Komunitet

Dëbimi dhe mërgimi i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës

Nga: Mustafë Ismaili

Fragment nga libri “Me luginasit e mi në Kanadanë e largët”

Historia e mërgimit dhe përvoja e hidhur për mua ishte dhe është e lidhur si mishi me kockën. Ia di hidhërimet e dhimbjet e mëdha dhe gëzimet e vogla mërgimtarit. Kjo plagë e rëndë dhe e pashëruar e ka përcjellë fatin e gjeneratave të shqiptarëve nëpër valët e turbullta te mërgimit dhe destinimit mërgues. E kanë marrë botën në sy atëhere kur kanë qenë të detyruar, kur e kanë humbur shpresën për shumë arsye dhe në luftën e vazhdueshme dhe pa përkrahje.

Ashtu ndodhi edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës që u shpërngulën një shekull e më parë në Anadoll e gjetiu. Nuk është i vogël numri i atyre që morën rrugën e mërgimit për të siguruar kafshatën e gojës për vete dhe fëmijët e tyre edhe për një jetë më të mirë duke flijuar jetën e tyre. Largimi nga vendlindja gjithmonë njeriun e bën humbës, sepse larg vendlindjes je i humbur, ke lënë mbrapa ato bukuri natyrore, miq, shokë e farefis. Ke lënë pjesën e rinisë në vendin e lindjes. Disa kanë sakrifikuar edhe fëmijët e tyre pa i parë me vite të tëra.

Dyndjet më të mëdha u bënë pas masakrave serbosllave nga militarët dhe paramilitarët gjatë viteve 1998-1999. Si pasojë mbetën edhe shumë të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet ende sot e kësaj dite.

Një mënyrë tjetër e ëmbël e emigrimit të luginasëve, si mund ta quaj unë, është edhe shpërngulja me bashkimin familjar dhe përmes martesave. Vajzat sjellin burrin e ardhshëm nga trojet e tyre dhe djemtë sjellin nuset e tyre nga po të njëjtat troje.

Ndarja nga anëtarët e familjes është më shumë se një mallkim më shumë klithës, më shumë se dhimbje që ngjan me një ujëvarë lotësh, më shumë se një gurrë lumenjsh që gurrojnë. Ky është një mallkim kurbeti.

Mëse 60% e popullatës rinore të Luginës kanë emigruar në Europë dhe e lane kohën më të shtrenjtë të rinisë sidomos në Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Francë dhe në vendet Skandinave, duke arritur edhe ne ato tejoqeanike… Kjo dhimbje të lëndon edhe qelizat e trupit kur ndahet njeriu për së gjalli. Edhe rapsodi mallkon kur i këndon kurbetit dhe thotë:

 Kush ma i pari bëni more djalë gurbetin?

Mos ja dhashtë Allahu jo, kurrë selametin...

Pastaj në këngët e shumta e njëjta gjë përsëritet vetëm në variante të ndryshme. Edhe poeti i shkruan kurbetit vargje mallkuese. Ja si këndon i madhi Çajupi:

Dhe në vuaj le të vuaj

Të mos vdes në dheun e huaj…

Naimi bukur shkruan me optimizmin e tij për malet, kodrinat, bregoret, lisat e gjatë, e krojet e blegtorinë shqiptare që i ka në mend ditë natë.

Lugina e sotme u ngushtua me njerëz dhe me troje në rrethin e Nishit, Toplicës, Vranjës dhe Leskocit. Kjo vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore me Marrëveshjen e Jugosllavisë së Titos dhe Turqisë duke marrë pagesa të majme nga Mbretëria Serbe dhe pasuesit e saj.

Këtu bën pjesë edhe e ashtuquajtura “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Marshalli Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo Marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.

Sot shqiptarët e Luginës janë shumë të shpërndarë edhe nëpër qytetet më të mëdha si Stambolli, Izmiri, Bursa, Ankaraja, Adapazari, etj. Ato u deportuan edhe nëpër viset e tjera, nëpër fshatra të largëta të Anadollit në dy anët e gadishullit turk në bregdetet e Egjeut dhe deri te bregdeti i Detit të Zi.

Nuk dihet numri i shqiptarëve të harruar që jetojnë në Turqi, sepse ata u asimiluan nga kombi, gjuha, kultura dhe tradita… Qeveria turke kurrë nuk ka lejuar të hapen arkivat e tapive për të nxjerrë në pah se kush janë autoktonë në këto troje të braktisura.

Serbia gjithmonë priu për dëbimin e shqiptarëve dhe i dëboi nga qindra vendbanime. Këtu nis shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit, Leskoci, Vranja, Kurshumlija, Jabllanica Gërdelica, Surdulica e Masurica. Nga këto troje në këtë kohë u shpërngulën nga 600 vendbanime mbi 200.000 shqiptarë.

