Zona e krijuesve

Macja e zezë - Tregim nga Përparim Kapllani

Më erdhi tmerrësisht keq, kur ndërroi jetë Henry Nithercott! Aq keq, sa më dukej sikur kisha bërë ndonjë mëkat, që nuk i isha gjendur pranë, atë ditë kur kishte dhënë frymën e fundit. Jo për gjë, por ishte një nga qeraxhinjtë më të mirë që kam njohur. Henry jetonte në apartamentin e katit të parë të ndërtesës trekatëshe, që prej 18 vjetësh, pra shumë vite më parë se ta blija unë. Ngaqë kishte dalë në pension, rrinte gjithë ditën në shtëpi. Ishte rreth të shtatëdhjetave, me shtat nën mesatar, me flokë të rënë dhe një zë të zvargur dhe të rëndë. Mbrëmjeve të vona shikonte filma porno dhe zërin e televizorit e ngrinte ca si lart, aq lart sa nga pasthirrmat epshore tundej e gjithë ndërtesa. Si në të gjithë Amerikën e Veriut, muret ndarëse ishin të ndërtuara prej “dry wall”, - shtresa të lehta prej allçie, dhe dyshemetë prej dërrase e përcillnin shumë lehtë çdo hap që hidhej pa teklif. Më kujtohet si tani sesi blinte lule në Home Depot me paratë e veta dhe i mbillte në parcelën në krah të dritares së apartamentit të katit të parë. Kujdesej për plehërat e nxirrte koshat, njërin për riciklim, njërin për plehërat, dhe tjetrin për mbeturinat ushqimore çdo të mërkurë, pa kërkuar ndonjëherë pagesë për këtë shërbim falas. Shkulte barërat e këqija, prashiste parcelën përballë, njësoj sikur ta kishte shtëpinë e vet.

E mora vesh lajmin vetëm pas dy javësh që isha kthyer nga Europa. Danieli, qeraxhiu i katit të tretë, e kishte marrë vesh pas pesë ditësh, kur vuri re përmes perdeve të holla, se dritat e apartamentit të Henry-t dhe televizori rrinin natë e ditë ndezur. Një ditë Danieli e mposhti atë ndrojtjen e vet dhe trokiti disa herë në derën kryesore, madje edhe në dritaren e dhomës së gjumit dhe atë të banjos, por askush nuk u përgjigj. Danieli ndjeu një kundërmim të rëndë, që vinte nga poshtë derës kryesore dhe nga dritarja e dhomës së ndenjes, të cilën Henry e mbante pakëz hapur gjatë kohës së verës.  Një nga miqtë e Henry-t e mori në telefon disa herë, por nuk u përgjigj askush, përveç makinës së regjistrimit të mesazheve: “Hey, Henry jam. Më thuaj si është puna, por shkurt dhe mbylle telefonin!” Danieli dhe shoku i ngushtë i Henry-t u futën nëpërmjet dritares së hapur dhe e gjetën me pultin e televizorit në dorë, ulur në kolltuk. Vetëm atëherë morën në telefon numrin 911.

Kur mbërrita në shtëpi nga aeroporti Pearson dhe dëgjova mesazhet e Danielit, shkova menjëherë në apartamentin e Henry-t. Për çudinë time vura re Fionën, ish gruan e Henry-t që po pinte duhan në pragun e derës së hapur. Atë moment nuk e dija që Fiona ishte ish-gruaja e Henry-t. Ishte një grua e mbajtur, bjonde dhe rreth të pesëdhjetave. Sapo më vuri re, m’u afrua, më zgjati dorën dhe m’u prezantua se kush ishte. Ndërsa po flisja me të, vura re një kamion të bardhë të tejmbushur me mobiljet e Henry-t. Një burrë shtatlartë doli nga dera kryesore dhe më përshëndeti me kokë. Mërmëriti nëpër dhëmbë emrin e vet Brian McGill dhe si për t’u justifikuar për praninë e tij, më sqaroi se po shoqëronte Fionën. Teshtiu fort dhe drejtoi gishtin tregues nga kamioni.

“Pothuajse të gjitha mobiljet dhe plaçkat ishin të mbuluara nga pluhuri. Kot që i marrim me vete. Janë shumë të vjetëruara dhe nuk vlejnë asnjë grosh. Fiona ngul këmbë që t’i përlajmë të gjitha e t’i shesim.”

