Komunitet

Erdhi pranvera - Nga Vangjush Ziko

Erdhi prapë pranvera,

s'është hera e parë që vjen,

çel vargu lulet e blerta

mjaltë përzjerë me helm,

çel kopshti i shpirtit petalet

me ngjyrat e ëndrrave çel,

vyshk ngrica papritur fjalët,

frutat pa pjekur vjel,

qershori me shportën bosh,

korriku me plagët e dhemjeve,

vjeshta mbledh në kosh

veshulët e rrufeve,

dimri vesh vargun me akull,

troket pranvera te pragu

në kopshtin tim të ëndrrave,

zgjohen rrokjet drojtur

për të kënduar e vojtur

stinëve tona të çmendura.