Kulturë

Vangjush Saro-Shënime për profilin artistik

  • Published in Kulturë

Krijimtaria letrare dhe artistike, veças në dekadat e fundit, ka një rritje të papërfytyrueshme, më së pari sasiore, por edhe në rafshin artistik. Kjo rritje ka ndodhur në rrethana të njohura tashmë, falë ndryshimeve në rendin shoqëror, por edhe për shkak të mundësive teknologjike. Një pjesë e madhe e krijuesve jetojnë në vende të tjera, në disa kontinente dhe kjo ka shtuar prurjet e përvojat; detyra për t’i pasqyruar siç duhet këto pamje, është tejet e vështirë. Uroj që kritika letrare dhe institucionet përkatëse, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, të thonë një ditë fjalën e tyre për dukurinë.

Në “hartën” e madhe të letrave dhe artit, emrat dhe prurjet, por edhe pretendimet, janë përherë në rritje; në këto kushte, nëse ka një mënyrë për të vështruar mbi dukuri dhe emra, nëse ka një burim drite që e bën më të dukshme pamjen, është parimi i pandryshuar i individualitetit artistik, sfida e krijimit të profilit artistik. Në këtë terren delikat, po shënoj ndonjë opinion, që vështron autorë dhe dukuri në dy kohë, por duke i qëndruar temës.  

“Sekretet” e profilit artistik

Në vështrimin tim, këto “secrete” janë njëfarësoj vetë krijimtaria; e vështirë për çdo artist të lërë gjurmë, nëse ai nuk ka mundur të krijojë dot profilin e vet artistik. Kjo është tejet e rëndësishme, ngado ta vërtisim argumentin.

Individualiteti vjen sa natyrshëm, sepse është vetvetja që shfaqet, aq edhe duke u krijuar e konsoliduar me punë e frymëzim. Për të mos rënë pre e termave të “rënda”, që pastaj s’ua del dot t’i mbartësh e, kështu shkrimi shkon drejt kakofonisë, siç ndodh në disa shënime apo esse të lexuara këto kohë, le të themi me thjeshtësi se artdashësi e dallon menjëherë një pikturë të Van Gogut apo të Klod Monesë; një film të Çarli Çaplinit; muzikën e Betovenit. Dhe po të ndihet toni babaxhan dhe grotesku i hidhur i historive të Don Kishotit, insinuatat metaforike të personazheve të Shekspirit e, sikur dikush të recitojë Eseninin apo të dëgjohen dialogët e Heminguejt, ka shumë mundësi që lexuesi i kultivuar, por ndoshta jo vetëm ai, ta rrokë menjëherë që bëhet fjalë për aksh krijues të përmasave klasike…

Përpos shumë arsyeve të tjera, kjo ndodh sepse ata kanë shfaqur veçanësi në të gjitha dimensionet, si dhe autoritet të spikatur artistik; për ta përmbyllur këtë episod, ata mundën të krijojnë profilin e tyre artistik. Krijimi i profilit artistik është një proces i gjerë dhe i ndërlikuar, që fillon nga vetë qenia; për të shkuar më tej, ky profil është jeta e autorit, përvojat dhe përjetimet që nga fëminia e hershme, prirjet, nuhatja dhe orientimi artistik, mënyra se si iu qaset temave e çështjeve, shtjellimi i pyetjes se cilat asi preferon, ku kërkon më tepër, në ç’gjini e lloje derdh energjitë e tij krijuese, si i pozon kohës dhe çështjeve estetike, veçoritë e teknikës, gjuhës dhe tropeve që përdor, etj. “Tregimi” për profilin artistik, patjetër, ka të bëjë edhe me fatin vetiak, si dhe klimën letrare në të cilën punon krijuesi.

