Zona e krijuesve

Biseda e parë në chat për Antologjinë

Nga: Vangjush Saro

Fragment nga romani humoristik “KURORA E BALLKANIT” (Amazon, 2016)

Qato Vjeshta - Pra, duke vënë pranë e pranë prozën e Leksit, që ka një frymë moderne dhe novelën tuaj më të fundit, që është tërësisht moderne, çfarë na del? Çfarë? Ore, si jeni njëherë, se na është bërë mendja dhallë… Si e ke Xhulietën? Djalin? M’i lexove ato vjershat që kam hedhur te “Ora 12 e notës”? Që ta kisha fjalën, proza jote vjen si ai brumi që zihet për petulla…
Qako Proçka - Dëgjo, dëgjo, i nderuar. Leri petullat se është koha të ndërtojmë antologjinë. Dhe unë them që ta fillojmë nga poezia. Hë? Mendoj që edhe nga pikëpamja e vjetërsisë, poezia ka lindur e para. Apo jo?
Qato - Tani, po t’i referohemi Molierit, personazhi i tij u ndje i habitur kur mësoi se paskej folur gjithë jetën në prozë dhe nuk e dinte. Te “Borgjezi fisnik”, mos gaboj... 
Qako - Sidoqoftë, le të përfundojmë njëherë pjesën e poezisë. Si i thonë asaj fjalës, gur-gur bëhet kalaja. Antologjia domethënë. Ma kujto edhe njëherë renditjen...
Qato - Po... pas meje, vijnë: Mahmudi. Rahimi. Demosteni. Ky ka shkruar atë poemën që fillon me vargjet: Kush tha se vjershat s’janë në modë/ unë do të provoj që jo… etj. Në fakt, ky më imiton mua…
Qako - Ashtu, sa ka që imitojnë prozën time, ohu… Nuk do ta besosh, por unë kam gjetur gjurmë të përjetimeve të mia në prozën e Kadaresë... Por duhet parë deri në ç’masë të imiton tjetri. Se, bie fjala, Kadareja mua për një copë herë më imiton, pastaj shkon me këmbët e veta ai… Si i thonë asaj fjalës, rrushi varet në degët e veta...
Qato - Cili rrush?
Qako - Hë? I atij, pra. I atij... Po rrushi vetvetiu, o burrë. Varet në degët e veta. Se u bëmë përshesh.
Qato - E nejse. Unë jam i mendimit që duke u varur në gjuhë të huaj, ashtu de, përkthyer, këto gjëra bien edhe më pak në sy pastaj. Apo jo? 
Qako - Ndoshta më pak, ndoshta më shumë. Sidoqoftë. Vazhdo me renditjen. Ku e lamë?
Qato - Te Guraliu...