Komunitet

Republika e Semaforëve

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Kam shkruar mijëra faqe letërsi të pabotuar dhe për pasojë askush nuk më njeh si shkrimtar. Kjo është gjëmë për një artist. Sidomos për një artist që jeton në Republikën e Semaforëve. Nuk kam famë, e për pasojë, as para…Diçka duhet bërë…

Kur shoh grumbullin e faturave që presin të paguhen nga unë dhe nga shitja e asaj që unë e quaj pa ndrojtje “krijimtaria ime”, më kap një dëshpërim më i madh se i gjithë shkrimtarëve të brezit të humbur së bashku. Para pak çastesh, kur me pak vullnet të mirë, kuptova që nuk kisha para as për t’i blerë një dhuratë të thjeshtë krishtlindjesh të dashurës sime, më shkrepi një ide që më duket shpresëdhënëse. Rreth e rrotull meje shoh fqinjë injorantë e kokëgdhënj të cilët kanë biznese dhe me paratë e tyre mund t’iu bënin dhurata jo vetëm të dashurave të tyre, por edhe Klarës sime fatkeqe dhe Marie jevgës që banon një kat poshtë meje.

Kështu pra, kam vendosur të hap një dyqan mbi të cilin do të llamburisë tabela: SHKRIME ME POROSI, POEZI & PROZË SIPAS DESHIRËS TUAJ.

Lokali ku do zhvilloj zejen time të re është një ish nevojtore private e qytetit, e cila ka falimentuar dhe të zotët e saj ma shitën tepër lirë.

Dikur aty kanë dhjerë e shurruar burrat më në zë të qytetit dhe pothuajse tërë komuniteti bishttundur i trevës rurale fqinjë. Në fillim nuk e kisha kuptuar dot arësyen e falimentimit të asaj nevojtoreje të bujshme. Më vonë e mësova. Sigurisht jo për mungesë të lëndës së parë, por për një arësye më të fisme: pronarët e saj kishin hapur një muzeum me të pëgërat e të dhjerat e njerëzve të shquar të qytetit ndër vite. Vizitorët paguanin në varësi të relikeve që dëshironin të shihnin. Kishte aty për shëmbull, mes kakërdhive të pushtetarëve lokalë, edhe një copë të madhe, të tharrë dhe jokundërmuese, nga porcioni që kryeministri i vendit kish prodhuar mes shtërzimesh pas një darke të bollshme me homologun e tij nga vendi fqinj.

Kurse kakërdhitë e Ambasadorit të Madh thuhej se i kishin vjedhur parlamentarët e republikës, ashtu si osmanllinjtë shekuj më parë eshtrat e Heroit Kombëtar, në të dy rastet për t’u bërë të fortë e të pavdekshëm.

Në të majtë të dyqanit tim ndodhet një punishte këpucësh, ku një këpucar i stërlashtë ka marrë përsipër riparimin dinjitoz të këpucëve të grisura të qytetit tonë. Në të djathtë ndodhet një parukeri që menazhohet nga një homoseksual tullac që e quajnë Ruzhdi, por që dashamirësit e thërrasin Manjola. Dhe në mes ndodhet dyqani im. 
Krenari e ligjshme për mua: Tani kam dyqanin tim dhe do fitoj aq para sa t’i dhuroj Klarës sime dhuratën më të shtrenjtë të vitit. Kjo gjë më entuziazmon, por jo përtej kufinjve të vetëkënaqësisë.

Fillimisht duhet të përgatis një listë çmimesh dhe “menunë” që ofroj.
Për të pasur një ide më të saktë shkoj te këpucari dhe shoh tabelën e tij të çmimeve: Gjysma sholle- 2000 lekë, gjysma gome- 1000 lekë, taka të plota- 5000 lekë, këpucë me porosi- 50 mijë lekë, Bojatisje- 500 lekë, Ndrrim boje- 1500 lekë. Taban të ri- 3000 lekë…
Hmmmm, jo keq…

Kaloj edhe nga Manjola, i/e cila, sapo mëson qëllimin e vizitës sime, më tregon duke u përdredhur menunë dhe çmimet që ofron parukeri “Platoni”.

Prerje flokësh… Ngjyrosje…Çngjyrosje…Ruajtje…Kruajtje ( dmth krehje…) dhe në vijim një listë e gjatë me modele flokësh dhe parukesh me çmime të kripura…

Kthehem në dyqan dhe përgatis menunë time dhe çmimet përkatëse.

