Zona e krijuesve

Kristaq Turtulli-Pushkë e keqe qe ajo që ra...

Fragment novele shkeputur nga libri me novela PIANISTI

Akti i rëndë dhe ndoshta i paralajmëruar ndodhi pas mesit të natës, në të katërtën ditë të raportimit të Mark Totës, rojës së shërbimit të vendrojës numër një:

-Të qarët e stërzgjatur ndodhi në mesnatë, ndoshta dhe pas mesit të natës. Nuk kam orë ta them saktësisht se kur u dëgjua kuja, sepse nata pa orë është tmerrësisht e njëjtë dhe ngjan e gjatë pa fund. Ndoshta gjysmë orë më vonë, mbase diçka më shumë. Në shërbim koha ngjan sikur është e kryqëzuar, e lidhur me zinxhirë. Në fillim dëgjova zhurmë të lehtë, shushurimë dhe mendova se ishte pëshpëritja e burimit. Nuk i kushtova rëndësi, fërkova sytë dhe mbështeta shpinën tek një pemë. Pas një copë herë u ndje një frymëmarrje e rëndë e thellë, aq sa degët e pemëve nisën të fërfërinin dhe trungu ku isha mbështetur u drodh. U shmanga pak prej pemës dhe mbajta vesh. Diku në të djathë u ndeh një fërshëllimë e zgjatur, e përafërt me tingujt e nxituar që lëshon zogu i natës në fluturim. Pastaj dëgjova një zë të holluar, që dridhej, të zvargur, të përsëritur, të ngjashëm me kuisjen e lënduar të qenit. Por më shumë më ngjau me qarje të munduar fëmije, si me gulçe. Zëri i tjetrëllojtë vinte poshtë luginës, ku gjarpëron përroi i Shestanit, që duket aq i pandierë, i përgjumur, sikur fle. Uji i përroit është shumë i cekët, nuk arrin as te kyçi i këmbës, mbuluar nga ferrat, drizat dhe barishtet e përdredhura zvarranike. Marku heshti një çast, këqyri me vëmendje Drin Shalësin, komandantin e truprojës, për të parë efektin e fjalëve.

-Është turp ta them, – vazhdoi Marku. – pasha zotin! Kur ajri u lëkund prej kuisjes së leqendisur të qenit, ktheva kryet me bezdi nga ana e përroit, sepse qentë zbythen prej territ të natës. Por u rrëqetha kur dëgjova zërin e përvajshëm të fëmijës në përroin e Shestanit. Nuk besova kur ma thanë, ngaqë e di mirë si është loja e verbër e natës në vendroje. Ishte një dënesje e pataksuar, që shkundi gjithë luginën,

Mark Tota fliste me nxitim dhe prej gishtit të madh zhvoshkte me dhëmbë copëza të vogla lëkure.

Tagged under Kristaq Turtulli