Komunitet

Flirt me një gazetare kineze-Nga Avdulla Kënaçi

  • Published in Krijimtari

Tregim

Nuk kisha shumë kohë që isha ngritur në përgjegjesi; kisha kaluar në gazetën kryesore të Partisë, kur në zyrë mbërriti një ftesë e çuditshme. Duhet të shoqëroja një delegacion kinez të rëndësishëm. Ishte një ekip i gazetës më të madhe të Partisë Komuniste Kineze “Zheminzhibao”. As sot nuk e kam idenë se si përkthehet në shqip titulli i kësaj gazete. Kur e shqiptoja, më dukej sikur nga goja ime nxirrja një mizëri grerëzash. Në jetën e përditshme ne praktikonim shumë parime politike dhe rregulla kineze, duke filluar që nga shkollat ku gjysmën e kohës bëhej mësim dhe gjysmën tjetër bëhej punë praktike, heqjen e gradave në ushtri, etj. Besnik të marksizëm-leninizmit në gjithë botën kishim mbetur vetëm ne në Europë dhe ata të fund të kontinentit të Azisë. E quanim veten fener ndriçues.

Shoqërimi nuk ishte ndonjë problem i vështirë. Me sa kuptova, thjesht duhet të isha një numër në ekipin e palës shqiptare i cili mbërriti së bashku me ta nga Tirana. Brenda ekipit përfshihej edhe shefi i informacionit të gazetës ku unë punoja, një ish partizan i Luftës Nacional-Çlirimtare, Petriti. Prezantimi im filloi pikërisht gjatë darkës, në sallën e vogël, aneks i hotel “Turizmit”. Darka e parë zyrtare në jetën time. Nuk ishte nevoja të pyesje ku e kishe vendin në tavolinën gjatoshe sepse për secilin, në një karton të përthyer në formë prizmi, sa një faqe libri, ishin vendosur emrat e gjithë pjesëtarëve të delegacionit të huaj si dhe tanët. Isha me fat, vendi im ishte fare në cep dhe në krahun e djathtë kisha kolegun, shokun Petrit. Secili kërkonte me sy emrin e tij dhe pastaj ulej i sigurtë në karrigen përkatëse. Sa u rehatova në vendin që më takonte, sytë menjëherë më shkuan tek pjatat bosh. Përpara kisha gjashtë pjata, po kaq pirunë dhe lugë, madje një nga lugët ishte fare e vogël, si ato lugët që përziejmë kafenë. “E po sigurisht, mua në cep, më takon t’i shpërndaj këto takëme edhe tek të tjerët”, mendova. E fillova nga lugët. I ngrita lart të gjitha, në njerën dorë.

Ku i çon? - më pyeti i habitur shoku Petrit dhe pa pritur përgjigje më mbajti krahun.

Tek të tjerët, - i thashë unë.

Nuk sheh se të gjithë janë të kompletuar, kanë po kaq sa ti!?

Hapa sytë mirë… Kishte të drejtë, vura re se secili kishte po aq pjata, lugë, pirunë dhe thika, sa edhe unë. Kjo ishte gafa e parë, por lavdi zotit që kisha Petritin në krah. Tash e tutje nuk duhet të bëja asnjë lëvizje pa pyetur atë. Siç ju tregova, isha fillestar, e para herë që merrja pjesë në një pritje zyrtare dhe prej askujt nuk kisha marrë ndonjë udhëzim se si të sillesha. Shoku Petrit kishte përvojë me pritjen dhe përcjelljen e delegacioneve të huaja, por edhe ai deri atëherë nuk më kishte dhënë ndonjë këshillë. Ishin dy përkthyes, njeri ishte i palës sonë, një burrë i vjetër e babaxhan që kishte studiuar tetë vjet në Kinë, ndërsa nga ana e tyre, gjer atëherë nuk mora vesh se kush ishte përkthyesi. Në qendër të tavolinës qenkej vetë kryeredaktori i gazetës “Zheminzhibao”, një burrë i shkurtër e rrondokop me fytyrë ngjyrë ndryshku, ndërsa në krah të tij kishte zënë vend një tjetër më i ri në moshë, thatim, me kokën si një poç elektriku. Ai nuk fliste fare, veç sa herë që merrte fjalën ndonjë nga kinezët, e ndiqte i përqendruar dhe vazhdimisht pohonte duke tundur kryet. Në fillim u shtruan dy pjatanca të mëdha me antipasta. Secili duhet të merrte aty çfarë i mbushej mendja duke mbushur pjatën e tij bosh. Unë në çdo lëvizje i referohesha shokut Petrit. Mori ai nga pjatanca, mora edhe unë… Më pëlqeu gatimi dhe bëra ç’bëra, mora një lugë më shumë se sa ai.

Mos u nxito, - më pëshpëriti Petriti- do të vijnë gatime të tjera edhe më të shijshme. Ngadalë, kështu si e ke zënë do të ngopesh që me pjatën e dytë. Lër vend edhe për gjellët e tjera.

