Zona e krijuesve

'Panteon Aheng'-Nga Artan Gjyzel Hasani

Në “Panteon Aheng” dritat s’fiken kurrë
dyer e dritare gjithnjë hapur rrinë
dalldi daullesh trullosin papushim
myshterinj të vjetër e të rinj
në kërkim të famës dhe lavdisë
që njëri-tjetrit i ngjasojnë aq shumë
sa duken sikur janë një…
nëna e bija, etër e bij,
miq e mikesha, krushq, kushërinj
këngëtarë, aktorë, filozofë
historianë, gjuhëtarë, poetarë, rapsodë
artistë, gazetarë,
akademikë doktorprofesorë
pa dallim seksi, besimi, ideje,
numër syzesh, proteze, kafeneje
të gjithë shkëlqimtarë
të të njëjtit vezullim…
të veshur veç me mbathje
lakuriqë, por krenarë
me gravata burrat e çizme gratë
duke pritur shkallareve të gjata
rradhën për në banjën e vetme
të “Panteon Aheng” ku mungojnë
të vdekurit dhe të pazotët…

Mirësevini në ”Panteon Aheng”
ku nuk e merr vesh i pari të dytin
ku të gjithë kuptohen aq mirë…
se të gjithë janë njëlloj
ku si një libër ua lexojmë fytyrën
dhe çdo gjë tjetër që kanë dëshirë
ku shkëmbehen suksese marramendëse,
lavdi, komplimenta ëngjëllore
shkëmbehen panteone
në dyshe, treshe, orgji…
që mbeten shtazënë me njëri-tjetrin
dhe bota fiton çdo çast panteonë të rinj
Panteonë motakë
Panteonë shtatanikë
Panteonë ekranesh
Panteonë panterash
në kërkim të gjahut të ri…

Ejani në “Panteon Aheng”
njëqind, njëmijë, një milion,
sa më shumë, aq më mirë
në një rrënojë të braktisur
miun do e dallonin lehtësisht
teksa lëpin bishtin e tij…
ejani t’ia rrisim lartësitë njëri-tjetrit
jemi kulla më e lartë
veç një kat poshtë Zotit
“Panteon Aheng” i Babelit!

Oh vajzë, je e mrekullueshme,
e jashtëzakonshme muzika juaj,
vetëtimë plot gjëmim, perlë në guackë,
kam humbur gjumin qëkur njoha panteonin tënd
Oh zotëri, edhe i juaji është kaq verbues
sa kam shpeshtuar vizitat te okulisti im…
Oh zonjë e moshuar, u mahnita nga vargjet e tua
ku keni qenë kaq shekuj vallë?
Oh, ju jam mirënjohës djalosh,
krenari të dëgjoj këto fjalë
nga një gazetar brilant si ti
Hej, miq të mi, e njihni atë zonjën
me mbathje çiklamin dhe sy të zinj?
Eshtë veterinere e doktoruar
që në kohën e lirë merret me histori…
Oh, ai tjetri që sapo doli nga banja
është diplomat karriere, deputet, poet
që ka hyrë edhe në antologji…
Le t’i shkëmbejmë panteonët pra,
për ty këtu gjithnjë ka një vend
nëse do ta pëlqesh panteonin tim,
do ta pëlqej edhe unë panteonin tend…

Hej, ti rishtar i gostisë orgjiatike!
Ku shkon ashtu serbes me duar në xhepa?
Një njeri pa panteon në këtë banket
është si kruajtëse dhëmbësh e papërdorur
harruar mbi një karrocë ortopedike…
Ti qyq kokëfortë vetmitar!
Ti thyerës i parruar pasqyrash!
Ti errës i shkëlqimit!
E pamundur prania jote këtu,
absurde
si një letër higjienike aromatike
dorëzuar e pazhubrosur pas përdorimit…

Dhe ti duartrokitës profesionist i papunë
veç një tastierë larg nga “Panteon Aheng”!
Ulu, shkruaj, çfarë të të vijë në mend,
ne jemi gati, po të presim me ngazëllim,
me dafina yjësish ta kemi shtruar udhën
njëqind artistë brilantë zbuluam veç dje
po aq pardje e më shumë nesër
së shpejti bëhemi një milionë
le të gëzojmë momentin siç e meritojmë
kësaj atmosfere kolektive gjenish…

Në panteon ahengu vazhdon
brohorima, fishekzjarre, gjëmime,
policë vullnetare do të derdhen rrugës
dhe ata lakuriq, por me shkop në dorë
do shqyejnë derën e ndonjë thatimi
në ndërtesën e vjetër përballë
që me një makinë të vjetër shkrimi
po i prish qetësinë “Panteon Aheng”
shtrak-shtruk
shtrak-shtruk
shtruk-shtrak….
“Panteon Aheng” i Babelit…


©artangjyzelhasani 2019