Kështu bëhej dëbimi i shqiptarëve dhe kolonizohej vendi me serbë të sjellë nga Serbia veriore. Kjo shpërngulje e ndihmoi Serbinë të krijojë një realitet të ri etniko-demografik.

Këtë e zbatoi edhe në Kosovë dhe në trojet e tjera të banuara me shqiptarë. Kjo politikë vazhdoi edhe në shekullin XX me dëbimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e Preshevës me malazezë. Për të arritur shpërnguljen masive Serbia i ofroi edhe kuotën më të lartë Turqisë dhe i pagoi shuma të mëdha për çdo familje shqiptare që shpërngulej për Turqi. Mënyra tjetër ishte edhe përmes hoxhallarëve që ligjëronin para popullit që ta bindnin popullatën të shpërngulen në Turqi.

Njëra nga arsyet ishte edhe aparati shtetëror që ia bënte jetën shqiptarëve sa më të vështirë dhe të padurueshme, si me gjoba, arrestime, punë angari, mosnjohjen e tapive të moçme. Nuk u jepeshin atyre leje për tregti e afarizëm. Përjashtoheshin nga shërbimet dhe punët administrative dhe shtetërore. Prekeshin në çështjen kombëtare e fetare. Pa harruar rrënimin e shtëpive, rrënimin i avllive dhe mureve e rrethojave të larta, ndjekjen e intelektualëve dhe përjashtimin e tyre nga puna… Janë të njohura dhe të paharruara idetë ogurzeza të Vasa Çubrolloviqit, Ivo Andriçit, Ilia Graçaninit dhe ne fund Millosheviçit

Në vitin 1912 edhe Lugina e Preshevës futet nën sundimin e Serbisë. Shumë fshatra të Komunës së Preshevës e Bujanocit u kolonizuan me serbë e malazezë, të ardhur nga vise të ndryshme të Kroacisë e Dalmacisë. Nga ajo iniciativë ishte formuluar një qëndrim genocidal e racor që sa më pak shqiptarë të mbeten në territoret e çliruara nga Turqia. Kush shpërngul më shumë shqiptarë aq më i madh do jetë kontributi dhe merita për atdheun serb.

Stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë kanë tapitë deri te Molla e Kuqe. Këto tapi duhet të hapen sa më parë dhe të zbardhet kjo periudhë e kapitullit të hidhur që u punua në dëm të shqiptarëve të këtyre trojeve.

Një gjë duhet ta dimë. Shqiptarët e shpërngulur në Turqi e bënë Turqinë të zhvilluar. Shumë nga ata kishin zënë edhe poste të larta, të rëndësishme. Të paktën 35 kryeministra, pa folur për ministra, pashallarë, admiralë, gjeneralë etj.  Sigurisht që një pjesë e tyre vepruan në dëm të kombit shqiptar, por gjurmët e tyre ishin biografi dhe kontribute jetësore për kombin tonë.

Gjenerali Kenan Evren ishte nga Lugina e Preshevës, nga fshati Bilaç, komuna e Bujanocit. Mustafa Qemal Ataturku, i lindur në Selanik, me prejardhje shqiptare nga ana e nënës me stërgjysh nga Presheva. Ai e formoi Turqinë moderne dhe kot nuk quhet “Babai i Turqisë Moderne”. Reformat që bëri ai ne Republikën e Turqisë, më 1923, e mundësuan popullin të dalë nga një periudhë e errët. Bëri reforma, civilizuese, politike e shformoi sulltanatin. Hoqi kalifatin i anulloi gjykatat fetare dhe ligjin sekular. Gruas i dha të drejta sociale dhe politike. Hapi shkolla moderne duke i mbyllur medresetë. Pas vdekjes së tij Turqia u tregua bukëpërmbytëse ndaj shqiptarëve, ua mohoi të drejtën e identifikimit kombëtar dhe të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare. Shqiptarëve asnjëherë nuk iu dhanë vlerat dhe meritën që patën.

Periudha më e freskët e viteve 1981-1990 shënon numrin më të madh të emigrimit nga Lugina e Preshevës drejt vendeve të destinuara që i përmendëm më lart. Në fillim emigrojnë vetëm familjarët, kurse pas viteve ‘80 emigrimi merr dimensione të tjera. Emigrojnë edhe familje të tëra për shkaqe të dyfishta ekonomike dhe politike. Ndaj rezulton kjo në përqindjen më të lartë të emigrimit. U arrit përqindja më e lartë gjate procesit të reprezaljeve dhe vrasjeve enigmatike të djemve më të mirë në ushtrinë jugosllave me fillimet e luftrave në ish-Jugosllavi.