Pas kësaj këshille, e ndala vrullin. Kinezët hanin me nga dy shkopinj dhe unë habitesha se si i përdornin me aq shumë zotësi duke ma kaluar edhe mua që mund të them isha më i shpejti në të ngrënë. I vura syrin verës së kuqe, ndërsa ata pinin një lloj rakie ku brenda shishes lundronte një rrënjë sa një bretkosë. Si rrënjë salepi më ngjau. Nuk ishte salep, i thoshin sake, ashtu quhej edhe rakia, me të njëjtin emër. Vetëm kinezi që kisha përballë bënte dallim, pinte verë të kuqe, ashtu si edhe unë. Pjestarët e delegacionit të huaj më dukeshin njësoj nga që kishin veshur të njëjtin kostum të mbërthyer gjer në grykë, ngjyrë kaki. U ngritën mjaft shëndete. U fol shumë për parimet marksiste. Kinezët lavdëro neve e pala jonë lavdëro pa kursim ata. Tek pjata e pestë tavolina u gjallërua dhe atmosfera u bë më e nxehtë. Pija na kishte dhënë vrull e gjallëri, me përjashtim të zëvendës kryetarit të delegacionit kinez i cili nga fillimi në fund kishte të njëjtën sjellje dhe qëndrim, madje edhe vështrimin përmes qerpikëve e kishte të njëjtë. Nuk di pse rrinte ashtu, si i ngurosur dhe i karfosur brenda kostumit ushtarak. Nga ana jonë vetëm unë nuk kisha folur asnjë fjalë gjer atëherë. Si kështu? Do të dilja pa e zbërthyer gojën fare!? M’u duk vetja si idiot. Mora guximin dhe vendosa të ngre një shëndet, le të dalë ku të dalë, mendova. Këtë radhë nuk e pyeta shokun Petrit. Me sa duket vera e kuqe më kishte trimëruar. Mora gotën, e mbusha plot e përplot dhe iu drejtova kinezit që kisha përballë. Fiksova emrin e tij sipas asaj që ishte shkruar në prizëm dhe i thashë kështu:

Shoku Lu Xi, dua të marrim një shëndet për udhëheqësin tuaj të lavdishëm e largpamës, shokun Mao Ce-Dun, të rrojë sa mali ynë i Tomorrit!

Pa mbaruar fjalët e urimit, sa përmenda emrin e Mao Ce-Dunit, anëtarët e delegacionit kinez u ngritën vrik më këmbë, në një kohë, të gjithë tok, si me sustë. Pas tyre edhe ne shqiptarët. Zëvendësit të palës kineze i qeshi fytyra dhe sytë si fasule i hapi pak më shumë se zakonisht duke i bërë si pula kur kërkon të gjuajë kokrrat e misrit. Ishte hera e parë që ai buzëqeshte.

Shëndetin e ngrite mirë, po të kanë plasur sytë, - më tha shoku Petrit duke më ngrirë buzëqeshjen në buzë - ke tri orë përballë saj dhe nuk e sheh që është shoqe, jo shok. Shyqyr që shefat e saj nuk dinë shqip, por ajo është përkthyesja e tyre. Shihe tani si ajo qesh me ty. Di shqip më mirë se sa unë e ti.

Dreq o punë! Më djersitën pëllëmbët e duarve. Vërtetë që ajo duhet të dinte shqip. Ktheva kryet ndaj saj. Përpara buzëve kishte vënë një pecetë të bardhë dhe nuk pushonte së qeshuri. Ama nënkryetari nuk mund ta shihte profilin e saj sepse e pengonte një kinez tjetër. Ia ngula mirë sytë kinezes, vërtetë që duhet të ishte femër. Sa i pavëmendshëm isha treguar! Kaq afër dhe nuk e kisha vënë re. Pas atij momenti po e studioja me vëmendje, pavarësisht se ishte shumë vonë. Flokët i kishte pak më të gjatë se të tjerët, pis të zez, të hedhur mbrapa e të kaluara mbi vesh, fytyrën e kishte të lëmuar dhe duart të vogla. Nuk isha mësuar me kinezë, ishte hera e parë që rrija afër tyre. Gjatë asaj mbrëmjeje më shumë ndiqja kryeredaktorin sepse ai fliste gjatë gjithë kohës. Pastaj Lu Xi, kështu quhej, uli pectën, pushoi të qeshurit dhe më ngjau se me vështrimin e saj më thoshte: “Nuk ke faj, me këto uniforma ne të tërë njëlloj dukemi”.

Vazhduam akoma. U erdhi radha mysafirëve të ngrinin dolli për Udhëheqësin tonë. U ngritën të gjithë më këmbë me gotat në duar. Përmendën fjalë për fjalë ato që thashë unë duke e zëvendësuar malin e Tomorrit me malin Makalu.

Po këta kodoshat, - më tha shoku Perit me zë të ulët - ku e gjetën malin Makalu, pse nuk thanë Everesti.

Makalu? Edhe unë e dëgjoj për herë të parë. Mbase e dinë që Tomorri për nga lartësia është i treti dhe ata na janë përgjigjur po me malin e tretë - i thashë unë.

Bravo, je i mprehtë, ajo duhet të jetë, ke qëlluar në shenjë - më tha Petriti duke më përgëzuar. Gazetarja Lu ishte gjithë sy e veshë. Po mundohej të kuptonte çfarë po më pëshpëriste Petriti në mënyrë sekrete, por kolegu im foli aq ngadalë sa edhe unë mezi e dëgjova.

Përpara frutave, kur erdhën ëmbëlsirat, e pati radhën përdorimi i lugës së gjashtë dhe të fundit, më e vogla nga pesë të tjerat. Mezi e shtyva kremkaramelen, por nuk mund ta lija në pjatë. Ishte e para herë në jetën time që kisha ngrënë aq shumë. Me lezet, pa më vënë re askush, zbërtheva rripin, e çova një vrimë më përpara. Mora frymë i lehtësuar. Pikërisht në atë kohë, kryeredaktori i gazetës “Zheminzhibao” e mbylli darkën. Ishte ora një pasmesnate. Të gjithë shkuan nëpër dhomat e hotelit, ndërsa mua më duhej të zbrisja me këmbë drejt apartamentit, në fund të qytetit. Dola në ajër të pastër. Nuk m’u duk ftohtë. Yjet vazhdonin rrugën e tyre në qiell, ashtu si miliarda vjet me radhë, ndërsa unë timen, drejt familjes. Duke ecur, solla ndërmend gjithë darkën zyrtare. Nuk qenkishte keq të shoqëroje delegacione. Futa me kujdes çelësin në bravë, hapa derën e shtëpisë dhe nisa të zbath këpucët, kur më vjen zëri i njohur i sime shoqeje nga dhoma e gjumit:

Fasulet i ke mbi sobë.

