Zona e krijuesve

Tre poezi nga Vangjush Ziko

HESHTJE

heshtin malet

kur bie muzgu

siluetat e tyre

prej murgu

falen,

gjyshi

kur fliste me Zotin

(s'e di ç'i thosh)

bënte kryqin

dhe heshte,

në heshtje flasin

të fshehtat e shpirtit

(dhe dashuria

dhe tradhëtia

edhe krimi),

Hesht bota

përpara fytyrës

së vet

dhe vdekjes.

*****

HURDHA E THARË

Jeta ka nisur

pa lindur unë,

ka ndryshuar

pa më pyetur

(edhe pa mua

kështu do të jetë),

shpirtin e ngopur

me ëndrra

dhe me trishtim

do ta shtrydh

të përmbytet

hurdha e tharë

e shpresës,

të pagëzoj atje

ditën e nesërme

(po të mos lindë

e vdekur).

 *****

MOZAIK GUNGAÇ

më shtyjnë me bërryl

dhe unë (pa dashur)

prek dikë,

rrjedh përroi malor

ne guralecët

ciflosim dhe

lëmojmë njëri-tjetrin,

pushojmë të qetë

(më në fund)

te një zall ku

stërnipërit do na mbledhin

të bëjnë

mozaikun tonë gungaç.