Zona e krijuesve

Combo - Tregim nga Alket Xhakollari

Në Yonge Street ra mbrëmja e zu dëbora. Fjolla - fjolla e ashtu prajshëm si gjatë gjithë këtij dimri të çuditshëm kanadez.

“Iluzore” - mendon turisti përbrenda lokalit të ngrohtë, teksa dëgjon mikun e tij të porosisë kanën e radhës me birrë, me një gromësimë kënaqësie. Një krahë pule i ka mbetur ndër gishta, dhe gjurmë salce në zgrip të buzëve përshfaqin portretin e një dasmori të hallakatur shqiptar.

“U bëmë si ballista, përbé!” - thotë ai, dhe të dy zënë e qeshin ndërsa fjollat e borës përvijohen nga dritat e makinave që rrëshqasin në Yonge Street.

Në lokal ekranet e pjerrët shfaqin hockey, gara me kuaj, lajme 24/7 dhe gjëza. Një beb nanurit në një karrocë ndanë një familjeje të shëndetshme e pakëz buçkane. Rreth e përqark kamerieret vejevijnë me funde gjithë kinda mbërthyer me karfica, të cilat i shtojnë etjen tryezave dhe i hapin udhë fantazisë së natës. Njëra prej tyre po merr porosinë në një tryezë me aziatikë të tejsjellshëm.

“Ç’gëzim buron prej kindave të saj! Edhe sikur të jetë kallp apo iluzor!” - mendon sërish turisti nga Tirana.

“Këtu nuk ka fare konflikt…po edhe kështu dreqi ta hajë?!” - hidhet ai.    

“Konflikt? Këtu flitet hapur miku im… ja shiko dhe bën me shenjë nga kamerierja që po sjell kanën me birrë. Ja, ta pyesim zonjushën. Vajza me flokë të kuqe irlandeze vendos kanën e madhe me birrë në tryezë dhe u buzëqesh.

                                  

“A je e lirë sot pas pune moj ëmbëlsirë? - e pyet veterani i Torontos. Ajo buzëqesh sërish dhe i zgjat dorën. Prezantohet. Pastaj i jep dorën turistit.

“Më vjen keq djema, jam vërtet e zënë sonte”. Dhe shkon si flutur.

“E pe, çdo gjë sqarohet, nuk ka kohë për tjerrje të gjata. That’s it!” - përmbyll ai, dhe zë të mbushë gotat me birrë ndërsa tiranasi ka mbetur si guak ende në kërkim të ndonjë batute, e pastaj të versionit të saj në anglisht. “Kur çdo gjë qenkërka kaq e thjeshtë si për dreq”.

Në lokal shtohen gumëzhitjet dhe koha rrëshqet si ata lojtarët e hockey-it në akull. Flokëkuqja ndërron kanat me birrë dhe përsërit refrenin “cheers”. Tërësisht iluzore tashmë.

“Kaq e pat edhe bora” - dëgjohet veterani i Torontos. “Rreshti e po shkrin…”

Kuqja sapo ka sjellë faturën dhe dy karamele.

Për herë të parë gjatë natës së hareshme atij i dallohet njëfarë trishtimi. Sikur t’i ishte kujtuar diçka e errët.

“E megjithatë, njëra nga gjërat që urrej më shumë në këtë vend, në këtë metropol, është fjala combo, koncepti combo, kjo dreq shoqëria e vrullshme combo, fytyra e shitësve kur artikulon këtë fjalë. Kjo çfarë konsumuam sot ishte combo, besoj e more vesh, bile pjesë e kombinimit ishte edhe buzëqeshja e kuqes…”

“Na kanë bërë si bagëti dreqi ta hajë!” - dhe nxjerr nga kuleta kartën vezulluese të kreditit, sikur me të do të fshinte atë që sapo shkroi në dërrasën e zezë.