Kompozimi i një profili artistik, mendoj, është episodi kryesor, shkalla më e lartë e krijimtarisë letrare dhe artistike. S. Esenin thoshte: “Këndo vetë, qoftë edhe si bretkosë.” Ja edhe këndvështrimi i R. Frost: “Dy rrugë m’u shfaqën atij pylli;/ unë zgjodha atë që ishte më pak e rrahur;/ dhe kjo bëri dallimin…” Kurse Ç. Bukovski: “Mos u bëj si ata shkrimtarët e shumtë,/ mos u bëj si ata mijëra njerëz/ që e quajnë veten shkrimtarë,/ mos u bëj i plogësht dhe i mërzitshëm,/ nga ata që duan të duken,/ mos u konsumo nga dashuria për veten…”

Po ndalem tani edhe në tre emra të traditës sonë letrare: Çajupi, Migjeni dhe Poradeci. Çajupi: Gjetjet elegante, humori i natyrshëm, që shpesh ia lë vendin sarkazmës therëse, kahja përherë përqeshëse, fryma perëndimore, thjeshtësia me të cilën shkon te lexuesi, të gjitha këto i dhanë veçanësi e vlerë të pakontestueshme krijimtarisë së tij. (Mendoj, ende nuk vlerësohet sa duhet kontribut i tij për letërsinë dhe teatrin shqiptar.) Migjeni: Në pamje të parë, i thatë, i drejtpërdrejtë, i hidhur. Duke e lexuar mandej, konstaton që është origjinal dhe i paimitueshëm, si poet dhe prozator: konçiz; trend social gjer në dhimbje; me qasje në disa shkolla filozofike; i mprehtë, i hidhur, sarkastik; kërkues dhe novator në varg e në frazë; i “pakorruptueshëm” për nga pikëpamja politike; fjalor i pasur, gjithërrokës, në përshtatje me çfarë derdh pareshtur ai uragan letrar. Lasgushi: Krejt tjetër. “Ekstremisht” lirik; i butë, i papërsëritshëm në peizazhe dhe vjersha dashurie; me një vështrim epikurian mbi botën dhe jetën e kënaqësitë e saj; solid në tema kardinale si dashuria, natyra, gjithësia; i ngadalshëm në thurje të asaj çfarë tregon, i shtruar, i përpiktë e, deri estetizant; një mjeshtër i fjalës dhe i të kënduarit me një stilistikë të pasur, ku kombinohen shfrimet e vetvetishme me pasurinë burimore.

Mendoj se nuk ka letërsi dhe art pa dimensionin vetiak; pa qenë i veçantë, pa krijuar profilin artistik, vështirë për të shkuar bindshëm te enti botues, te përkthyesi, antologjisti, ndërkohë që lexuesi (jo vetëm te ne e vetëm në shqip) gjendet shpesh në vështirësi për të dalluar një stil e një thurje origjinale; por dikur i gjen ato. Sigurisht, që të evidentohet një profil, por ndoshta që edhe të humbasë ai, një rol të rëndësishëm luajnë publiciteti dhe mediat, kritika letrare, deri diku edhe vetë tregu.

Njëtrajtshmëria e trashëguar e letrave shqip

Krijimtaria artistike është një luftë ku bien shumë bori. Ka autorë, që edhe pse publikojnë prej një jete, madje ndoshta nderohen edhe me çmime e tituj - këto mbeten përherë konjukturale - prapë janë të varfër: në shprehje dhe në tipare veçuese. Tejet e vështirë t’i dallosh ata njëri prej tjetrit nga mënyra e të shkruarit, përzgjedhja tematike, ajo gjinore apo e zhanrit, stili, mjetet figurative dhe gjuha, por edhe për nga tregues të tjerë të individualitetit krijues. Është për të ardhur keq pastaj, që për letrarë, të cilët, pavarësisht numrit të botimeve, artistikisht ofrojnë pak, bëhen recensione bombastike dhe vizatohen kurora e medalje që nuk thonë asgjë. Ndër këta të fundit, ka syresh që vetëm hedhin vargje ose prozë pa kurrfarë veçanësie, gjetje, madje shkruajnë me gabime të rënda gjuhësore; (sintaksë, pikësim dhe drejtshkrim).

