Profil & Intervista

Një shqiptare në Parlamentin Kanadez

Nga: Shani Pnishi

Këto ditë Parlamenti i Kanadasë ka shpërblyer me "Çertifikata Mirënjohjeje" rreth 30 profesionistë kanadezë të profileve të ndryshme, mes e te cilëve edhe shqiptaren Flutura Mazreku.

E kontaktuar nga Flasshqip.ca, vajza nga Kosova tregon se prej pesë vitesh punon si asistente në zyrën e deputetit konservator nga Prince Albert, Saskatchewan, Randy Hobak në Parlamentin e Kanadasë. Çertifikaten asaj ia ka dorëzuar vetë Kryetari i Parlementit, Geoff Regan, në prani të përfaqësuesve të mediave dhe shoqërisë civile të cilët përcjellin punën e ligjvënësve federalë.   

Flutura ka përshkruar me disa fjalë gëzimin për vlerësimin, ku ndihet se kontributi i saj për një shoqëri të mirë po i jep frytet e veta. E pyetur për ambientin e punës në institucionin më të vizituar kanadez ajo shprehet: "Gjatë pesë viteve të fundit, puna ime në parlament ka qenë e mbushur me shumë sfida, me shumë suksese dhe me plot entuziazëm. Puna këtu është ndryshe nga çdo punë tjetër. Këtu kam patur rastin dhe privilegjin të takohem me shumë palë të ndryshme, duke përfshirë edhe shumë delegacione nga çdo kënd i botës, politikanë, grupe të qytetarëve që vizitojnë dhomat e parlamentit, apo thjesht njerëz të interesave të ndryshme. Kam përfituar përvojë dhe kam dhënë kontributin tim, më të mirin të mundshëm. Në ketë institucion të rëndësishëm nuk ka asnjë moment të mërzitshëm sepse aty je pranë qytetarëve me përfaqësues të zgjedhur të këtij vendi".

Gjatë këtyre viteve, ajo është ndjerë e lumtur që ka patur rastin të takohet disa herë edhe me delegacione shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.

 Po kush është Flutura Mazreku?

 Ajo vjen nga Rahoveci, dhe së bashku me familjen e saj ka emigruar në Kanada më 1999 gjatë luftës së Kosovës. Flutura ka studiuar dhe është diplomuar në Universitetin e Ottawa-s, në degën Filozofi dhe Juridik. Aktualisht ajo është duke përfunduar studimet Master of Law pranë Carleton University, Ottawa, ku edhe punon si asistente ligjëruese.

Fluturën e kemi takuar vitin e kaluar po në godinën parlamentare, kur ishte pjesë e përvjetorit të 18-të të ardhjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada.  Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa, sëbashku me shoqatat e Ontarios dhe me biznesmenë të komunitetit shqiptaro-kanadez, pat organizuar një ekspozitë me imazhe nga pritja që kanadezët kishin ofruar për refugjatët shqiptarë nga Kosova dhe me portretizimin e disa familjeve nëpër vite në Kanada.

Ajo e kujton atë ditë si ditën më të veçantë në punën e saj: "Eksperienca ime si refugjate më ka ndikuar shumë në çdo aspekt të jetës. Ato imazhe që u shfaqën si dhe rrëfimet e refugjatëve të luftës, të cilët tashmë po bënin jetë normale dhe të suksesshme më emocionuan së tepërmi, por në të njejtën kohë, më bënë edhe shumë krenare për arritjet tona si komunitet".