Zona e krijuesve

Dy skerco polare - Nga Vangjush Ziko

* * *

vargu im u mbars

këtë mars

si dega e thanës në ngricë,

rrokjet cicërinë,

shkundën krahët

mbushur me petale dëbore,

papritur fryu një erë,

kapa fluturimthi rimën

e puthur me fjalën pranverë,

akulli i vargut u shkri.

* * *

manushaqen

(që nën dëborën

e vargut tim mbiu)

eskimezi

e vu mbi tryezë

në vazo akulli,

i falet çdo mëngjes

hyjneshës pagane

të pranverës.

Tagged under Vangjush Ziko