Brian ishte miku më i mirë i Henrit, gjer në ditën që ra në dashuri me Fionën. Henry më kishte thënë njëherë që e shoqja kishte marrë me vete djalin e tyre të vetëm dhe ia kishte mbathur me Brian. Tani po i merrnin çfarë t’u dilte përpara. Po më vinte ndoht që këta të dy nuk po e linin Henry-n të qetë edhe pas vdekjes. Megjithëkëtë nuk desha të përzihesha, duke e mbajtur gjuhën me zor pas dhëmbëve.

“A di gjë se mos ka lënë ndonjë testament?” Fiona bëri më kokë nga hyrja e apartamentit

“Jo, për zotin!” thashë me përtesë.

Pasi mbushën plot dhjetë thasë dhe pesëmbëdhjetë valixhe me rraqurinat e Henry-t, Fiona më dorëzoi çelësat. I hipën kamionit dhe u zhdukën menjëherë, duke lënë pas një shtëllungë të zezë tymi. Nuk ua ndava sytë gjersa u kthyen në Old Dundas, për të dalë në rrugën kryesore.

***

Kur hyra në apartamentin e Henry-t, ende nuk mund të besoja se kishte vdekur. Dyshemeja e drunjtë kërciti thatë nën këmbët e mia, ndërsa prisja më kot të dëgjoja kollën e mbytur. Hapa frigoriferin:  Kishte një kuti kartoni me qumësht, një shishe Heineken të lënë përgjysëm, brinjë të mbështjella me plastmas dhe të ngrira. E dija nga përvoja se shumica e qiramarrësve kurrë nuk i pastronin apartamentet e tyre kur largoheshin, por Henry nuk kishte për qëllim të largohej.

Një rrjetë merimangash varej nga tavani gjer në dysheme. Në të gjithë apartamentin ndjehej pluhuri dhe lagështira, përzier me aromën e kobshme të një trupi të dekompozuar. Ndërsa isha zhytur thellë në mendimet e mia, nuk e kisha vënë re një mace të madhe të zezë, që ishte ulur këmbëkryq në mes të dhomës së ndenjes e po më shikonte në heshtje. Sytë e saj sterr si qymyri më shponin tejpërtej si rreze lazer. Ishte Joyce, macja e Henry-t, me të cilën jetonte prej vitesh. Tani ajo u braktis. Fiona nuk e kishte marrë. Joyce u përtyp, tundi bishtin sikur donte të vizatonte zemrën në ajër dhe doli jashtë nga dera gjysëm e hapur. Kush do të kujdesej për të vallë tani që Henry nuk ishte më?

***

Që atëherë ma kapi syri vetëm nja dy herë, ndërsa kapërcente gardhin e fqinjit. Një vit kishte kaluar që kur Henry vdiq dhe çdo gjë kishte shkuar përsëri në normalitet mjaft shpejt. Pastaj një ditë ndodhi një gjë e çuditshme. Teksa po kthehesha nga puna, pashë macen e Henry-t para banesës së tij të vjetër, në të cilën tashmë banonte një çift nga Xhamajka. Leshi i saj dukej i pistë, me arna ngjyrë kafe që dukej sikur ishte përzhitur nga zjarri. Macja më shikoi drejt e në sy sikur donte të më thoshte diçka. Ku kishte qenë Joyce? Pse ishte kthyer në apartamentin e Henry-t? Ndërsa po bëja çudi që më kishte njohur, Joyce tundi disa herë bishtin dhe m’u ngjit pas trupit. Mbështeti trupin pas këmbës së djathtë dhe u drodh. Drithërima e saj më elektrizoi të gjithin. Sapo u bëra gati ta merrja në duar, Joyce u shkëput nga unë dhe humbi mes luleve të kopshtit.

Kujtova se nuk do ta shihja më, por dy ditë më vonë Joyce më erdhi në vendin e punës, në një garazh makinash, që gjendet më shumë se pesë blloqe larg nga shtëpia. Po ndërroja vajin e motorit të njërës prej makinave, kur papritmas vura re se Joyce po më lëpinte këpucët. Më erdhi keq për të dhe u befasova, se si kishte arritur të gjente rrugën gjer aty.

"Çfarë do, Joyce? Më thuaj, çfarë do prej meje?"E pyeta, duke e parë drejt e në sytë e saj të mëdhenj. Dukej sikur Joyce as që e kishte mendjen aty, por diku gjetkë, shumë larg prej aty. "Tani shko. Ik. Nuk mund të vish në vendin tim të punës. A e di që dhe gruaja ime nuk vjen këtu? As vajza ime nuk e di se ku punoj. Ik. Largohu tani!"