Është fakt, që një pjesë e madhe e poetëve ishin dhe janë ende në “trojet” poetike të të tjerëve… (Për të mos e lënë bosh argumentin, mund të përmendim qoftë vetëm njërin: Eseninin.) Besoj, gjithashtu, se një shumicë autorësh të prozës shqipe kanë qenë dhe janë ende këmbëkryq te Mitrush Kuteli. Nuk është e lehtë të shkosh më tej në rrugën e vështirë të krijimit të profilit artistik apo, më e pakta, duke e shkelur “tokën e vështirë” me hapa të ngadaltë e plot shpresë.

Mendoj se krahas shumë rrethanave të njohura tashmë, kritika letrare mban përgjegjësinë e vet që një pjesë e mirë e poetëve dhe prozatorëve të “asaj kohe”, më së pari ata që e vazhduan edhe më tej krijimtarinë, por edhe përpjekës të dekadave të mëvonshme, nuk u dalluan dot nga njëri-tjetri, mbetën në kufijtë e imitimit; mediokriteti, rëndomtësia, ishte mbase termi më i duhur për një aradhë të tërë shkrimtarësh e poetësh që shkruanin dhe shkruajnë ende pa e gjetur dot “yllin” e tyre të rrugëtimit letrar. Kritika letrare ishte e përfaqësuar nga emra të njohur, që i zotëronin mirë të dyja disiplinat, pra edhe letërsinë, edhe estetikën; madje përcollën në kohë e më pas edhe punime të mira. Por në tërësinë e vet, kritika letrare, ajo zyrtare dhe ajo e kultivuar nga autorë të ndryshëm, që nuk ishin kritikë mirëfilli, nuk shpëtoi dot nga “regjizura” e rendit; me raste, ajo ndërtoi paqe për një palë dhe heshti për të tjerë apo për fenomenet në tërësi. Bie fjala, në vend që të analizoheshin këto të fundit dhe të dalloheshin individualitetet krijuese, u krijuan disa “stacione” socialiste: Poetët e Lezhës; poetët e Tropojës; poetët e Tepelenës; poetët nga klasa punëtore; poetët ushtarakë, etj. Me marifete të tilla, realizohej “vija e masave” në letërsi.

Ky vështrim dhe këto klasifikime krijuan një klimë obeze dhe të pashëndetshme estetikisht dhe e vërteta është që në këtë kooperativizim të letrave e të krijuesve, humbën për një kohë disa nga poetët më të mirë të vendit, si Frederik Reshpja, Jorgo Bllaci, Petraq Risto, etj. (Shpëtoi disi nga këto kategorizime letërsia për fëmijë e të rinj, që pati kufizimet e veta edhe ajo, por prapë la “porosi” për kohën dhe më tej, sa për shkak të zhanrit, aq edhe falë profesionalizmit të përfaqësuesve kryesorë, që nga Bedri Dedja, Odhise Grillo e Tasim Gjokutaj, te Skënder Hasko, Gaqo Bushaka, Petraq Zoto, Adelina Mamaqi, etj.)

Mund të them, gjithnjë duke i qëndruar vështrimit tim, se ka pasur dhe ka krijues të spikatur, që ia dolën të krijojnë profil artistik; të tjerë, edhe nga ata që përmenden në disa nga shënimet e mia të mëparshme, janë ende në rrugë, duke kërkuar më shumë e duke ndjekur, si të thuash, “yllin” e tyre polar. Ndër autorët shqiptarë, më i njohuri dhe më i përkthyeri në gjuhë të huaja, Ismail Kadare, që në mesin e shekullit të shkuar solli ndryshime të dukshme në fjalorin dhe në teknikat poetike (“Mall”, “Kinema e vjetër”, “Mësueset e fshatit”, etj.) e, teksa vijoi të krijonte në prozë, përveçse synoi gjetje që të mos zhgënjejnë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Darka e fundit”, etj.) ai e mban “njërin sy” në trashëgiminë e veçantë dhe tejet tërheqëse të vendit të tij, e mbështet fort shtjellimin artistik dhe personazhin në doke, në rite, në mendësi shqiptare - çka, përpos të tjerave, i grish botuesit e huaj - por në të njëjtën kohë, përdor skema bashkëkohore, duke e thyer rrëfimin, duke e veshur me informacion tjetër, që vjen nga jashtë, ndoshta fryt i leximeve, fantazisë dhe, më në fund, patjetër, duke u mbështetur nga një talent i madh, i lindur. (“Koha e shkrimeve” “Qyteti pa reklama”, etj.)