Dhjetë vite pas vdekjes së Titos fillon procesi i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë kur konfliktet u kthyen në luftra të përgjakshme, duke filluar në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë. Në këtë periudhë shumë të rinj shqiptarë emigrojnë në formë ilegale duke dezertuar nga Armata Jugosllave. Pa vullnetin e tyre duhet të luftonin në Kroaci e Bosnjë. Pjesa tjetër ftohej të shkonte në luftë duke ndërprerë studimet. Disa prej tyre dezertonin e shkonin ilegalisht te të afërmit e tyre në vendet perëndimore dhe nga atje duke parë dhe ndjerë gjendjen e acaruar dhe torturat e shtuara nga regjimi sllavoshovinist, shumica e këtyre të arratisurve fillonin të mobilizoheshin dhe armatoseshin duke u futur nga Shqipëria dhe hynin në Kosovë ku e luftonin armikun.

Lufta e Kosovës në vitin 1999 dëbon shumë të rinj me familjet e tyre sidomos nga kampet e refugjatëve në Maqedoni, si Stankoveci I dhe Stankoveci II. Nga këtu shkojnë në disa shtete të Europës së industrializuar dhe në vendet e treta përtej oqeanit si SHBA Kanada, Zelanda e Re dhe Australi.

Arsyeja tjetër që e braktisën vendin ishte edhe për shkaqe ekonomike, por numri më i madh i shqiptarëve ishte i shpërngulur për shkak të presioneve që ka bërë pushtuesi. duke mos mundur t’u përballojnë torturave e besa edhe kërcënimeve me likujdim fizik. Pas viteve 2001 si shkak i emigrimit të të të rinjve të shkolluar ështe edhe pakënaqësia nga situata ekonomike, problemet për punësim si dhe mungesa e perspektives.

Shqiptarët e gjorë pa mbështetje dhe përkrahje u detyruan të lënë plangë e shtëpi e të marrin botën në sy për të kërkuar shpëtim në vendet e tjera më të sigurta. Regjimi fashist i Milosheviçit dhe diferencimi famëkeq ideopolitik i përjashtoi nga puna dhe i bëri trysni të ndërpresin punën duke i dënuar në mënyrë të paskruptullt. Njëri ndër ta isha edhe une autori i kësaj monografie.

Shqiptarët janë të njohur për emigrim, në të njëjtën kohë janë të njohur edhe për dashuri ndaj atdheut, gjë të cilën e kanë dëshmuar në të gjitha kohërat. Kudo që janë gjendur kanë punuar dhe menduar për atdheun e tyre. Në rast nevoje edhe iu kanë gjendur pranë njëri-tjetrit ashtu edhe sikundër në luftën e fundit ndaj pushtuesit serbosllavo komunist.

Solidariteti i mërgatës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka qenë i madh në çdo rast nevoje. Shumë të rinj lanë punën e bizneset e tyre dhe i erdhën në ndihmë vendlindjes se tyre për të mbrojtur me armë dhe luftuan dhe lanë peng jetën e tyre duke rënë në altarin e lirisë.

Pas viteve 2001 si shkak i të rinjve të shkolluar ështe edhe pakënaqësia nga situata ekonomike, problem për punësim si dhe mungesa e perspektivës.

Megjithëse ne Kanada rastet kanë pasur një mikpritje të trajtuar mirë nga Qeveria kanadeze. Të gjithë këta njerëz që shtegtuan këtë rrugë të largët nuk kishin qëllime aventure, veç se ishin të detyruar të arratisen nga pushtuesi dhe trusnia e pushtetit antishqiptar.

Për aspiratat dhe strategjinë e popullit shqiptar në Luginë për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare, politike, administrative, kulturore, sociale dhe tjera kjo është njëra nga rrjedhjet apo humbjet që nuk përfituan pozitën e tyre politike dhe shtetërore.

Edhe ajo pjesë e pushtetit lokal pjesërisht që kanë shqiptarët e Luginës do të kalonte te partitë e popullit serb. Ky është zhgënjimi i popullatës shqiptare.