Joyce nuk lëvizi nga vendi. E dija se ishte e zgjuar dhe se më kishte kuptuar shumë mirë se çfarë doja t’i thoja, siç më kishte thënë gjithmonë Henry. Por ajo nuk donte të shkonte. U ul para meje, duke ndjekur me sy çdo lëvizje që bëja. Nuk e di, por prania e saj aty po më bezdiste. Kur përfundova punën në orën 4:00 pasdite, dallova Joyce pranë makinës. Ndjeva një lloj ankthi të çuditshëm. Bëra sikur nuk e vura re dhe zura vend në timon. Ndeza motorrin dhe prita që Joyce të largohej, por më kot. Qimet e lëkurës i ishin ngritur përpjetë. Çfarë kërkonte vallë? Mos ndoshta ishte e uritur? Zgjata dorën në sediljen e pasme dhe rrëmbeva çantën e ushqimit. Nga dreka më kishin mbetur nja dy kofsha pule dhe një copë bukë. Ula xhamin e dritares dhe ia hodha mbeturinat tek këmbët. Joyce u hodh e babëzitur mbi to e filloi të hante, sikur të kishte ditë të tëra pa ngrënë.  Shtypa lehtazi pedalin e gazit dhe u futa në rrugën kryesore, duke parë nga pasqyra. Fatmirësisht Joyce vazhdonte të lëpinte me nge mbeturinat.

Sapo mbërrita në shtëpi, rrëmbeva numëratorin telefonik dhe kërkova me nge numrin e Sarës, një fqinjës sime që merrej me kafshët. Sara dinte ca gjëra për to, që nuk ishin as në libra. Mendova se ajo do të ishte në gjendje të më këshillonte se çfarë të bëja me Joyce, macen e çuditshme të qiramarrësit tim të vdekur.

"Përshëndetje, Sara?"

"Oh, po unë jam! Njatjeta!" ma ktheu ajo.

"A më ndihmon dot me një këshillë?”

"Sigurisht, çfarë ka ndodhur?"

"E di që keni shumë njohuri për kafshët, sidomos për ato që sillen në mënyrë të çuditshme."

"Për çfarë bëhet fjalë?"

"Për një mace, që i përkiste njërit prej qeraxhinjve të mi që vdiq një vit më parë. Askush nuk u kujdes për të, pasi Henry vdiq. Ish-gruaja e tij mori gjithçka, por nuk u shqetësua fare për Joyce, duke e lënë në mes të katër rrugëve."

"Oh, po më vika keq," tha Sara.

"Papritmas Joyce është shfaqur përsëri dhe po më ndjek kudo që shkoj. Sapo e pashë para banesës sime. Sot më erdhi në vendin e punës, që është pesë blloqe larg nga ku jetoj. Jam tromaksur. Si ka mundur ta gjejë garazhin, kur është gati 10 km larg nga shtëpia?"

"Epo, mendoj se duhet të të ketë ndjekur disa herë. A merrni të njëjtën rrugë çdo ditë? "

"Po! Dundas Street East, gjer në kryqëzimin me Bloor. Garazhin e kam në Perth."

"Ngaqë e nget makinën në të njëjtin drejtim çdo ditë, është shumë e lehtë për të që të të ndjekë."

"Si është e mundur, Sara? Si ka mundësi që më ndjek? Po më fut frikën kur e mendoj…Ka një palë sy të mërzitur! Më duket sikur po më shpon tejpërtej me atë shikim të mprehtë." Sara nuk bëzante. Dukej siku po peshonte me kujdes të gjitha fjalët që i thosha.

"Duhet ta ketë një arsye që po të ndjek. Ndoshta ndihet e vetmuar," u përpoq të shpjegonte Sara.

"Një vit pas vdekjes se Henry-t? Pse nuk erdhi të më gjente më parë?"

"Ndoshta ka qenë e strehuar diku gjetkë. A kishte Henry ndonjë njeri të afërt, që mund të kujdeset për të? "

"Ish-gruan. Ajo i mori të gjitha sendet e tij nga apartamenti, por harroi macen."

"Mos ka jetuar më parë në shtëpinë e saj?"

"Nuk ma do mendja. Po të ishte ashtu, nuk kishte pse të më ndiqte mua."