*** 

Të nesërmen duhet të takoheshim me delegacionin kinez në hollin e hotel “Turizmit”, fiks në orën dhjetë paradite. Kisha kohë për të blerë një dhuratë të vogël për gazetaren të cilën në një fare mënyre, duke e marrë për mashkull, e kisha fyer. Bleva një kuti prej druri sipër së cilës ishte gdhendur me pirografi një shqiponjë me dy krerë. “Me siguri kjo dhuratë ka për ta zbutur”, mendova. Nuk isha i gabuar. Sa e hapi, lëshoi një piskamë si ato të zogjve kur i gjuan në ajër fajkoi. U mblodhën gjithë pjestarët e delegacionit dhe diçka thoshin me njëri-tjetrin, por përkthyesi ynë nuk kishte mbërritur ende dhe ne nuk mund të kuptonim asgjë nga ai bashkëbisedim me tinguj grykorë. Gazetarja Lu nuk e mbajti shumë dhuratën nëpër duar sepse ia dorëzoi nënkryetarit të delegacionit. Nuk e kuptova pse nuk e mbajti për vete? Pa kaluar asnjë çerek ore, kur në mënyrë solemne, duke u çuar më këmbë, kryeredaktori i gazetës “Zheminzhibao” më dhuroi mua një kuti duhani prej zinku, ngjyrë ari e cila kishte të gdhendur përsipër një dragua. Sy më sy e kokë për kokë; as e kisha menduar se dhurata ime qenkishte zyrtare. Kështu ndodh kur nuk ke përvojë me pritjen e përcjelljen e delegacioneve.

Vizitat i nisëm nga “Muzeu i armëve”. Nuk e kuptova se çfarë interesi të jashtëzakonshëm kishin ata për armët, në fund të fundit ato i takonin së shkuarës. Shpatat, heshtat, revolet, pushkët e të gjitha llojeve, topat, automatikët, mitralozët… i fotografuan me qindra herë. Përkthyesit tonë iu tha pështyma në grykë duke shpjeguar e dhënë hollësira për çdo armë. Nënkryetari i delegacionit bëri një vrejtje. Diku ishin vendosur mjetet se si prodhohej baruti në vendin tonë në mënyrë artizanale.

Është gabim, barutin e kemi prodhuar ne të parët, - tha nënkryetari i delegacionit. Asnjë nga ne nuk iu përgjigj sepse askush nuk e njihte këtë fushë. Sidoqoftë vrejtjen e tij e mbajtëm shënim.

Pastaj dolëm nga kubetë e kalasë dhe u gjendëm në sheshin sipër, ku bëheshin festivalet folklorike. Prej aty, nga të katër anët e horizontit, peizazhi ndryshon, të ngjan vetja sikur ke hipur në një anije gjigande dhe po çan mes për mes luginën e Drinos. Secili nga miqtë u shpërnda për të bërë foto, ndërsa unë mbeta me gazetaren Lu Xi. E pyeta pse ishte aq indiferente në muzeun e armëve.

I urrej armët, - më tha ajo me zë të ulët dhe buzë të shtrënguara - prindërit e mi kanë vdekur pas një bombardimi të japonezëve. Isha një vjeçe, duke luajtur në oborr. Presioni më hodhi në rrugë, por edhe pse e plagosur, kisha shpëtuar. Emri im do të thotë “Gëzimi i Rrugës”, kështu më thirrën gjyshi dhe gjyshja. Emër që e kam edhe sot.

E vërejta me kujdes nga majat e flokëve e gjer tek këpucët prej rrobe. Në cepin e majtë të syrit kishte një gjurmë plage. Nuk di pse më pushtoi një ndjenjë keqardhje për të. Prindërit nuk i mbante mend fare, as momentin si u gjend në rrugë. Çudi si është fati i njeriut!

Pastaj të gjithë së bashku vizituam lagjet karakteristike të Gjirokastrës të cilat ishin ruajtur mirë, por shumë nga të zotët i kishin braktisur dhe kishin shkuar me punë në kryeqytet. Gjirokastra është qyteti më atraktiv, një muze gjigand që ka lënë me gojë hapur gjithë vizitorët e huaj.

Shih ku keni jetuar ju, shtëpi familjare, por këto janë si kështjella më vete, ndërsa ne kemi jetuar dhjetë frymë në një kasolle me kallama, - më tha kolegia kineze e trishtuar, por nuk i dëgjova mirë fjalët e fundit sepse kryetari i delegacionit më kërkoi të dinte ku ishte xhiruar filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” që bënte fjalë për dy Heroinat e Popullit Bule Naipi e Persefoni Kokdhima të cilat gjatë luftës ishin varur publikisht në mes të qytetit. Ishim pikërisht në lagjen ku ishte xhiruar filmi kushtuar atyre.

Ne mësojmë nga ju, - më tha Kryeredaktori kinez - në kinematë tona shfaqen vetëm filmat tuaj, të asnjë shteti tjetër. Ato i kanë parë miliona kinezë. Janë filma me partishmëri të lartë. Dhe vazhdojmë t’i shohim, sidomos ata me luftë. Unë i kam parë disa herë. Ju nuk e dini se sa shumë të njohur jeni tek ne! Sinqerisht ne mësojmë shumë nga ju.

Si, mësuakanë nga ne!? Nuk e besova. Unë desha t’i kujtoj emrat e regjisorëve të atyre filmave, një pjesë prej të cilëve i kisha të njohur, por ishte e kotë sepse ai ishte i interesuar vetëm për përmbajtjen ideologjike të këtij zhanri. Gazetarja Lu që po përkthenete i kishte mësuar përmendësh titujt e filmave dhe më plotësonte atje ku unë i harroja. Pastaj ajo më pyeti në se shihnim filma amerikanë apo anglezë.