Përndryshe, në kohë, në mënyrë të pamëshirshme, ka njëlloj zgjatimi të mefshtësisë artistike, qofsha i gabuar; kjo, për shkak edhe të pamundësisë së kritikës letrare për të përballuar kaq shumë lëndë, por edhe ngaqë shtëpitë botuese lypin para e institucionet shpesh i çojnë opinionet dhe mediat në rrugë pa krye. Nëse Dritëro Agolli, por edhe Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Nasi Lera, Zija Çela, etj. e thanë bindshëm fjalën e tyre, një pjesë e krijuesve të “dalluar” të organeve të LSHA, “Drita” e “Nëntori”, e patën vështirë të dalin nga e zakonshmja. Koha i braktisi ata, duke kërkuar më shumë te termi “talent” dhe duke u lënë pak vend arritjeve të tyre. Ajo, koha, propozoi ndërkaq edhe stile dhe emra të rinj: Adrian Kyçyku, Faruk Myrtaj, Luljeta Lleshanaku, etj. Në disa nga shënimet e mia, me modesti, kam marrë në shqyrtim gjithashtu emra të tjerë të njohur të letrave shqip, që shkruajnë në gjini e lloje të ndryshme, që nga Vangjush Ziko e Fatmir Terziu, te Thani Naqo, Edmond Shallvari, Riza Braholli, Luan Xhuli, etj., duke i vlerësuar dhe duke u përpjekur të dalloj veçanësitë e tyre.

Por ndërsa shënimet mbështeten në lexime e bindje vetiake, pranoj se përmendja e emrave nuk përbën domen dhe as ndonjë këmbëngulje shteruese; emrat dhe veprat janë aty, për lexuesit, për kritikën letrare dhe për tregun. Nderimi për autorët që e zotërojnë artin e të shkruarit dhe që kanë treguar talent të vërtetë (disa, në vëmendje të autorit të këtyre radhëve për shënimin më të parë) është i patjetërsueshëm, pavarësisht mundësive për t’i njohur të gjithë.

“Pengesa” të vjetra dhe të reja në formimin e profilit letrar

“Pengesat” janë të shumta në krijimin e profilit artistik. Për fat të keq, një pjesë e tyre, siç u tha më lart, u trashëguan; por ndërkaq, lindën edhe të tjera... Kështu, pa u shëruar plotësisht sëmundja e luftës së klasave dhe urrejtja ala socialiste, u kalua sakaq në atë “ala demokratike”, përndryshe në njëlloj revanshi. Madje edhe autorë ndër më të njohurit, “kthyen fletën” sakaq, duke vënë në dyshim gjithë krijimtarinë dhe përceptimet e mëparshme, ndoshta edhe vetë karrierën e tyre letrare.

ANËSIA e theksuar është një nga “pengesat” e trashëguar nga koha tjetër. Mbizelli e heq krijimin nga rrjedhshmëria dhe plastika që e kërkon çdo punë artistike, duke e përtharë atë; kjo do të thotë se performohet pa emocion dhe suspans, për të mos thënë që teksti degjeneron deri në njëlloj publicistike. Prandaj shkruesi i këtij modeli shtrydhet shumë për subjektin, e torturon personazhin e vet gjer në mosbërje, përpëlitet pa masë për të gjetur fjalën dhe, më në fund, ai përgjithësisht… lexohet me vështirësi.