"Ju jeni i zgjedhuri, sepse keni jetuar në të njëjtën ndërtesë ku ka jetuar para se të ishte braktisur."

"Çfarë domethënë kjo?"

"Macja ndjehet e braktisur. Nuk ka shtëpi. Dëshiron të kthehet përsëri në të njëjtin mjedis të njohur, mes gjërash të njohura, e rrethuar nga njerëz të njohur. Tani që Henry nuk është më, ajo do që të rrijë me ty. Ti ke zënë vendin e tij."

"Më duket se po tallesh.”

"Jo, aspak."

"Mos ka luajtur mendsh! A çmenden macet?"

"Mesa kuptoj, macja nuk po e pranon humbjen e të zotit. Nuk është situatë normale kjo. Dhe po të paralajmëroj që të jesh i kujdesshëm, Cesar. Mos u mundo ta lëndosh atë kafshë.

"Kjo është qesharake! Ti po më fut frikën më shumë se ajo mace e mallkuar. Kujtova se do të më jepje ndonjë këshillë të vyer, meqë merresh me kafshët. Kështu siç po thua ti, më mirë të blej ndonjë armë.”

"Nuk po them që të arrish gjer aty, por duhet të jesh i vetëdijshëm për pasojat, nëse nuk e lë të qetë."

"Çfarë pasojash?"

"Ki kujdes nga Joyce. Ajo është normale tani, por ende ka diçka në këtë histori që po më bën të kem shumë frikë për ty. Mos e zemëro dhe as mos e ço në mendje që ta qëllosh me armë.”

"Më duket se është krejt e kundërta. Jam unë ai që është i zemëruar dhe jo ajo!"

"Cesar, po përpiqem ta kuptoj gjendjen tënde. Nëse nuk të pëlqen mendimi im, harroje se çfarë të thashë. Nuk jam ekspertja më e mirë për kafshët unë…” Sara mbylli papritmas telefonin, duke më dhënë përshtypjen se nuk donte të përzihej më me këtë histori. U ula përballë televizorit me pultin në dorë dhe nuk po dija se çfarë të bëja. Ishte e vështirë të qëndroja i qetë. As nuk bëhej fjalë që ta sillja Joyce në shtëpi. Ime shoqe nuk i pëlqente kafshët shtëpiake. Madje kishte alergji. Mora numëratorin telefonik dhe kalova faqet e verdha me gishtat që më dridheshin. Një spital apo azil kafshësh do të më bënte shumë punë. Mora një copë letër dhe një stilolaps dhe shkruaja një listë të tërë. I rashë numrave të telefonave për gati një orë, por askush nuk dëshironte që ta merrte.

“Mos jeni gjë pronari i maces, zotëri? Mos është e sëmurë? A ka ndonjë plagë? Ku është macja në këtë moment që flasim? Oh, nuk mund të bëjmë asgjë, zotëri. Nëse ajo është lënduar ose sëmurur, atëherë mund ta marrim në strehën tonë. Nëse ndërtesa ka qenë më parë shtëpia e saj, do të ishte më mirë që ta lejonit të kthehej.”

Isha bërë tym. Çfarë nënkuptonin ata me «shtëpinë e saj»? Për hir të zotit dhe të së vërtetës, unë isha pronari i shtëpisë dhe vetëm unë kisha të drejtë të vendoste se kush banonte në të. U përpoqa ta hiqja mendjen nga Joyce dhe shkova në shtrat, por nuk po më zinte gjumi. U rrotullova sa në njërin krah, në tjetrin, me sytë mbyllur, por mendja nuk po më ikte prej andej. Aty nga mesi i natës dëgjova një kërkërimë dere. Brofa në këmbë dhe e mbajta frymën në bodrum, duke fërgëlluar nga një lloj frike. Ajo që po shihja i kishte kaluar kufijtë e imagjinatës. Joyce ishte ulur në dyshemenë e bodrumit, me dy këmbët e pasme të kryqëzuara poshtë vetes. Hija e saj në mur kishte marrë përmasat e njeriut. Sapo me pa, m’u hakërrua egërsisht, duke më treguar dhëmbët, të cilët çuditërisht dukeshin më të gjatë dhe të egër. Tërhoqa me tërsëllëmë derën e bodrumit dhe u ngjita në apartamentin tim në katin e dytë. Mbulova kokën me batanijen e pambuktë dhe u përpoqa të fle, por nuk po mundesha. Djersët po më kullonin çurk dhe zemra sikur po më rrihte me një ritëm të përshpejtuar. Mezi po prisja gjersa të gdhihej, që t’i telefonoja Sarës.

