Komunitet

Satira akademike e fundjavës - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ekspertët e huaj, pasi kishin punuar me “devotshmëri” për vite me radhë, kishin ngritur duart lart dhe ishin dorëzuar para pamundësisë absolute për të rimëkëmbur ekonominë dhe vlerat e kësaj Republike të çuditshme. Ata ndërroheshin çdo gjashtë muaj, edhe pse u përkisnin racave më të zgjuara të planetit.

Në rastin e dorëzimit të detyrës, ata lëshonin mbi Tryezën Presidenciale, bashkë me psherëtimat, edhe një copë letër ku lexohej qartë shkaku i dështimit, si dhe arësyet për të cilat ata e braktisnin tradicionalisht këtë Republikë tradicionalisht të pandreqshme.

Tavolina e Presidentit ishte e mbushur plot me letra të tilla.

Korrupsioni. Papërgjegjshmëria e administratës. Mentaliteti démodé i popullit. Varfëria shpirtërore. Trashëgimia e së shkuarës diktatoriale. Makutëria. Nepotizmi. Hajdutëria. Trafiku i drogës, influencës dhe njerëzve.

Me afrimin e zgjedhjeve të reja Presidenciale situata ish përkeqësuar edhe më shumë. Mosbindja civile ish kthyer në një mode më të preferuar se tangat. Semaforasit e gjenin më të udhës të paguanin rryshfetin që bënte kërdinë mbi xhepat e tyre të shpuar, se sa të paguanin taksat.

Prej mëse një muaji Presidenti ishte mbyllur në zyrën e tij dhe nuk ishte shfaqur në publik. Mediat dhe gojët e liga qarkullonin thashethemin se diçka e re pritej të ndodhte. Një gjë ishte e sigurtë: Presidenti kish rënë në mendime më shumë se zakonisht. Republika e tij po shkonte drejt vetëasgjësimit dhe pavarësisht nga qeveritë që ndërroheshin me ritmin e menstruacioneve, imazhi i saj shkatërrohej çdo ditë e më shumë në sytë e turmaxhinjve, ekspertëve të huaj dhe syve të tij si President.

“E keqja Republikes i vjen nga kurveria e politikes”, kishte menduar Presidenti.

Gjatë atij ngujimi në zyrë i kishin ardhur letra, telegrame dhe informacione nga të katër anët e Republikës.

I kish bërë përshtypje një letër e gjatë, plot ankime dhe sugjerime, nga një shoqatë akademikësh të pavarur, të shqetësuar për mbrojtjen e gjuhës kombëtare.

Ata protestonin kundër keqpërdorimit të tri fjalëve dhe koncepteve themelore që përkufizonin një krijesë delikate si femra. Femër besnike, prostitutë dhe kurvë.

Për femrën besnike ata ishin pothuajse të gjithë dakort në lidhje me përkufizimin e mëposhtëm:

“Besnike quhet femra që nuk prostituon dhe nuk kurvëron.”

Në rastin e emërtesës “prostitutë” ata ishin ndarë në dy grupe: njëri grup përcaktonte si prostitutë vetëm femrën që jepej trupërisht kundrejt një tarife të caktuar monetare.

Grupi tjetër mendonte se prostitutë quhej edhe femra që shkon te kasapi me një dekolte të hapur e me gjinjtë pothuajse të zbuluar, vetëm e vetëm për të përfituar ca gramë mish falas, jo detyrimisht nga trupi i kasapit.

Sipas këtij grupi, edhe vetë xhesti i të mbyllurit të njërit sy ishte prostituim në rastet kur shoqërohej me përfitim material.

Më i ngatërruar ishte sipas akademikëve përdorimi i fjalës “kurvë”. Më të shumtët mendonin që kurvë quhet çdo grua që tradhëton bashkëshortin ose të dashurin. Këta ishin dogmatikët.

Nga këta ishte shkëputur një pakicë që kish krijuar një fraksion të vetin, sipas të cilit kurvë quhej jo gruaja që tradhëton bashkëshortin, por gruaja e martuar që tradhëton dashnorin e saj.

Sidoqoftë, përcaktimi i tyre nuk ishte gjithëpërfshirës dhe linte jashtë femrat beqare, të divorcuarat dhe vejushat.

Një pakicë tjetër që në letër kishte firmosur nën siglën “të moderuarit” mendonte se kurvat duheshin ndarë në tre grupe kryesore: kurvat në trup, kurvat në shpirt dhe kurvat në trup e shpirt bashkë, ose, siç i quanin ata ndryshe, “karakurvat”.

Më pas letra vazhdonte me arsyet që e shtynin shoqatën e Akademikëve të Pavarur të shkruante atë letër.

Fjala “kurvë” nuk u përgjigjej më kënaqshëm realiteteve të reja të Republikës.

Akoma më dëshpëruese dhe më e koklavitur ishte situata në termin e njohur “bir kurve”, për të cilin firmëtarët nuk shpalosnin ende opsionet e tyre, pasi mendonin që ajo gjë mund të zgjidhej vetëm me referendum mbarëkombëtar.

Letra mbaronte me një thirrje që ata i drejtonin Presidentit të tyre:

“Mendojmë se Shkelqësia Juaj duhet të marrë përgjegjësitë maksimale për zgjidhjen e problemeve madhore të Republikës. Besojmë se edhe problemi që ngritëm në këtë letër bën pjesë në to.”

Kjo pra kish qenë letra që e kish zhytur Presidentin në mendime më shumë se herët e tjera.

Në letër përmendej pothuajse tridhjetë herë fjala “kurvë” dhe “prostitutë” dhe asnjë herë të vetme fjala “varfëri” apo “krizë ekonomike”.

Prandaj dhe ai kish rënë në mendime aq të thella.

Kish sjellë ndërmend kurvat, prostitutat dhe besniket që kish njohur në jetën e tij.

(Nga romani “Republika e Semaforëve”, 2013)

© artangjyzelhasani