Zona e krijuesve

Tek stoli bosh - Nga Zeqir Cama

Sa e sheh bosh me krahë të shkulur,

nga dhunë e marrëzisë, pa shkak,

ulesh gjatë si gozhd’ e ngulur,

tek stoli i drunjtë, aty në park.

 

Ca pikla rozë si xixa nate,

nuk kanë shans të t’bëhen njolla,

mbi lastarë rrudhash elegante,

vilar si vetullat e holla.

 

Të shkojnë pranë indiferentët,

çdokush çapit në hall të tij,

asnjë, me qejf, në botën tënde,

ka vite që nuk do të hyjë.

 

Besoj dhe vetë i ke harruar,

sesi të prisnin rreth e qark,

me qindra sy të përvëluar,

sa vije këmbë në bulevard.

 

U bëje bisht sa mund t’u bëje,

se s’ikje dot në fund të dheut,

të nesërmen mbrëma frap i zhbëje,

si Penelopa e Odiseut.

 

Te stoli bosh me krahë të shkulur,

askush s’të sheh, njeri s’të flet,

rrëgjuar vitesh gjysmë kërrusur,

si një gjallesë në epruvetë.