Shumë rrallë, ne më shumë shikojmë filma italianë të neorealizmit, - iu përgjigja unë i sigurtë.

Ndërkohë gazetares Lu i duhej të vraponte pranë zëvendës kryetarit të delegacionit i cili donte të dinte çdo lloj bisede. Këta paskishin ca rregulla të çuditshme! “Jo, mendova, ne jemi krejt ndryshe, do zoti nuk bëhemi si këta, kaq të ngurtë, kaq strikt, si kukulla të komanduara”. Kisha një dyshim të vogël se gazetarja Lu ishte më ndryshe nga të tjerët. Intuita nuk më kishte gabuar. Ajo më pyeti për veprën e Kadaresë “Kronikë në gur”. Deshi të dinte se ku ishte burgu familjar në shtëpitë gjirokastrite, gjë që e kishte lexuar në roman. Të tjerëve, kolegëve të saj, nuk u interesonte kjo hollësi dhe unë i tregova se ishin të rralla shtëpitë që kishin burg familjar. Ndoshta ky është një grotesk i Kadaresë.

Në cilën gjuhë e ke lexuar, me sa di në kinezçe nuk është përkthyer Kadareja? - e pyeta unë.

Në frëngjisht dhe në shqip, - m’u përgjigj ajo duke buzëqeshur.

Ku e ke mësuar frëngjishten?

Në Paris, kam qenë dy vjet, di që edhe udhëheqësi juaj aty ka mësuar. Interesant si nuk jeni lidhur me Francën!? - më pyeti ajo. Ishte pyetje djegëse, me spec, shumë e rëndë për shpatullat e mia. Bëra sikur nuk e dëgjova. Kërkova me sy ku ishte shoku Petrit. Ishte larg, sigurisht nuk na kishte dëgjuar. Ndryshe më duhej edhe mua të raportoja, ashtu siç bënin kinezët. Me lezet e kalova bisedën gjetiu. I tregova një shtëpi karakteristike mbuluar me rrasa guri, ngjyrë gri, ku me një hap nga rruga mund të hipje mbi çatinë e saj. Ajo qeshi duke më vështruar ngultazi dhe bëri sikur do të hidhej mbi ç

***  

Të nesërmen duhet të niseshim herët për në qytetin e Beratit. Realisht delegacioni kinez duhet të takonte të verbrin Fuat Çela i cili bënte 400 ditë pune në vit. Shoku Petrit më tha se unë duhet të shoqëroja gazetaren Lu dhe nuk do të shkoja me delegacionin në Çorovodë. Ajo do të bënte fotografi brenda qytetit të Beratit. Edhe këtu u vendosëm në hotel “Turizmi”. Li Xu ishte shumë e gëzuar që do të punonte në mënyrë të pavarur. Hëngrëm drekë shpejt e shpejt, u ngjit në dhomën e saj në hotelit dhe u kthye e veshur me një kostum të lehtë sportiv. Ngjante më e brishtë e delikate, por e shkathët si një ketër. Vura re se këmbët i kishte shumë të vogla. Interesant, mos i ishin djegur nga bombardimi!? Por ajo ecte shumë normal, nuk kishte asnjë pengesë në lëvizje, vetëm hapat i bënte shumë të vogla, por të shpejta. Nuk ishte koha për përsiatje; duhet të punonim. Detyra mbi të gjitha. U lëshuam rrugëve e rrugicave të Beratit.

Të lutem, mos na fut në ndërmarrje apo muze, - m’u lut ajo me një zë të butë si kadife.

Edhe sikur të jenë ndërmarrje të falura nga Kina? - e provokova unë.

Edhe nga vetë Çu En Lai, - tha ajo. Interesant përmendi zëvendësin e kryetarit Mao dhe unë vura re një ngjyrim ironik në tonin e zërit të saj. Me sa duket kishte nisur të shtonte doza besimi tek unë, por mund edhe të ishte një provokim. Përsëri bëra sikur nuk dëgjova asgjë nga fjalët e fundit dhe e kalova bisedën në temë tjetër. I tregova një tufë dallandyshesh që ishin radhitur mbi një tel telefoni. Atëherë lidhja me telefon në ato pak shtëpi apo zyra vinte me linja ajrore. Ajo e ndoqi me sy zinxhirin e dallëndysheve që dukeshin si perla të zeza në një varëse argjendi. I fotografoi me qejf të madh në disa këndvështrime.

Ku ka dallandyshe, ka ajër të pastër dhe qetësi, - tha ajo - shikoji sa të shpengura, sa të lira, sa të bukura. Po bëhen gati për shtegtim. Për ato nuk ka kufij shtetesh. Ka liri pa fund. Ku shkojnë vallë?

Tek Çan Kai Shia, - bëra humor unë, pastaj vazhdova seriozisht - me sa kam dëgjuar në vendet e ngrohta, në Egjipt, nuk besoj të arrijnë gjer në Kinë.

Mos e përmend atë emër në sy të kolegëve të mi, - më këshilloi ajo miqësisht duke rrudhur vetullat, - Çan Kai Shi është armiku më i madh i Partisë Komuniste Kineze.

