Zona e krijuesve

Tiranica Nostalgica-Nga Artan Gjyzel Hasani

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Në këtë qytet ku vite të bukura kalova

mes pasionesh të zjarrta e dashurish të ndaluara
sot askush s’më njeh dhe paskam ftohtë
tek endem rrugëve të harruara
konviktor i dikurshëm që një mbrëmje dimri
i vetëm e larg nga të tjerët
me njëzet lekët e fundit që kishte
në kinema shkoi dhe pa “Të mjerët”…

udhës së Liqenit nisem menduar
e nga syzet një gjurmë loti fshi…
në “Gjirin e Kurvave” zemra më nuk rreh…
dallgë nuk ka 
e s’mbytet më njeri…

ku ikën vallë ato vite
ku çdo gjë shkëlqim kishte?
kanë qenë të vërtetë? 
i kam jetuar?
apo gjithçka një gënjeshtër ishte?

i bukur...i forte isha atëhere
dhe ah sa lehtësisht shpirtin e premtoja
por shumë i ri dhe atehere s’e dija
se shpirti qe kisha nuk ishte i imi…
mes epshesh shpenguar 
dhe qejfesh pafund
meteor që vec gjurmën pas lë…
jetonte kudo e s’banonte askund…

paskam ftohtë…
paskam ftohtë…
dua të pi, por s’kam me kë…
dua të qaj, por s’kam më lotë…
kujtimet me çmallosjen t’i deh dua…
në gotën plot të mbytem dhe vetë,
por edhe ajo shpejt do të zbrazet...

do të zbrazet 
e s’do të mbytem dot…

Shënim: Gjiri i Kurvave - toponim i një vendi të famshëm "mëkatar" te Liqeni i Tiranës

©artangjyzelhasani 1996