Të gjithë pothuaj kemi pasur “probleme” me të shkuarën, kush më shumë e kush më pak. Por të gjunjëzuar prej saj, nën peshën e saj, mbase ende me cërkat e përbaltjes së saj diku në portret, s’i vijmë dot lexuesit me një fytyrë të qartë artistike, nuk krijojmë dot një letërsi të besueshme dhe me tipare të qendrueshme. Shkrimtari profesionist di t’i kapërcejë komplekset; ai iu ikën “grackave” ideologjike, për të na treguar një botë dhe një realitet ndaj të cilit në pamje duket i ftohtë, për të mos bërë komente si në një mbledhje, por duke e lënë lexuesin të përthithë e të bëjë të vetat episodet, pamjet, personazhet, rrëfimin dhe atë që shkon përtej tij, që është ndonjëherë aq intime dhe e përfytyrueshme, sa e bën lexuesin të ndjejë dhe të jetojë intensivisht me çka thotë libri, çast pas çasti. Shkrimtari profesionist nuk e zbulon në mënyrë të trashë atë që do të thotë apo atë çfarë duhet nënkuptuar nga vepra e tij; ai nuk i rri ngjitas (në mos mbi kokë) lexuesit, për t’i kujtuar kohë e pa kohë qëllimin e veprës së tij, tharmin filozofik e shoqëror, si dhe nga ai duhet të anojë. Në romanin “Shakaja”, Milan Kundera nuk rreket të shuajë kuriozitetin e lexuesit në lidhje me “strukturat” shtypëse; ca më pak, të komentojë në ritëm burokratik peripecitë e personazhit në internim; por digresionet e mbërthyera në statusin e tij shpirtëror, flasin më shumë se sa hollësitë që mund ta kishin bërë të mërzitshme veprën. Në një nga romanet e tij më të mira, “Lëkura e qenit”, shkrimtari Fatos Kongoli nuk rri me ‘fener’ në dorë për të na bërë të kuptojmë (atë që e kemi parë pak a shumë të gjithë) se sa e rëndë dhe, heraherës, pa kuptim ishte jeta në rendin e shkuar; personazhi kryesor i tij, njëlloj antiheroi i letërsive të mëparshme, krijohet pak e nga pak, përmes gjithë rrëfimit; në tekst, nuk ka “direktiva”, “demokratike” apo “post-socialiste”. Ka vetëm letërsi.

Përdorimi i KLISHEVE, më mirë rënia në klishe, ka qenë dhe mbetet një tjetër “pengesë” serioze për krijimtarinë letrare dhe artistike, si dhe për individualitetin në parim. Bie fjala, shumë krijime të publikuara para viteve ‘90, kanë në qendër njeriun e mirë, të ndershëm, zakonisht komunist ose punëtor i devotshëm, pensionist që s’i ndahet ndërmarrjes, plak atdhetar, ndonjëherë me përmasa legjendare, etj. Kurse pas vitit ‘90, u përdorën dhe përdoren skema dhe klishe të tjera, si persekutimi, burgosja, hetuesia, jeta në kampet e punës, droga e prostitucioni, dashuria e një shqiptari me ndonjë të huaj dhe pasojat e kësaj lidhjeje, etj. Këtu duhet bërë një parantezë. Është tjetër gjë tema - të themi, nga njëra anë njeriu i punës dhe i sakrificave dhe, në anën tjetër, një i ri që tundohet nga paraja dhe gjen veten në trafiqet e kohës - dhe tjetër gjë klisheja; që do të thotë se personazhi e ngjarja janë thjesht një publicistikë e letrarizuar, a thua është kopjuar emisioni i lajmeve, nuk bëhet fjalë për gjetje dhe karaktere.

