja për të krijuar një takim dhe “komunitet të Shqiptarëve në RBC”?

Ne shqiptarët, në përgjithësi jemi relativisht komunitet i ri në Kanada.  Ka pasur flukse të vogla të shqiptarëve nga trojet etnike pas Luftës së Dytë botërore, për në Kanada, dhe origjina ishte kryesisht, me prejardhje nga Kosova, Maqedonia, Çamëria apo Mali i Zi, Kalabria ose Arbereshë, dhe shumë pak nga Shqipëria për shkak të rrethanave dhe izolimit.  Kryesisht, pas vitit 1997, me atë që ndodhi në Shqipëri në atë vit të vështirë, fluksi me shqiptarë nga Shqipëria, u rrit, ndërsa nga Kosova pas luftës së 1999.

Mungesa e informacionit, mosnjohja ose mosdija, mënyra e ardhjes në Kanada me apo pa dokumenta, ndjenja e mosbesimit tek disa, te të tjerë ndjenja e inferioritetit për të qëndruar larg shqiptarëve, apo e komunikimit vetëm në Anglisht për t’u dukur modern etj, ndjenja e provincës ose e qytetit të origjinës ose e trevës nga vjen dhe shkëputja nga të tjerët apo shkëputja nga identiteti shqiptar, janë disa faktorë apo ndikime, që mendoj kanë qenë dhe disa ende janë faktorë, që mbajnë larg shqiptarët, ose i ndajnë nga njeri tjetri. 

Si ishte komuniteti shqiptar kur erdhe ti në Kanada?

Mbaj mend, kur unë erdha në Kanada, para rreth 20 viteve, informacioni për shqiptarët ish shumë i kufizuar, rrjeti i shqiptarëve pothuaj nuk ekzistonte, ose ish spontan, sigurisht informacioni në internet ish inekzistent; dhe nga ana tjetër, komuniteti ishte relativisht shumë i vogël, dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve aso kohe, ishin kryesisht në punë jo të kualifikuara, flas përgjithësisht – sigurisht kish përjashtime.

Fillimi i vitit 1999, ish viti që unë erdha në Kanada, me dokumenta të rregullta ose “landed immigrant” dhe synimi im ish thjesht të mbaroja “Masterin për Biznes” dhe të kthehesha në Shqipëri. Në Toronto, njihja vetëm një familje mike, atë të Erblin Rexha dhe Genti Kongjika. Ishin Erblini dhe Genti, që më mirëpritën për javët e para në apartamentin e tyre, derisa unë mora apartamentin tim. Në fakt, gjithë informacionin që unë mora në fillim dhe mbështetjen, e mora nga Erbli dhe Genti të cilëve jo vetëm atëherë por sot dhe mot, do u jem mirënjohës për çfarë kanë bërë për mua.

Pra po thua se ka rëndësi të kesh një mbështetje fillestare prej dikujt kur je i sapoardhur?

Po, duke pasur parasysh konfuzionin që ndjen kur arrin në Toronto, nga Tirana e vitit 1999, ka shumë të bëjë kush të pret dhe këshillën e parë që të jep. Genti dhe Erbli që të dy ishin rregulluar në punë shumë të mira, për punë javësh pasi kishin arritur në Toronto, me ambicie për të ecur përpara dhe synonin për lart e më lart. Kjo sigurisht, kur vjen në Toronto, dhe je i ri në një vend të huaj, të jep shpresë dhe energji që gjithçka është e mundur dhe është shtysë dhe në momente të vështira.

Dhe nisur nga historia jote personale, ti mendove se organizimi i komunitetit shqiptar do të sillte dobi për të tjerët? Pse e organizove takimin mes shqiptarëve të RBC?

Duke pasur parasysh vështirësitë që unë personalisht hasa kur erdha në Toronto, historikun që përmenda më sipër, dhe pengesat e dukshme apo të padukshme, që hasen për të ecur në karrierë pa mbështetje në Kanada, mendova dhe mendoj që krijimi i rrjeteve brenda kompanive të mëdha si RBC etj. do të ndihmonte shqiptarët brenda kompanisë dhe më gjerë si më poshtë:

Të kenë informacion kush punon në kompaninë përkatëse, pozicioni, vendndodhja e zyrës, roli etj. Të krijojnë një rrjet mbështetës të njëri–tjetrit për të ecur përpara, ose thjesht për të marrë një këshillë nëqoftëse nevojitet. Të ndajnë informacion me njëri-tjetrin, çfarë kemi mësuar qoftë duke dështuar ndonjëherë apo duke kaluar vështirësi që mund të parandaloheshin. Të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi mënyrat për të ecur në karrierë. Të ndihmojnë shqiptarët e rinj që vijnë në Toronto dhe e kanë të vështirë të gjejnë punë në profilet/pozicionet që ofrohen në Banka. Të takohen disa herë në vit dhe të flasin Shqip. Të çmallen me miq të vjetër dhe të krijojnë miq të rinj.

Pse zgjodhe Ditën e Flamurit për takimin?

Zgjodha 28 Nëntorin me qëllim, pasi është dita që i bashkon gjithë shqiptarët.  Ftesa iu dërgua 10 shqiptarëve (6 i njihja dhe 4 shqiptarë të tjerë i gjeta nga mbiemri) dhe i kërkova gjithkujt t’ua dërgonin ftesën miqve të tjerë shqiptarë që punojnë në RBC duke e konsideruar ftesën për drekë, thjesht opsionale.

Si u prit ftesa?