"Më vjen keq Sara, por nuk kam fjetur fare,” pëshpërita, sikur të kisha frikë se po më dëgjonte ndokush.

"Pse po pëshpërit, xhanëm?" Në zërin e Sarës ndjeva një lloj sarkazme.

"Tallu ti, por unë akoma nuk po e marr vesh, pse më ndjek ajo."

"Ta thashë, pra! Joyce ndihet e braktisur."

Sara e kishte nuhatur menjëherë se për kë bëhej fjalë. Siç dukej, e kishte pritur që unë t’i telefonoja përsëri për Joyce.

"A nuk mendon se kjo është sjellje jonormale për një mace?"

"Joyce nuk është mace normale, Cesar. Ta thashë dje. Nga ato detaje që po më jep ti, Joyce po të ndjek qëllimisht. Ajo ka një mision. Dhe fatkeqësisht objektivi je pikërisht ti."

"Çfarë do të thotë kjo, Sara? Kjo që po thua ti tingëllon shumë e rrezikshme. Nuk mund ta fus Joyce në shtëpi. Ime shoqe nuk i ka qejf kafshët. Ka për të plasur sherri, nëse sjell ndonjë mace në shtëpi."

"Atëherë si do të shpëtosh prej saj, duke e vrarë? Macet kanë shtatë shpirtra. Dhe Joyce nuk përbën asnjë dallim.”

"Çfarë duhet të bëj?"

"Nëse do të isha në vendin tënd, do ta gjeja ish-gruan e Henry-t dhe do t'i kërkoja që ta merrte." Sara nuk e zgjati më, por ma mbylli sërisht telefonin. Këtë herë m’u mbush mendja top, që Sara po mërzitej nga kjo çështje.

 ***

Shkova në punë në një gjendje shumë të keqe shpirtërore. Isha duke ndërruar një gomë, kur shoku im i punës Andrew, m’u afrua me një cigare në dorë. Nuk më foli, por thjesht më preku pak në sup. E ktheva kokën drejt tij, por sytë më kapën Joyce që po qëndronte nja dy hapa pas tij. Ishte hera e dytë që po më bënte një vizitë në garazh.

"Do ta vras ​​atë bushtër," shpërtheva dhe vrapova drejt saj me një çekiç të madh në dorë, por Joyce u zhduk në shkurret aty pranë. U ktheva në garazh, duke turfulluar nga nervat.

"Mbaje veten! Mos do që të përfundosh në burg për vrasjen e një kafshe?" Andrew sa nuk klithi, por unë as që doja t’ia dija. Andrew e ndoqi nga pas, duke mjaullitur, por Joyce ishte zhdukur tashmë. Kur mbaruam punë, vura re se Andrew e kishte marrë Joyce në makinë për ta çuar në shtëpinë e vet. Joyce kishte mbështetur turirin e saj të butë në xham dhe po më shihte vëngër. Nga njëra anë po ndjehesha disi i lehtësuar me vendimin e Andrew-t, por nga ana tjetër më kishte kapur një siklet i madh. Një zë i brendshëm më thoshte, se qetësia e rrejshme nuk do të zgjaste shumë.

Dhe ashtu ndodhi. Ditën tjetër, Joyce kishte ikur nga shtëpia e Andrew-t dhe ishte kthyer në oborrin e ndërtesës sime. E pashë të ulur buzë gardhit, duke më shikuar me ato sy si turjelë. I futa një shqelm, duke e hedhur në ajër si një top futbolli dhe u futa me të shpejtë në makinë. Çfarë dreqin po ndodhte? Pse po më ndiqte? Mos vallë ishte vetë shpirti i Henry-t që po më kërkonte të bëja diçka? Nuk besoja në jetën pas vdekjes, por nuk po mundja ta shpjegoja sjelljen e saj të çuditshme. Unë vetë nuk është se i honeps macet. As ime shoqe, por Joyce vazhdonte të vërdallosej rreth shtëpisë sime, vendit tim të punës, duke më kujtuar Henry-n.