U pendova që bëra humor politik. E ku ta di çfarë është kjo gazetare!? Unë sa e kam njohur. Vazhduam me fotografimet. I bënin përshtypje shtëpitë një mbi një (nuk quhej kot “qyteti i një mbi një dritareve”). Vazhdonte të fotografonte qytetarët beratas si ngjiteshin e zbrisnin në rrugët e rrëpirta prej kalldrëmi duke mbajtur çanta me ushqime apo fëmijë të vegjël në duar. “Këta qytetarë janë racë e fuqishme edhe pse disa janë të dobët, si të paushqyer! Ju si popull ndryshoni shumë nga francezët, megjithëse banoni në një kontinent.”, më tha ajo duke më parë drejt e në sy. Unë e ndiqja me vëmendje dhe shikoja se si e zgjidhte objektin për fotografim, këndvështrimin, si e përcaktonte fluksin e dritës, shprehjen e fytyrës dhe vërtetësinë. Pa dyshim ishte ndryshe nga gazetarët e tjerë kinezë të cilët u qepeshin fabrikave, uzinave, hidrocentraleve dhe kantiereve të ndërtimit, sidomos aty ky makineritë kishin ardhur nga Kina. Sigurisht që ajo ishte diçka ndryshe. Vazhduam. Duhet të kapërcenim një mur. Fillimisht ajo hezitoi, pastaj hodhi aparatin fotografik krahëqafë dhe më zgjati të dy duart. E tërhoqa fort dhe ajo u përplas mbi gjoksin tim. Qëndroi vetëm tri sekonda, pastaj u shkëput menjëherë sikur të kishte prekur zjarrin. Nuk mund ta shikoja nëse ishte skuqur në faqe sepse më kishte kthyer krahët. Ishim të dy në të njëjtën moshë. Përnjëherë, sikur t’i ishte kujtuar diçka, pa orën dhe tha e shqetësuar:

Është koha e darkës.

Morëm rrugën e kthimit. Ecnim përkrah njëri-tjetrit. Të isha në një ritëm me gazetaren Lu, bëja hapa të shkurtër. Ajo e vërejti këtë dhe m’u var përkrahu duke buzëqeshur. Foli në frëngjisht: “Tu es tres bon!” (Je shumë i mirë). Lavdi zotit që nuk isha në qytetin tim me këtë kineze të varur pas krahut. Po matesha t’i thoshja se për shkak të mentalitetit shqiptar nuk ishte mirë të më mbante për krahu, mirëpo me t’u afruar tek hoteli, e hoqi dorën vetë. Shyqyr që nuk e prisha gojën.

*** 

Gjatë darkës ne folëm për ushtarin kinez Lej Fen, heroin që kishte pushtuar shtypin dhe radiot. Çdo ditë flitej për mrekullitë, punën heroike dhe humanizmin e tij. Para se Lej Feni të binte heroikisht në krye të detyrës (një tra i rëndë i ra në çaçkë të kokës teksa përpiqej të shpëtonte kamionin, këtë pasuri të përbashkët), ai kishte mbajtur një ditar. Gati unë i dija përmendësh disa fragmente të këtij ditari: “Kryetari Mao Ce-Dun i ngjan babait. Ideologjia e Kryetarit Mao i ngjan Diellit. Babai në çdo rast kujdeset për mua. Dielli më rriti mua… Sa largpamës jeni ju Kryetari Mao Ce-Dun!”.

Po ky Fuat Çela juaj, çfarë bën? - më pyeti ajo si kundërpeshë.

Fuati kur ka qenë 12 vjeç është qorruar nga një bombë e mbetur nga lufta. Edhe pse i verbër nga të dy sytë, ai punon. Viti ka 365 ditë, ndërsa ai realizon 400 norma. E zbuloi ambasada kineze e para. I çuan edhe një dhuratë. Fshati e quante spiun kinez deri sa u prononcua udhëheqja jonë. Ministri i mbrojtjes i dhuroi një automatik dhe Fuati u bë i rrezikshëm se stërvitej natën duke e lidhur objektivin me një fill spango, pastaj shtinte me automatik dhe qëllonte në shenjë. Sonte, po natën do bëjë qitje për nder të delegacionit tuaj. Mos harro, qitje në errësirë.

Në errësirë? Po ai njësoj e ka si natën, si ditën. I martuar është Fuati?

Jo, po Lej Feni ka qenë i martuar? - pyeta unë.

Jo, thoshte se jam i martuar me Partinë Komuniste.

Fuatit i kanë propozuar për martesë tri vullnetare në hekurudhë, por i ka refuzuar.

Për shkak të dashurisë për Partinë? - pyeti Lu Xi.

Jo, nuk ka thënë kështu, i ka ardhur ligsht që ato, vullnetaret mund të vuajnë duke jetuar me një të verbër.

Interesante, gjykim i drejtë. Çfarë tjetër bën Fuati? - deshi të dijë ajo.

Bën shporta dhe kanistra. Di të lexojë në sistemin brail. Ato rrugë dhe shtigje që mban mend kur ishte me sy, i bën edhe sot, pa udhërrëfyes, - i shpjegova unë. Bisedat për dy heronjtë nuk kishin të mbaruar. Të nesërmen do t’i kujtonim përsëri.

*** 

Pas darkës dolëm në ajër të pastër. Po ecnim buzë lumit Osum. Nga të dy anët nxinin konturet e maleve dhe midis tyre, si një shirit argjendi gjarpëronte lumi duke reflektuar dritën e yjeve. Një meteor i madh u shkëput nga qielli në drejtim të lagjes Mangalem dhe vazhdoi të shkëlqente deri sa u shua pas malit. Lehu një qen disa herë, pastaj qetësi. Diku nga larg vinte jehona e një muzike vallëzimi. Lu Xi ndali këmbët, ktheu fytyrën andej nga vinte melodia dhe pastaj më pyeti:

Ka klube vallëzimi ky qytet?

Nuk e besoj, - iu përgjigja.

Po nga vjen kjo muzikë?

Të shtunave nxënësit e shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara”, siç më kanë thënë, bëjnë mbrëmje vallëzimi, ka mbetur traditë që nga koha e pushtimit italian, nuk jam i saktë, ndoshta është edhe “mbeturinë” e ish miqësisë me Bashkimin Sovjetik.