Premtimet e qeverisë serbe kurrë nuk u realizuan për dobinë e këtyre njerëzve, por përkundrazi ato u ashpërsuan edhe më shumë. Ato i kishin në dorë të gjitha levat e administrimit. Çështja madhore është se statusi i shqiptarëve edhe pse pas shumë premtimeve do të vonohet dhe ndoshta kurrë nuk do të zgjidhet. Shqiptarët e përçarë duke serbizuar votën e tyre heqin dorë vullnetarisht nga të drejtat kombëtare dhe nga identiteti. Lugina e Preshevës e populluar me shumicë absolute shqiptarë autoktonë, ku shkelen të drejtat elementare kronologjikisht në masë të madhe të drejtat e tyre elementare duke filluar nga e drejta e përdorimit të simbolit kombëtar e drejta për punësim, e drejta për përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën amtare dhe shkollimin e lartë universitar.

Mospranimi dhe mosnjohja e diplomave nga Universiteti i Kosovës e të gjitha këto pengesa ndikuan në pasojat e mbarë jetës normale duke nxitur largimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre. Pra, me fjalë të tjera ky ishte shqetësimi i kësaj popullate.

Prandaj apelojmë prapë që bashkëkombësit e mi në Luginë e sidomos të gjithë personalitetet në skenën politike, artistike, kulturore, arsimore dhe fetare që të bashkohen për të ndalur fenomenin negativ të serbizimit. Vetëm avancimi i statusit kombëtar me bashkimin me truallin amë me Kosovën që do të sjellë të drejtën e statusit të tyre që u deklaruan me referendumin gjithëshqiptar të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992.

Kjo është e drejta jonë dhe duhet të mbetet e tillë, sepse e kundërta është e padrejta që i bëhet shqiptarëve në Luginë.

Me të drejtë dolën mbi 98% e popullsisë duke iu përgjegjur pozitivisht opsioneve të këtij referendum për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën pjesë e të cilës ishte para vitit 1945. Por Serbia e pengoi këtë referendum. Si zakonisht vepronte dikur dhe po vepron prapë.

Lugina e Preshevës zhvilloi edhe Luftën Çlirimtare në vitet 2000-2001. Me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve u arrit Marrëveshja e Paqes së Konçulit në muajin maj 2001 ku garantohej që zgjidhja e statusit të Luginës së Preshevës do bëhet me mjete politike me dialog. Ndërkohë nën ombrellën e kësaj Marrëveshjeje me tradhëti nga prita u vra tinëzisht vizionari e lideri ushtarak Ridvan Qazimi, Komandant Lleshi. Edhe sot e kesaj dite referendumi mbetet i parealizuar dhe “MARRËVESHJA E KONÇULIT” nuk u respektua akoma dhe mbetet e pazgjidhur, madje as nuk ka shpresa te trajtohet.  

Një gjë na bën të krenohemi me emigrantët nga Lugina e Preshevës së disa prej tyre ia kanë mësyrë edhe majave më të larta dhe ia kanë arritur qëllimit. Në shumë fusha të ndryshme si në biznese dhe administrate, kulturë, sport, art, letërsi, mjeksi dhe universitete.

Paksa të diferencuar në mes veti janë vetëm ata që jetojnë në Kanada. Në Kanada erdhën njerëz nga Lugina nga moshat më të ndryshme. Përshtatja për adaptim ka qenë më e vështirë e atyre në moshë, kurse të rinjtë janë adaptuar me shpejt dhe janë integruar në jetën e vendit të mërgimit.

Në fundin e shekullit XX dhe në fillimin e shekullit XXI u nxit një luftë e re që shkaktoi një valë të dytë të mërgimit shqiptar. Disa familje erdhën edhe në Kanada. Kështu në vitin 1999 ky konflikt i armatosur në mes të UÇK-së dhe forcave të policisë serbe në Kosovë, bëri që shumë shqiptarë nga Kosova të lëshonin shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre mërguan edhe në Kanadanë e largët. Kanadaja pranoi mbi 7500 shqiptarë nga Kosova. Ky ishte fluksi i parë që emigroi në numër të madh në Kanada. Në mesin e tyre kishte edhe shumë intelektualë. Lidhjet me familjet dhe ardhjet e emigrantëve gjatë stinës së verës kanë bërë të mundër mosharrimin e kulturës dhe të gjuhës, traditës. Kontaktet me të afërmit realizohen sot shumë më mirë me anë të rrjeteve social, me smartfona dhe me internetin.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bërë emër në të gjitha fushat dhe hapësirat e diasporës globale. Sidomos gjenerata që po lind dhe gjenerata e re që erdhën si fëmijë apo pak më të rritur, janë integruar në jetën e vendit ku jetojnë, lindën dhe po edukohen duke u ngjitur majave më të larta të karrierës së tyre.

Kjo ështe sublime. Të lësh atdheun tënd dhe të gjesh një atdhe të dytë, të bëhesh një personalitet në një botë të tillë, kjo është më tepër se lavdi dhe më tepër se heroizëm.