Kur Henry ishte gjallë, e vizitoja më shpesh se kushdo tjetër. Ishte pikërisht ai që kujdesej për ndërtesën se kushdo tjetër. Atëherë rrallë ma kapte syri macen e zezë Joyce; ndonjëherë para derës e rrallëherë në bodrum.  Ndoshta Joyce dëshironte të zëvendësonte zotin e saj të vdekur me një mik të vërtetë të Henry-t. Vendosa ta ndiqja këshillën e Sarës dhe të gjeja ish-gruan e Henry-t, dhe ta detyroja ta merrte atë mace. Nuk ishte e drejtë që t’i merrte të gjitha plaçkat e të harronte macen. Atë mbrëmje arrita ta gjej numrin e telefonit të Fionës, kur po i hidhja një sy dokumentacionit të qeraxhinjve. I rashë menjëherë ziles, por nuk po përgjigjej askush. Atëherë kur isha gati të hiqja dorë, u dëgjua dikush.

"Alo?"

"Përshëndetje, unë jam pronari i apartamentit ku ka jetuar Henry. Dua të flas me Fionën. " Pasoi një heshtje e gjatë. Më pas u dëgjua një zë i zvargur burri.

“Quhem Matt McGill. Jam vëllai i Brian, të dashurit të Fionës.”

"A mund të flas me njërin prej tyre?" Përsëri heshtje e zezë. "Kam nevojë për të diskutuar diçka urgjente me Fionën ose Brian."

“Fiona dhe Brian u vranë një muaj më parë në një aksident të çuditshëm,” tha Matt McGill. Ndjeva të më shpejtoheshin të rrahurat e zemrës. Gishtërinj të padukshëm sikur më kishin mbërthyer në fyt.

“Çfarë aksidenti?" Mezi artikulova fjalët.

"Ra një zjarr që dogji gjysmën e shtëpisë. Të dy vdiqën në gjumë nga asfiksia, por djali shpëtoi paq. Shumica e plaçkave u bënë shkrumb dhe hi. Ishte gjëja më e çuditshme që kisha parë ndonjëherë.” Zëri i Matt dridhej nga një lloj ankthi. "Më fal, po ju kush thatë se ishit?"

"Cesar! Ngushëllimet e mia, zotëri! Më vjen shumë keq për sa ka ndodhur." Nuk e zgjata më dhe i shtangur në mes të dhomës, nuk po kuptoja më asgjë. Dola jashtë dhe bëra një ecejake rrethepërqark ndërtesës. Joyce ishte ulur pranë hyrjes kryesore e më ndiqte në qetësi me ata sytë e saj të frikshëm. Iu avita ngadalë, duke pretenduar të isha miqësor. Kupa ishte mbushur plot dhe po zbrazej. Nuk do të lejoja askënd të lozte me nervat e mia. Hodha një vështrim përreth për të parë nëse po më shihte ndokush. Rruga e Varsity ishte e qetë. Pikat e para të shiut më lagën fytyrën. Mbylla sytë dhe fillova ta godisja Joyce me shqelma me sa fuqi që kisha. Joyce mjaulliti e pashpresë e fluturoi në ajër si një leckë pa vlerë. Iu afrova me nxitim e vazhdova ta godas përsëri.  Joyce nuk po jepte më asnjë shenjë jete. Pasi u sigurova që nuk po lëvizte më, nxitova hapat për t’u futur nga dera anësore. Futa duart në xhepa për të nxjerrë tufën e çelësave, por gishtat nuk po më bindeshin. U ktheva edhe njëherë në drejtim të kopshtit për t'u siguruar nëse Joyce ishte ende aty. Zgurdullova sytë dhe po vrisja mendjen se ku mund të kishte shkuar. Papritmas ndjeva një rreth dhëmbësh të vegjël të më nguleshin si gjilpëra të nxehta në pjesën e prapme të qafës. Tentova të kthej kokën për të parë se çfarë po ndodhte, ndërsa një currilë e hollë gjaku filloi të më rridhte nëpër gjoks. Ishte Joyce! Me duar dhe këmbë u përpoqa të shkëputesha prej saj, por ishte e pamundur. Sytë filluan të më errësoheshin. Pastaj m’u mor fryma.

Epilog

Që atëherë e pashë Joyce vetëm njëherë. Ishte përvjetori i dytë i vdekjes së Henry-t. Joyce bëri një ndalesë të shkurtër pranë varrit tim dhe ngriti njërën nga këmbët e pasme. Pasi mbaroi së urinuari, Joyce vrapoi drejt një maceje tjetër, që po e priste në anë të rrugës. M’u duk sikur teshtiu dhe fshiu hundën me kurrizin e putrës së djathtë. Mbaj mend që edhe Henry kështu i fshinte hundët.