A mund të shkojmë? - ngulmoi gazetarja Lu Xi.

Pse jo, nëse dëshiron, - iu përgjigja me qejf dhe ajo pa mbaruar frazën m’u hodh në qafë e gëzuar. Isha pa vëmendje, desh më rrëzoi për tokë.

A mundesh ta mbash sekret nga grupi im që do të shkojmë në mbrëmje vallëzimi? - më tha duke zgjatur dorën.

Patjetër, por unë nuk shikoj asgjë të keqe, ne jemi gazetarë, jemi të lirë, - iu përgjigja. Ajo heshti, pastaj kaloi pëllëmbën tek sytë. Ishte gjysmë errësirë dhe unë nuk e shqova qartë nëse lotoi apo jo.

Bëjmë kështu, - propozoi ajo - shko konfirmoje që do të marrim pjesë në atë mbëmje. Veç nuk dua të prezantohem si kineze dhe pjesmarrëse e delegacionit. Unë do të shkoj të vishem në dhomë, takohemi para hotelit.

Prit, do të vij unë të të marr aty, nuk do të kalojmë para sportelit, por nga dera e pasme, nëpërmjet kuzhinës. Sportelistët e hoteleve janë informatorët më të zellshëm - i thashë unë.

Tres bien (bukur), - tha ajo duke më puthur me vrull në faqe. Uau, kinezet ditkan të puthin! Unë nuk kisha parë në asnjë film që ata të putheshin. Nuk isha i qartë: i kishte ndaluar Partia të putheshin apo ashtu e kishin traditën. Kisha idenë se ata vetëm sa ciknin hundët kur donin të shprehnin dashurinë.

Nuk e pata fare të vështirë konfirmimin për pjesmarrjen tonë në mbrëmje. Takova organizatorët dhe u prezantova kush isha. U tregova se shoqëroja një gazetare të huaj, pa ju thënë se ajo ishte kineze. “Ty të njohim nga shtypi, nuk ka nevojë të marrim leje në drejtori. Është kënaqësi t’u kemi midis nesh.”, më tha duke buzëqeshur me mirësjellje një mësuese e re, bionde, veshur më bukur se të tjerat.

Unë të përfytyroja të madh në moshë, por ti qënke kaq i ri, - më tha mësuesja bionde duke më përpirë me sytë e saj të kaltër.

Nuk je e para që ma thua, kjo ndodh për shkak të gjatësisë së emrit, familja ime është bektashiane dhe emrin ma kanë vënë në Teqenë e Zallit, në Lazarat, - e sqarova unë.

Ua, edhe prindërit e mi janë bektashianë! Jemi nga Skrapari, - tha ajo e befasuar.

Nuk kisha kohë ta zgjatja bisedën, duhet të kthehesha në hotel. Vrapova si veriu. Trokita në derën e dhomës së gazetares Lu Xi dhe i thirra që nga jashtë: “U konfirmua, jemi të mirëpritur!”. Hapi derën e dhomës dhe më ftoi të hyja brenda. Kishte lidhur kokën e lagur me peshqir dhe supeve kishte veshur një penuar të hollë.

Jo, po të pres këtu në korridor, - i thashë i vendosur duke vështruar këpucët e mia gjithë baltë.

Si të duash, ne kinezët mund të hamë gjarpërinj, por jo njerëz, - bëri ajo humor. Të hyje brenda dhomës së saj duhet t’i bëje mirë llogaritë. Nuk kisha ndërmend ta humbisja punën.

Shkova në banjën në fund të korridorit dhe pastrova këpucët. U pashë në pasqyrë, dhe u rashë flokëve me dorë duke përdorur gishtrinjtë në vend të krehërit. Kot kisha refuzuar të hyja në dhomën e saj. Ndoshta nuk do të ndodhte asgjë. M’u desh të pres fiks njëzetë minuta si idiot përpara derës. Më në fund doli. Nuk u besoja syve. Krejt e ndryshuar, krejt e transformuar. E para gjë që më ra në sy ishin buzët ngjyrë vishnje, sytë me rimel, flokët e krehur baluke gjer mbi vetulla dhe fustani gjer në gju, me pak pala që unë nuk e kuptova si mbahej ashtu mbi gjoks, pa rripa fare. Pastaj, për t’i mbuluar supet borë të bardhë si alabastër, hodhi përsipër një triko të hollë. Ngjante si një flutur.

Perëndi e madhe, sa shumë ke ndryshuar! - thashë i habitur duke kapsallitur sytë.

Vërtetë? Të pëlqej?

Shumë, në shqip ne themi dukesh si zanë.

Pikërisht për këtë vuaj kur vishem me kostumin standard, zyrtar: burrat nuk e kthejnë kokën të më shikojnë. Kjo për mua është vuajtje, ashtu siç bëre ti në mbrëmje, natën e parë. Të mos ishte lulja e bukur, nuk i afrohej bleta, rrjedhimisht nuk do të bëhej as fekondimi. Të mos jetë drenushja e hijshme, nuk i afrohet dreri mashkull. Këto janë ligje të natyrës e ne njerëzit nuk ka përse të jemi kundër natyrës dhe harmonisë së saj, - tha ajo duke më hetuar me sy. Qënkishte më shumë e zgjuar dhe e ditur nga sa mendoja. Fliste si një filozofe. I paskishte bërë përshtypje indiferentizmi im i natës së pare përderisa ma kujtoi këtu.

Ikim madamë, nuk ka kohë, drejt kuzhinës, e diskutojmë një herë tjetër këtë temë, - i thashë unë duke i rënë lehtë mbi shpatulla dhe u nisëm të zbresim shkallët, pastaj u kujtova - prit, ku e ke aparatin fotografik?

Pse, duhet?

