Komunitet

Orët e prera të Çamërisë - Nga Artan Gjyzel Hasani

Shënime mbi romanin “Gurët e vetmisë” të Enkel Demit, shkruar nën pseudonimin Tom Kuka

Librat e mirë të bëjnë t’i lexosh si një film. Librat shumë të mirë të bëjnë që filmin ta shijosh, jo si spektator i ulur në krah të autorit, por si personazh. Kjo më ndodhi me “Gurët e vetmisë".

Ngjarjet në roman zhvillohen ngadalë, por leximi bëhet i shpejtë edhe me ndihmën e fjalisë së shkurtër dhe dialogut të zhdërvjellët. Më shumë se një narracion i autorit, romani duket si një rrëfim fragmentar në gjendje hipnoze i vetë Çamërisë të shtrirë në shtratin frojdian të nënvetëdijes. Dhjetë rrëfime-kapituj, secili si gjurmë e një traume të caktuar historike në udhën e destinit.

Autori si njohës i mirë, jo vetëm i shqipes standard, por edhe i asaj dialektore, eksperimenton lehtësisht me mjetet shprehëse. Përzjerja e fjalëve arkaike me zhargonin urban bashkëkohor në një subjekt të mjegullt që vjen nga e shkuara i jep romanit një tingëllim çuditërisht modern. Një eksperimentim që vjen natyrshëm dhe aspak i sforcuar.

Në rreth 200 faqet e “Gurët e vetmisë” do të gjeni një shkrirje të absurdit me realitetin, dhimbjes me autoironinë, tragjedisë me humorin, destinit me shpresën, sensualitetit dhe erotizmit me komedinë, makabres me të natyrshmen. Një roman ku jeta merr kuptim veç me anë të vdekjes. Një grotesk që banalitetin e kthen në magjik. Një roman që merr frymë bashkë me ty.

Faqeve të “Gurët e vetmisë” do të gjeni lotë që pikojnë nga faqja dhe duke rënë thyejnë gurët e kalldrëmit, vështrime të nxehta dashurie që i shkaktojnë plagë në kurriz djaloshit, në sfond një kalorës me emrin Konstandin që akoma nuk ka mbajtur amanetin e përtejdheut, Avduli i vdekur prej kohësh dhe që akoma endet i pastrehë ndër vegimet e të gjallëve, më shumë i brejtur nga meraku për të shoqen e të birin sa sa nga balta, Muharrem Mërria, ky plak legjendar që nuk vdes dot, ngaqë fati e ka lënë të gjallë për të çamëruar (një fjalëformim spontan i imi ky) harresën me kujtime, varkari i të vdekurve, bisedat me të vdekurit, vllehë që hiqen si grekë, shqiptarë që hiqen si vllehë, grekë, religjiozë hokatarë, egjiptas, romë, karizmatiku shkodran Tom Kuka që pasi zhduket nga libri si personazh na shfaqet si autor, komunistët, internacionalistët, italianët, partizanët, “Re në pantallona” e Majakovskit dhe automobili e parë në Paramithi, kuplaraja e parë, meze dhe raki me shumicë, e plot personazhe të tjerë që nuk po i përmend për të mos e shuar kuriozitetin e lexuesve. Romani ka një dozë të kënaqshme humori fin, sarkazme dhe autoironie, të dhëna në tekst jo për të relativizuar dramën çame, por për të nxjerrë në pah pamundësinë për të ndryshuar destinin.

Pa ndaluar në analizën e detajuar të personazheve aq unikalë të romanit, (gjë që do të kërkonte një shkrim më vete) në këndvështrimin tim, personazhi kryesor de facto i romanit është Vdekja të cilën autori e ka pagëzuar me emrin Orëprera. Është ajo që u jep kuptimin jetëve të personazheve. Është orakulli i heshtur që flokëlëshuar gërryen truallin mbi të cilin ngrihet romani dhe nënvetëdijën e lexuesit. Orëprera i ka dhene romanit përmasën e vërtetë të vdekjes qe tek çamët nuk është diçka absurde, pjellë e fantazisë, por realitet, me të cilin ata kuvendojnë dhe shkëmbejnë mesazhe dhe kumte.

Duket sikur kjo lidhje dhe komunikim i pandërprerë i Parmithiotëve (dhe banorëve të atyre trevave të Sulit, Pindit) me Vdekjen është pjesë e destinit të paracaktuar nga mitologjia e lashtë greke.

