Komunitet

Kristaq Turtulli: Mëngjesi sjell puthje më shumë

Sigurisht mëngjesi sjell puthje më shumë,

Përderisa universin e pafund më vete e ke,

Në qiellin e kaltër lundrojnë të qeta,

Yjet, hëna.

Meteorët e rremë i lamë prapa.

Më pranë janë retë pulëbardha, varka me ortanca.

Të dashuruarve dhurojua,

Në ditëlindje...

 

Kometa flakëruese mos ketë.

Mos ketë qeveritarë, vrastarë, hipokritë,

Që ndajnë dekorata në viktima.

Çdo trëndafil një këngë mbi një fletë.

Detet pa peshkaqenë të jenë.

Mos ketë furtuna, shtrëngata.

Hijet e rënda të dashakeqësisë të bëhen të purpurta.

 

Por a mundemi, o ëndrra ime,

Të shkrihen në një; dielli, uji, toka,

Paqe kudo të ketë.

Eja. Ulu pranë meje,

Pazgjidhshmërisht më ke me vete.

Këtu, te zëmra ime,

Te ëndrra ime,

Te shpresa ime,

Te frymëmarrja ime,

Amaneti i të parëve, nyje lidhëse në mëmëdhe.

Si dielli, si toka, si yjet, si hëna.

 

Retë e bardha s’mund të bëhen ortanca,

Po ashtu dhe bota mbarë.

Oqeani pa fund i pa anë

S’ është furtunë në gotë.

Të pihet me një frymë.

Por shpirt i thellë, në shtrëngatë.

 

Jetëdhënës është lëngu i një puthjeje.

Musht, që s’lë të ketë mplakje.

 

Një kupë le ta pinë,

në dehje.

Në do, e pimë një kupë më shumë...

Nga mushti i shpresës erëmirë.

Vitet le të nënqeshin nën dhembë,

Çdo minutë të ndjej, të shoh pranë.

Kush thotë pleqëria është dëborë e rëndë,

Në ëndërr ndjehesh e lehtë pendë,

Na shenjtëron dashuria e urtë.

Kur të zgjohemi mos gjejmë mbi komodinë,

Një kartolinë vjeshte.

Buzëqeshje pranvere,

Për ditëlindje,

Mëngjesi sjell puthje më shumë...

Tagged under Kristaq Turtulli