Si jo, ne na çon detyra në atë mbrëmje, - arsyetova unë. U kthye në dhomë me përtesë, jo shumë e bindur. Kur doli, aparatin e mbante për rripi, si për punë angari. Gati i prekte mbi parket. Kur u afrua, ma zgjati mua. Donte ta shijonte gjer në fund kënaqësinë e të dukur hijshëm, bukur, pa angazhime. Ishte një zonjushë e vërtetë, lozonjare, vajzë sallonesh, nuk dukej aspak si gazetare. Kur dolëm në rrugë më tha:

Këto rroba i kam ruajtur që nga Parisi, nuk i kam veshur asnjëherë në Kinë. I mora me vete këtu në Shqipëri, Europë, mendova, ndoshta do më duhet t’i vesh diku. Të jam shumë mirënjohës që ma dhe këtë mundësi. Ndjehem e lirë, e lirë, dua të fluturoj… - tha me një zë prekës, gati si vajtim.

Më erdhi shumë keq për të. Ndjeva një dhimbje të pafund. I shkëlqenin sytë e zinj në formë bajame. Faqet i kishin marrë një ngjyrë të purpurtë. Ah, “Gëzimi i Rrugës”, mendova. Ndjeva të ngjethura në krejt lëkurën. I futa krahun ëmbëlsisht pa e pyetur dhe ajo u mbështet lehtë në supin tim. Ndjeva parfumin e saj të veçantë, nuk e përcaktoja dot markën, lere më që unë atëherë isha tapë topi me parfumet. Njihja vetëm kolonjën. Kështu ecëm deri tek salla e vallëzimit. Na dukej se ishin ngritur nja dy pëllëmë nga toka dhe ecnim në ajër. Nuk ishte nevoja të trokisnim sepse mësuesja bjonde na priste tek dera. “Gazetarja di shqip” nxitova t’i them unë për t’i paraprirë ndonjë ngatërrese. Salla na priti me duartrokitje. E shikova me kujdes kolegen Lu Xi. Ndjehej si në ëndërr, e përhumbur. Rrotullonte sytë nga të katër anët. Gjithë vështrimet ishin përqendruar tek ajo.

Le të fillojë muzika, - tha mësuesja bionde dhe pa një pa dy më tërhoqi për dore duke më ftuar në vallëzim. Ishte një foks. Nuk më la kohë të shpjegohesha.

Kam një lutje, - i thashë - të respektojmë zakonin shqiptar, mysafirja e para.

Po, kam menduar edhe për atë, - më tha ajo duke më rrahur lehtë shpatullat - do ta ftojë në vallëzim mësuesi i fiskulturës. Ktheva kryet dhe vërtetë një djalë truphedhur, tip atleti, simpatik, po i lutej për kërcim. Ia bëra me shenjë të çohej dhe po ndiqja me sy çdo lëvizje të saj. As po ua vija fare veshin fjalëve lavdëruese që thoshte mësuesja bionde për reportazhet e mia. E paskisha aty një fanse. Gjithë vëmendjen e kisha tek Lu Xi (Gëzimi i Rrugës). Mos vallë i ngeli hatri që kërcimin e parë nuk e bëri me mua? Kishte zbritur në pistë. Ajo rrotullohej si një flutur, dukej si një balerinë e vërtetë, e lehtë si pupël. Të dy me mësuesin e fiskulturës po bënin shou. Një çift vërtetë i kombinuar perfekt. Partneri i saj ndihej tepër i kënaqur dhe sapo afrohej tek miqtë e vet të ulur mbi stola, u shkelte syrin me djallëzi. Kishte të drejtë, madama e tij shkëlqente në gjithë pistën e vallëzimit. Pas ca muzika ndaloi dhe ne u kthyem nëpër vende. Nuk e pyeta se si ndjehej. Dukej nga sytë që ishte gëzuar, e lumtur. Mbi fytyrën e saj lulëzonte një buzëqeshje magjepsëse. Kishte bërë diçka ndryshe nga kolegët e saj, madje vjedhurazi. Po e shijonte aventurën. Domosdo me mbështetjen time.

Do kërcejmë së bashku? - Më pyeti me një zë lutës. Në jetën time asnjë femër nuk më ishte drejtuar ashtu, me atë zë aq prekës e të ëmbël. Në zërin e saj ndjehej admirim, respekt, përkushtim, domosdo edhe dashuri.

Lu Xi, ti kërce, mua më duhet të fut ca fotografi në aparatin tënd, - i thashë duke bërë rolin e shefit.

Atëherë as unë nuk po kërcej. Më duket se kemi ndërruar rolet. Me kaq pak ditë dhe u ktheve në kinez? - bëri ajo humor. Duke menduar se kishim mjaft kohë në dispozicion, u ngrita të fotografoj duke e shmangur atë nga fokusimi. Vazhdova të bëj lloj-lloj fotosh. Vallëzimi vazhdonte. Gati e mbusha filmin, ama një sy i stërvitur mund ta kuptonte që në ato foto nuk ishte as këndi i duhur dhe as dora e Lu Xi-së.

Dikush të kërkon tek dera, - më tha papritur mësuesja bionde. Hapa sytë: tek dera kishte mbirë papritur shoferi shqiptar i furgonit që mbartëte delegacionin. Çfarë kishte ndodhur? Mos o zot, aah Fuat Çela me qitjet natën…

Jo, jo, - tha shoferi - kinezëve nuk u pëlqeu hoteli dhe u kthyen. Pyetën për ty dhe ti kishe lënë lajm tek sporteli se do të shkonit në një mbrëmje për të fotografuar. Po ku e ke gazetaren? - pyeti ai i habitur.