Duke u kthyer në klishetë e cekura më sipër, në krijimet e “metodës” tjetër, vizatohej njeriu i sakrificave; në të tashmen, në qendër është dikush që i ka “shkarë këmba”. Nëse të parët përshkruanin vuajtjet e njerëzve në “regjimet e shkuara”, shkrimtarët e sotëm (a thua janë prolektkultas, ndjesë për përdorimin e këtij termi) bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë, flasin për vuajtjet në regjimin e shkuar... Të parët e shanin kohën e shkuar, duke ngritur lart e ndriçuar, me sa të mundnin, modelin komunist; të dytët, shajnë socializmin dhe ngrenë lart modelin “demokratik”, flasin për njeriun e përvuajtur, ca më shpesh për atë “heroin” që e shikon botën dhe vendin e tij me sytë e fitimtarit të vonuar, për më tepër, në një mënyrë të tillë, sikur ato (bota e atdheu) të ishin ende në ngjizje, tani po krijohen dhe ata (heroi i shkruesit prolektkult, bashkë me vetë shkruesin) janë protagonistë në këtë ngjizje.

Po ndalem në një nga klishetë e “kohës”, që vjen tejet e konsumuar: Përndjekja e dy të dashuruarve. (I ka rrënjët te Homeri (Helena dhe Paridi) për të vazhduar me ndonjë nga çiftet e krijuara prej Dantes (“Ferri”) më tej te Shekspiri (“Romeo e Zhulieta”), etj. Por klisheja shqiptare e këtyre dekadave, është tejet e “lexueshme”; bëhet fjalë për dashurinë e një të riu shqiptar me një vajzë të huaj, që gjithnjë kanalizohet me përndjekjen e të dashuruarve, sidomos të djalit; dhe kjo është më shumë se klishe. Nuk numërohen tregimet, romanet dhe krijimet e tjera që qasen në këtë subjekt, një punë e konsumuar tejet dhe keq, sidomos duke u ngarkuar me qëndrimet e dukshme “antikomuniste” të autorëve, që ndjekin kështu historinë e shkruesve pararendës, po duke u ndryshuar vendin dhe rrethanat personazheve... Dhe kahjen ideologjisë. Kështu, arti sulmohet nga pikëpyetjet. Së paku, unë e kam hasur në një sërë libra e, këto ditë, teksa bëja gati për publikim këtë shënim, shoh se kjo klishe po përsëritet tani edhe në një film. (“Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”) Bëhet fjalë për historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian. Djali, doemos, (do të) përndiqet…

Ne nuk mund t’iu rrimë autorëve “me pishë në dorë”, si i thonë fjalës; (nuk di ç’ent apo institucion mund t’i qasej më mirë kësaj dukurie, për të hedhur dritë mbi plagjatura të mundshme). Gjithkush shkruan e krijon si i duket më mirë; por ndërkaq, nuk mund të shmangen rezervat, pikëpyetjet dhe kështu, jo pa arsye e pa argumente, vështrimi mbi këtë lloj krijimtarie mjegullohet.

PATETIZMI dhe LETRARIZMAT, të tjera “pengesa” në përpjekjet për krijimin e profilit artistik. Është fjala për qasje (me gjasë) artistike të sforcuara dhe që të vrasin veshin, për krijues që nuk shkruajnë, por këndojnë, bërtasin se po “vrasin lart”, për nënvizime naive dhe epitete apo klithma në ngjyrime të theksuara sentimentaliste, si dhe terma që letërsia e dobët ia huan publicistikës, ndonjëherë edhe stilit administrativo-juridik, (jashtë çdo kriteri letrar, që ka të bëjë me gjeste letrare karakterizuese, etj.) Jemi ngushtësisht pranë së njëjtës dukuri, për më qartë, është e pazëvëndësueshme, ta riquajmë e ta përsërisim termin “bërtitje”, një term “illegal” të themi, por që krijuesit profesionistë e njohin shumë mirë dhe përpiqen të mos i besojnë. Patetizmi bie në sy veçmas në temat e përndjekjes politike, por edhe në pasqyrimin me frymë melodrame të marrëdhënieve familjare dhe të subjekteve të emigracionit gjithashtu. Pas patetizmit, fshihet shumë sentimentalizëm, për të mos thënë rënkime. Dhe ajo çka shkon te lexuesi, ngjan si ndonjë telenovelë, pas së cilës shumë lexues drithërojnë. Por telenovela mbetet telenovelë, qoftë edhe kur rrëfen (në mënyrë të njëtrajtshme) për ngjarjet e viteve ‘90 e pastaj ‘97, ku protagonistët dhe subjektet, për fat të keq e, kjo shkon kundër tregimit për profilin artistik, ngjajnë sikur disa pika ujë...

