Profil & Intervista

Besnik Rexhvelaj: Është koha të krijojmë Kongresin Shqiptaro-Kanadez

Nga: Taulant Dedja

Bisedë me Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” London, Ontario

FlasShqip: Shkurtimisht a mund të përmblidhet historiku i organizimit të komunitetit shqiptar në London, pra ku ka qenë zanafilla e tij?

B. Rexhvelaj: Në radhë të parë doja t’ju falenderoja për ftesën për të biseduar dhe njëkohësisht, në emër të shoqatës tonë edhe t’ju përgëzoja për punën që keni nisur me portalin FlasShqip. Kjo është një iniciativë e dobishme, jo vetëm në drejtim të pasqyrimit të aktiviteteve dhe jetës së komunitetit shqiptar në Kanada, por edhe në shërbim të ruajtes së identitetit dhe trashëgimisë tonë kulturore. Sa më pranë njeri-tjetrit të ndihemi këtu, aq më pak do e ndjejmë edhe largësinë nga toka mëmë.

Shoqata jonë është themeluar nga një grup nismëtar në mars të vitin 2010. Prej asaj kohe, si një komunitet i organizuar, bëjmë përpjekje të jemi gjithmonë sa më shumë aktivë në jetën e qytetit London dhe rrethina. Aktivitetet tona nuk janë vetëm brenda komunitetit për raste festash apo evenimentesh. Prezenca jonë është e rregullt edhe në veprimtaritë e organizuara nga të tre nivelet e pushteteve, lokal, provincial dhe federal.

FlasShqip: Sa është numri i bashkatdhetarëve tanë në London dhe si mund t'a përshkruani ju integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze?

B. Rexhvelaj: Në London e rrethina, numri i bashkatdhetarëve është diku tek 3,000. Shqiptarët e London janë të mirëintegruar në shoqërinë kanadeze. Këtu për shembull, kemi fatin e mirë që në mes tone të jenë dy mjekë familjeje, Dr. Lulzim Rrafshi dhe Dr. Agron Alija. Të dy ata njëherazi janë edhe shumë aktivë në jetën e komunitetit, madje Dr. Rrafshi është edhe anëtar i bordit drejtues të shoqatës. Të tjerë punojnë në Bashki, në sektorin bankar apo si profesionistë, financierë, mësues etj. Po ashtu kemi dhe shumë bashkëkombas që ushtrojnë aktivitet privat në sektorin e ushqimit apo atë të ndërtimit. Pra thënë shkurt, mund të gjeni shqiptarë në çdo sektor të jetës në London.

FlasShqip: Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni i saj dhe cilat janë aktivitetet më të rëndesishme të shoqatës aktualisht?

B. Rexhvelaj: Shoqata “Iliria” London e zhvillon aktivitetin e saj mbi bazën e statutit dhe madje pa u mburrur 😊, mund të them se kemi një nga emblemat më të bukura në Kanada. Brenda shoqates funksionojnë dy borde, të zgjedhura një herë në dy vjet nga anëtarët aktivë, perkatësisht Bordi drejtues dhe Bordi i besimit. I pari përbëhet nga nëntë anëtarë, ndersa i dyti nga pesë. Është Bordi i besimit që zgjedh kryetarin i cili duhet të vijë nga radhët e Bordit drejtues. Sipas Statutit, i njejti person nuk mund të zgjidhet kryetar më shumë se dy mandate.

Po sipas Statutit, misioni i shoqatës është promovimi dhe mbajtja gjallë e kulturës, gjuhës dhe traditave tona të bukura shqiptare. Shoqata jonë është apolitike dhe laike. Aktivitetet kryesore që ne organizojmë janë në radhë të parë Festa Kombëtare, 28 nëntori si dhe Dita e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht festojmë dhe evenimente të tjera ku do të veçoja 7-8 marsin, Ditën e mësuesve dhe Ditën ndërkombëtare të grave. Ajo që dua të theksoj në këtë bisëdë është fakti që prej vitit të kaluar, ne kemi hapur edhe dy klasa të gjuhës shqipe për femijët. Ato frekuentohen nga afro 50 nxënës çdo të shtunë. Po kështu, prej vitit 2012 kemi krijuar dhe klubin e futbollit “Albanian Soccer Club”, klub i cili po bën histori këtu në London. Në çdo turne vjetor që kemi marrë pjesë qysh nga krijimi, ne kemi fituar kupën. Është vertetë kënaqësi.

FlasShqip: Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera në Kanada si paraqitet?

B. Rexhvelaj: Bashkëpunimi me shoqatat simotra këtu në Ontario është në lartësinë e duhur, kjo edhe falë angazhimit dhe dashamirësisë së drejtuesve të tyre. Kryesisht ne bashkëpunojmë me Shoqatën e Torontos, ku jeton dhe shumica e komunitetit shqiptar si dhe me atë të Hamiltonit. Këmbimi i përvojave është një gjë shumë pozitive sipas meje sepse krijon edhe kohezion. Gjykoj se ka ardhur koha që bashkepunimi të shtrihet edhe përtej kufijve të provincës.

FlasShqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes ketyre dy faktorëve shqiptarë? Është hedhur madje dhe ideja e pjesëmarrjes së diasporës në votime …

B. Rexhvelaj: Marrëdheniet me shtetin amë besoj që duhet të jenë sa më të mira por ne këtu nuk është se kemi shumë gjë në dorë për këtë. Gatishmëria për bashkëpunim nga ne gjithsesi është e plotë. Duket se në Shqipëri dhe Kosovë tani ka një përqasje të re madje dhe legjislacion e institucione për Diasporën. Vizita e dy Ministrave Majko dhe Gashi së fundi në Ontario ishte një hap pozitiv përpara. Por duhet theksuar se bashkëpunimi ekziston edhe përmes marrëdhenieve me Ambasadat të cilat janë shumë aktive në raportet me komunitetin. Përfitoj nga rasti të falenderoj personalisht edhe dy ambasadorët Ermal Muça e Lulzim Hiseni.

Për sa i takon pjësëmarrjes së Diasporës në votime mendoj se do të ishte gjë pozitive. Kjo do t’i bënte mirë atdheut dhe në veçanti vëllezërve tanë që jetojnë atje pasi ne do votojmë pa presion dhe pa patur hallin e vendit të punës. Po qe se vota jonë do të “lexohet” ashtu siç votohet, ajo do të jetë një votë e pastër që do ndikonte për të ndryshuar shumë politika të gabuara që, për fat të keq po i shohim çdo ditë atje, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta …

FlasShqip: Kur u shprehët se ka ardhur momenti që bashkepunimi të shtrihet edhe përtej kufijve të provinces mos mendoni se ka ardhur koha edhe për krijimin e një forumi në të cilin të mblidhen periodikisht të gjitha shoqatat për këmbim eksperience dhe thellim të bashkëpunimit? A mund ti shërbejë më mirë një iniciativë e tillë ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vazhdimesi, brenda kuadrit te shoqërise kanadeze multikulturore?

B. Rexhevelaj: Institucionalizimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit është një ndër gjërat kryesore që ne duhet të realizojme. Une mendoj se ka ardhur koha të krijojmë “Kongresin Shqiptaro-Kanadez”. Një gjë të tillë e kam shprehur edhe më parë dhe ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara për një integrim të mëtejshëm të gjithë komunitetit tonë në rang vendi, por edhe për ruajtjen më mirë të identitetit tonë kulturor. Madje, në një lloj mënyre, do të “flasim shqip me një zë” përballë autoriteteve të të gjitha niveleve, të cilat mendoj se do të na respektojnë akoma më shumë. Kjo eksperiencë ekziston edhe tek shumë komunitete të tjera. Të mos harrojmë që multikulturalizmi është një nga elementët thelbësorë identitarë të shoqërisë demokratike kanadeze. Shpresoj që dikush do t'a marrë iniciativën dhe të parën do ftoja Shoqatën e Torontos me mbështetjen edhe tonën e të shoqatave të tjera. Po kështu gjykoj se ka ardhur koha, nën shembullin edhe të komuniteteve të tjera, të kemi dhe institucionin financiar Albanian Credit Union. Duke punuar edhe vetë në sektorin financiar, mendoj se do të jetë një gjë shumë pozitive. Nuk ka më bukur se të investosh “shqip” dhe t’a marrësh fitimin po në “shqip” këtu në tokën kanadeze.

Kush është Besnik Rexhvelaj?

Besnik Rexhvelaj është me origjinë nga një familje patriote dhe intelektuale e zonës së Shkodrës. Stërgjyshi i tij madje, është vrarë nga ushtria malazeze në betejën e zhvilluar në vitin 1913 gjatë rrethimit të Shkodrës, ndërsa gjyshi, me profesion topograf, ka kontribuar para vitit 1939, në ndërtimin e rrugës Shkodër-Koplik-Hani i Hotit.

Gjimnazin Besniku e ka kryer në Shkodër ndërsa Lëvizja e dhjetorit 1990, pjesëmarrës i të cilës ishte, e gjeti në Tiranë ku edhe përfundoi në vitin 1991 studimet në Fakultetin Ekonomik.

Pas shkollës së lartë, ai ka punuar në sektorin e tatimeve dhe atë bankar ku arriti të ngjitej deri në pozicionin e Drejtorit të Bankës së Kursimeve (sot Raiffeisen) në Qarkun e Shkodrës. Nga viti 2002, sëbashku me bashkëshorten Nora dhe dy fëmijët Brendon dhe Blerta, emigroi në Kanada dhe u vendos në London, Ontario.

Aktualisht Besnik Rexhvelaj është Mortgage Broker dhe drejton një ekip prej pesë vetësh, Mortgage Intelligence SouthWestern Ontario, ekip shumë i suksseshëm, i cili së fundi është i renditur ndër 20 më të mirët në Kanada për shërbime dhe volum kreditimi gjatë vitit 2017.

Besniku është një ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” London dhe Zv-Kryetar i saj qysh nga fillimi. Në vitin 2016 ai është zgjedhur në detyrën e Kryetarit.

@FlasShqip.ca