Zona e krijuesve

Pesha e vargjeve-Nga Vangjush Ziko

Molla binte nën mollë
përpara se Njutoni
të zbulonte ligjin e rëndesës,
gjyshi s' rëndonte fare në mërgim,
guri i varrit në fshatin e tij
ia ktheu gravitetin e humbur,
era e shekullit më fryu
tej detesh,
peshën e rëndesës
ma korrigjoi poezia,
(mohoi përvojën e gjyshit
dhe të Njutonit bashkë)
pesha e vargjeve
më mban më këmbë
si statujat e gjigantëve
përballë tsunameve
në Ishullin e Pashkëve.