Komunitet

VJESHTA

  • Published in Krijimtari
Nga: Vangjush Ziko

Vjeshta

me kostum lara-lara

qepur me gjemba dëllinje

dhe fije merimange

veshur karnavale

me pelerinë të grisur mbretëreshe,

sikur viti të kish vetëm një stinë,

atë të ngërdheshjes.

Vjeshta,

piktorja surrealiste

më dhuroi kryeveprën e artë

pikturuar mbi një re të grisur

me furcën e shiut

ngjyer në llucën e baltës.

Vjeshta

ma mbushi gotën

me mushtin e vreshtës,

mos e ndiej vetminë,

as shi, as breshër,

as vetëtimat e dimrit

që në thinjët e mia

fshehur rrinë.

Tagged under Vangjush Ziko