Ec përpara, këtu është, lajmëroi kolegët se po vijmë, - i thashë i gëzuar që ai nuk e kishte njohur Lu Xi-në, megjithse ajo ishte aty më tej, përmes gjimnazistëve. Kur iu afrova Lu-së, ia shpjegova se shefat e saj dhe gjithë delegacioni ishte kthyer. Ndjeu një dridhje të fuqishme, sikur ta kishte kapur një rrymë elektrike. Sytë iu zmadhuan dhe i lëshonin xixa nga zemërimi. Dukej si një tigër i plagosur. Iu morën mentë. Gati sa nuk i ra të fiktë. U mbajt në krahun tim.

Mos ki frikë, ata nuk dijnë asgjë që je veshur si pariziene, do kthehemi në hotel nga dera e kuzhinës. Të garantoj, të siguroj unë, ki besim, nuk kanë për ta zbuluar. Në fund të fundit nuk jemi dele të na thonë “shtrihuni” dhe ne të shtrihemi, të na thonë të biem në gjunjë dhe ne të biem. Jo, ne kemi ndjenjat dhe dëshirat tona, - i fola kështu për t’i dhënë pak zemër.

Po sikur të jetë dera e mbyllur?

Jo, kuzhinieri na pret, e kam biseduar. Shqiptarët e mbajnë fjalën.

Më duhej t’i tregoja mësueses bionde se na kishte dalë një problem: kolegët tanë ishin kthyer nga Çorovoda dhe ne na duhej të shkonim urgjentisht në hotel duke e lënë në mes mbrëmjen e vallëzimit.

Kisha shumë dëshirë të bisedoja me ju për gazetarinë tha ajo, të të bëj ndonjë ftesë? – pëshpëriti me një pamje të përvuajtur - Dije se këtu në Berat ke një mikeshë. Mund të mbështetesh pa rezerva tek unë.

Pse jo, - i thashë duke qenë i bindur se nuk do të shkoja. Nuk desha t’ia prish dëshirën. Jo se nuk më pëlqente, por puna ime ishte në katër rrethet e Jugut dhe Berati nuk përfshihej ndër to.

Dolëm jashtë së bashku me Lu Xi-në. Asnjeri në rrugë, xhan xhin. Hëna si vetull ishte ngritur në qiell dhe jo vetëm lumi me valëzat e tij që shkëlqenin, por edhe gurët e lëmuar anash dukeshin qartë. Kolegia kineze dridhej si purtekë. Ndjeja zemrën e saj që rrihte si daulle. Mendonte rrebeshin që e priste. Kishte abuzuar me besimin e partisë së saj. Dhe unë e kisha mbështetur. Pavarësisht se si e ngushëlloja, ajo kishte të drejtë të frikësohej. Kishte thyer shumë rregulla mbi të cilat ngrihej ajo shoqëri e ngurtë diktatoriale kineze.

A mund të ikim me vrap, - tha ajo duke hequr nga këmbët këpucët me taka.

Posi jo, vetëm ruaju mos rrëzohesh, ruaju mos përplasesh mbi ndonjë gur, - i thashë unë.

Të gjitha frikërat ishin të kota. Plani im funksionoi për mrekulli. Ah, ne shqiptarët jemi të lindur për aventura. Vdesim për jetë klandestine. Kuzhinieri e hapi derën qysh kur na pa në rrugë. Gjithë delegacioni po na priste në bar-bufe. U ngjitëm lart, në katin e tretë nëpërmjet shkallëve të brendëshme. Pas pak Lu Xi doli e veshur me kostum, ashtu si ishte paraqitur në natën e parë gjatë prezantimit. E kishte mbledhur veten. Më buzëqeshi ëmbël dhe më shkeli syrin. Ishte e bindur se kishte shpëtuar. Aparatin fotografik e kishte hedhur në sup. Dolëm përsëri jashtë nga dera e kuzhinës dhe hymë nga dera kryesore, ballë për ballë me bar-bufenë. “E kam peng, ja këtu në zemër që nuk kërceva me ty. Bëre kaq shumë për mua”, më tha e përlotur. Nuk dija çfarë t’i thoshja. E pashë me kujdes kur dolëm në dritë të fortë. Vetëm unë e dija se poshtë qerpikëve të Lu-së, ajo ngjyra mavi, ishte mbeturinë rimeli e fytyrës së vërtetë të saj. Më erdhi keq që ëndërra franceze iu pre përgjysëm. Mjaft që kishte shpëtuar me kaq. Ekipi ku ajo bënte pjesë nuk kuptoi asgjë. Shefat dhe kolegët e saj e pyetën një nga një sikur të kishte zbritur nga hëna. Diçka u thoshte duke treguar mua me dorë. Ata thoshnin “Ho, ho, ho” (mirë, mirë), pastaj nënkryetari, me sa mora vesh më vonë ai qënkej sekretari i organizatës së Partisë të gazetës “Zheminzhibao”, m’u afrua përzemërsisht dhe tha diçka në gjuhën kineze.

Po të fton në Pekin me shpenzimet e tyre, - tha përkthyesi ynë - të pyet, ke qejf të shkosh?

Po si jo, është nder për mua, rroftë Kryetari Mao Ce-Dun! - u përgjigja shpejt e shpejt.

Lu Xi më shkeli syrin djallëzisht. E kishte marrë veten. Me sa kuptova kishte kontribuar mjaft për t’u bërë ajo ftesë e cila u bë shkak të ftohem me kolegët e punës, madje edhe me shef Petritin, specialistin e delegacioneve. Ishte hera e fundit që e pashë Lu Xi, “Gëzimin e Rrugës”. Ftesa kineze nuk u realizua kurrë. Partia e tyre  kishte devijuar nga rruga marksiste-leniniste; kishin ftuar për vizitë presidentin amerikan Nikson. Partia jonë nuk ishte dakord me këtë lëvizje diplomatike të Kinës dhe kjo solli ftohjen përfundimtare me ta.

 

Fund

Toronto, 24 janar 2019