Poezi dashurie për nën 15 vjeçarë, poezi dashurie për mbi 60 vjeç, poezi erotike për marinarët, poezi heroike për banditët e qytetit, ( të vrare e të gjallë bashkë), Eposi i Kreshnikëve -Remix, Eposi i vitit 97-të, poezi për oficerë në pension, ninulla, bejte, elegji, këngë vaji per trevat e Lumit, ballada për hipitë brekëgrisura të kryeqytetit dhe hymne religjioze për fetarë të vonuar, si edhe poezi elektorale, hymne partish politike. Në një tabelë tjetër përpiloj atë pjesë të ofertës sime letrare që kërkohet më së shumti nga femrat. Letra dashurie të çastit, Ditare gjimnazistësh, Manuale për gra të dëshpëruara, Poezi për pasmesnate, Poezi banjoje, Poezi masturbimi, Erotikë për lëneshat, Romancë azilesh, etj…

Fantazia ime merr zjarr dhe shoh që pak nga pak menuja ime përfshin edhe koncepte letrare të cilat nuk e dija se ekzistonin në tërë këto dekada që bëj letërsi si një anonim i dështuar.

Krijoj në çast edhe një zë të ri në menunë time: Homopoezi, kjo për hir të Manjolës dhe klientëve të tij. Më vjen keq që këtë nder nuk mund t’ia bëj këpucarit plak, por gjithsesi, ku i dihet. Ndoshta edhe ai mund të ketë ndonjë brengë të cilën mund t’ia lehtësojnë vargjet e mia me porosi.

Klienti im i parë është një djalosh me flokët si të qethur me zdrukth. Në dorë mban një dosje të grisur. Më kërkon një duzinë poezi erotike, gjysma e të cilave të fillojnë me fjalën “Zemra ime” dhe të mbarojnë me ” syri yt i pagjumë”, gjithashtu pesë poezi të cilat të mos kenë asnjë pyetje brenda tyre, si edhe dy poezi, vargu i tretë i të cilave të mos ketë fjalën “qiell” të përmendur më shumë se dy herë.

Pasi i hedh një vështrim të imtë menusë sime, djaloshi, që mesa duket është çirak në zdruktharinë pranë, porosit edhe një prozë poetike, e cila të mos ketë hiç poezi brenda saj. “E bën dot këtë gjë ti ?”, më pyet tërë kërshëri çiraku. “Sigurisht! Ti nuk e ke idene se sa të rëndësishme dhe motivuese janë për mua klienti dhe porosia e tij! Ok djalosh…pas tri orësh i ke gati të gjitha…”

I jap faturën dhe ai largohet i kënaqur, sidomos nga fjalët e mia të fundit. Pas një gjysëm ore në dyqan hyn një tip i rëndë dhe turiderr i cili tërë dyshim tregon me bastun menunë e varur pas kokës sime. “Zotëri, dua të bësh shpejt e shpejt gati nja 3 copë Ditarësh të Çastit, por të jenë ditarë të shkruar nga një njeri që e ka zakon të rrijë në shtëpi lakuriq dhe me çizme! Ok? Kur të vi t’i marr?” “Sot pasdite, kur të doni”, i them i kënaqur duke menduar se në darkë do të çoj në shtëpi, për herë të parë në jetën time, një tufë të bollshme parash…

Klientja e tretë është nga të Manjolës. Një zonjë rreth të gjashtëdhjetave me vath argjendi në njërin vesh. Në profil ngjan me një qukapik. Porosit “Letra dashurie për ushtarë kufiri”. Duke u larguar nuk harron të më sigurojë që kufitari nuk është nipi i saj.

Ora po shkon dhjetë e darkës dhe bëj bilancin e ditës së parë. Klientët e mi kanë marrë porositë e tyre dhe kanë paguar. Uroj të jenë të kënaqur dhe kështu, pak nga pak, të krijoj klientelën time të qëndrueshme në dyqanin tim të pazakontë “SHKRIME ME POROSI”. Kaq para sa kam bërë sot, nuk i kam fituar kurrë brenda një muaji…Nesër do paguaj të gjitha faturat dhe ndoshta për Krishtlindjet do ia kem blerë Klarës atë gëzofin e shëmtuar që asaj i pëlqen aq shumë…

Eh… sa të çuditshme janë femrat…Gjoksi im ka më shumë lesh se tërë ai gëzof njëmilionësh…
Vërtet… si nuk hapa një biznes që të kishte lidhje edhe me leshin?

(nga romani satirik "Republika e Semaforëve", 1996 - 2013)

 

Tagged under Artan Gjyzel Hasani