Qyteti çam rreth të cilit vërtiten ngjarjet e romanit, Paramithia (që është edhe vendlindja e tim eti) quhej Ajdonat, për nder të Shën Donatit të antikitetit që ishte shenjtori mbrojtës i çamëve, një nga mrekullitë e të cilit ishte ringjallja e të vdekurve.

Grekët e thërrasin Ajdonatin Paramithi, pra me njërin nga emrat e Shën Mërisë. Për më shumë, një ndryshim ne theks i shqiptimit të fjalës greke Paramithi e shndrron atë në përrallë, diçka pranë mitit.

Buze qytetit Paramithi ndodhet lumi Cocytus, nje nga lumenjte mitologjike, që derdhet në lumin Akeron në anën tjetër të të cilit ndodhet Hades (Mbretëria e të Vdekurve).

Emri i tij përmendet nga shume poetë qe nga antikiteti e deri në ditet tona, si Dante, Virgil, Homer, Cicero, Aeschylus, Apuleiusand, Platon, etj

Përmendet në kryeveprën epike të John Milton, “Parajsa e Humbur”. Përmendet në “Titus Andronicus” të Shekspirit dhe në poemën “Gruppe aus dem Tartarus” të Shilerit.

Te “Ferri” i Dantes Cocytus është rrethi i nëntë dhe më i poshtmi në rrathët Nënbotës, rrethi i tradhëtarëve dhe i fallsifikatorëve.

Gjysëm ore larg Paramithisë ndodhet edhe Dodona e famshme e orakullit te Zeusit, sipas Homerit.

Pra, mendoni tani, per nje çast, banorët e një vendbanimi të tillë inkandeshent që prej 3000 vjetësh janë mbrujtur shpirtërisht me mitologjinë e vdekjes, deri në atë masë sa edhe sot raporti i çamëve me vdekjen vazhdon të jetë një realitet permanent surreal.

(Komunikimin me të vdekurit e kam hasur edhe në romanin e njohur “Kohë e djegur” të Thanas Medit, një sagë kushtuar vllehëve. Mendoj se, si bashkejetues në të njëjtën trevë të Paramithisë, Sulit dhe Pindit, çamët dhe vllehët kanë thithur jo rrallë të njejtin ajër mitologjik.)

Enkel Demi ka përdorur një teknikë interesante në kompozimin e romanit. Një teknikë që unë do ta pagëzoj me emrin “Iceberg” (Ajsberg).

Ajsbergu, ky bir zemërakull i ujit, ka pjesën më të madhe të tij të padukshme, të fshehtë, të mbuluar, ku drita e diellit humbet pushtetin dhe prek vetëm aq sa e lejon pasqyra e ujit.

Narratori nuk humbet kohë për të na rrëfyer në detaje pjesën e dukshme të ajsbergut çam, tragjedine dhe genocidin, masakrën dhe eksodin, por duke ndriçuar pjesën e tij të nënujshme i jep kuptimin e duhur asaj që duket, një Çamërie vibruese e të ndryshme nga ajo e vitrinës muzeale që na ofrojnë librat e historisë. Shpesh e padukshmja është e vërteta.  

Fusha të mbushura me korba dhe kufoma pa sy, zogj të ngordhur që bien nga qielli, gjarpërinj që pushtojnë udhët dhe shtëpitë e qytetit, gra gjinjëshqyera, mjaftojnë për të dhënë jo vetëm ekzistencën e masakrës, por edhe përmasën e saj. Romani ka skena që për nga bukuria e përshkrimit do të thoja që i kam ndeshur rrallë në letërsinë shqipe. Dashuri që djegin të rinjtë dhe pasione që dërmojnë pleqtë të përshkruar me një gjuhë poetike nanuritëse si ngrohtësia që shpërndan tymari në dhomën çame.

Në mbyllje të këtyre shënimeve, “Gurët e Vetmisë”, këtë libër shumë të mirë dhe të shkruar bukur nga Enkel Demi, tashmë per mua një shkrimtar që merret edhe me gazetari, do t’ua rekomandoja të gjithëve, veçanërisht atyre që mendojnë se ora e prozës rrëfimtare shqipe ka ngecur te Kuteli.

Toronto 2019