Pati shumë entuziazëm, nga të 10 shqiptarët që kontaktova. Të gjithë më falenderuan, u entuziazmuan dhe të gjithë e rinisën e-mail tek shqiptarë të tjerë që i njihnin; aq sa fillova të mendoj çfarë bëra, duke menduar anën logjistike dhe a do ketë restorant që do na pranojë (bëj shaka). Bile, ftesa shkoi deri në degën/zyrat e RBC në Luxemburg, në zyrën New York dhe në Los Angeles dhe të 4 shqiptarët që ishin nga këto zyra të bankës më kërkuan falje që nuk mund të ishin prezent.  Ish një ndjenjë shumë e bukur dhe sot që po flasim më emocionon fakti që duhej një pikënisje, një ide, dhe ne u bëmë bashkë. Ka shumë energji dhe dëshirë për t’u bashkuar, thjesht duhet të bëhet diçka shkas, dhe dikush duhet të rezervojë, jo më shumë se 1 orë kohë për të organizuar aktivitetin.

Nisur nga takimi, sa rezulton numri i shqiptarëve në RBC dhe në cilët sektorë janë ata të përqendruar?

Numri i Shqiptarëve të identifikuar në qendër të Torontos ose GTA, që punojnë për RBC arriti brenda 5 javëve nga 10 në 39, nga të cilët 33 morën pjesë në drekën e 28 Nëntorit; një pjesë kërkuan falje pasi do të merrnin pjesë në festën që organizohej nga Ambasada e Shqipërisë në Ottawa.  Shqiptarët vinin nga 4 linja të biznesit dhe disa grupe që punonin në zyrat qendrore dhe më konkretisht: nga Investor&Treasury Services, Capital Markets, Risk&Security, Wealth Management, Personal&Commercial Banking etj, me pozicione që varionin nga mortgage specialist, drejtorë, inxhinierë, analistë, manaxherë etj. Jam i bindur që vitin që vjen do të jenë më shumë. Pavarësisht se dreka ish rezervuar për 1 orë e 15 min, bashkëbisedimi zgjati rreth 2 orë, dhe pastaj të gjithë vrapuam në punë në takimet që vijonin atë ditë.

Cilat ishin komentet apo përshtypjet mbi takimin?

Pati shumë komente mbresëlënëse si përshembull: “çfarë gëzimi dhe çudie kur mora ftesën tuaj Olton në shqip”, “me zor prisja të vinte dita të takoja shqiptarët e RBC”, “kisha shumë emocion sot pasi kisha kohë pa takuar shqiptarë”, “a mund të takohemi më shpesh”, “do ish mirë të takoheshim mbas pune dhe të kishim kohë të flisnim të gjithë më gjatë me njëri–tjetrin”, etj. etj. Në mes të Nëntorit 2018, Floriana Cici dhe Valbona Shatku, të frymëzuara nga kjo ide krijuan një faqe "Komuniteti Shqiptar në RBC" në “RBC Connect” kështu që ne si komunitet do të kemi mundësinë të jemi të lidhur dhe në këtë faqe të brendshme të intranetit të bankës po me të njëjtin qëllim. Personalisht, ish kënaqësi të takohem me miq dhe të njohur e miq të rinj duke zgjeruar rrethin e të njohurve dhe me çfarë dëgjova kjo ishte edhe përvoja e atyre që morën pjesë në këtë drekë. Gëzim që gjithëkush kaloi mirë dhe që do të takohemi përsëri.

Meqënëse ka qenë një takim me mbresa pozitive, a do ta ktheni në traditë?

Natyrisht, për mua kish rëndësi që kjo drekë-veprimtari, të mos ish takimi i parë dhe i fundit, por të bëhej si shkëndijë dhe të kthehej në diçka më shumë se të përvitshme, pavarësisht kush e kish idenë dhe e filloi. Rëndësi për mua personalisht ka të vazhdojë dhe të ruhet si traditë. Në këtë kuadër, duke bërë shaka, por meqë dhe Hasani e kish menduar të organizonte diçka të ngjashme, i kërkova të organizojë vitin që vjen drekën për 28 Nëntorin dhe ai e pranoi me kënaqësi. Ndërkohë, duke folur me Odetën, mësova se ish nga Elbasani dhe që ballokumet që bën mamaja e saj janë speciale. Kështu, i kërkova Odetës që takimin për Ditën e Verës t’a organizojë ajo, duke i premtuar që kulluret e Korçës të Ditës së Verës, që bente ime gjyshe, sipas recetës së familjes, do t’i sjell unë në veprimtarinë në vijim.

Përveç kënaqësive të takimeve e mbledhjeve të shqiptarëve, a do të kenë qëllime më madhore këto organizime?

Gjatë periudhës 20 vjeçare në Kanada kam ndihmuar mbi 16 shqiptarë të fillojnë punë apo të gjejnë punë më të mira, duke ndarë me ta çfarë unë kalova dhe mësova me mungesë informacioni apo pa ndihmë dhe/apo mbështetje. Unë besoj se nëqoftëse gjithëkush nga ne do të ndihmojë shqiptarët t’u hapim një derë (një mundësi) për të ecur përpara dhe ata më pas do të bëjnë të njëjtën gjë, do të ndihmojnë shqiptarë të tjerë, dhe e gjithë kjo, do të ndikojë në fuqizimin e komunitetit shqiptar duke rritur ndikimin tonë si komunitet në kuptimin e gjerë të fjalës.

Dhjetor 2018

©FlasShqip.ca