Ndër autorët që, në vështrimin tim, i kanë shpëtuar herët këtij çarku, mund të përmendja shkrimtarin Viktor Canosinaj, veças me disa novela për fëmijë e të rinj, ku rrëfimi është sa klasik, aq edhe modern, por mbi të gjitha, bindës; ashtu do të nënvizoja edhe për rrëfenjat më të mira të Pandeli Koçit (alias Sazan Goliku) si dhe për poezitë më të qëlluara për fëmijë të Xhahid Bushatit, që ndjeshmërinë nuk e shkëmben asnjëherë me sentimentalizëm fals; në krijimet e tij, ajo, ndjeshmëria, është e vërtetë dhe e jetueshme.

Pjesa II - Kinemaja

Profile regjisorësh në kinemanë shqiptare

Duke kujtuar se në këtë shënim të gjatë, fokusimi në një temë delikate ndoshta i jep vetiu shkrimit një karakter përshkrues, po shtoj se edhe filmi dhe artet e tjera nuk mund të shpëtonin nga njëtrajtshmëria. Ka shumë diskutime në lidhje me arritjet e atëhershme dhe problemet artistike e të tregut sot. Ndërsa po shpalos disa mendime kryesisht për filmin, sepse e njoh më mirë, një gjë mbetet e pandryshueshme: Veçimi i aftësisë për të krijuar në mënyrë bindëse; përpjekja për të shkuar në publik me një profil të veçantë.  Mënyra se si krijuesi vështron temën ku do të qaset, se si ai ndërton subjektin dhe si realizon zgjidhjet në punët artistike që ka marrë përsipër, është rrugëtimi gjatë të cilit shfaqet individualiteti artistik, krijohet profili. Po përpiqem të theksoj ndryshime dhe veçanësi në filmat e disa prej kinoregjisorëve shqiptarë, që në vështrimin tim janë të ndryshëm nga njëri-tjetri:

Viktor Gjika ka parapëlqyer gjithnjë dramat e forta, temat e “rënda”, tablotë masive, epizëm: “Nëntori i dytë”, ku Sandër Prosi, Demir Hyskja, Reshat Arbana, Vangjel Heba, i japin tonin momentit të lartë të historisë; “Përballimi”, me një kastë gjithaq të përzgjedhur, nga Bujar Lako e Agim Qirjaqi, te Kadri Roshi, Jani Riza, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, të gjithë të paimitueshëm; “Yjet e netëve të gjata”, ku aktorja Tinka Kurti ka krijuar pothuaj një legjendë, krahas aktorëve Llazi Serbo, Sheri Mita, Petrika Riza, etj. Por në krijimtarinë e këtij artisti të çmuar, nuk kanë munguar edhe notat lirike: “Në çdo stinë”, me një qasje të papërsëritshme të Anisa Markajan, “Rrugë të bardha”, etj. V. Gjika ishte mjeshtër i ekranit dhe i veçantë e kërkues në skalitjen e karaktereve.

Për filmin “Gjoleka, i biri i Abazit” të Dhimitër Anagnostit, u tha se pritej më shumë (!) Druaj se autori i filmave “Malet me blerim mbuluar”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Lulekuqe mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, etj. me pak fjalë, një nga gjeneralët e kinemasë shqiptare, në filmat e të cilit aktron mirë edhe amatori më i fundit, ai nuk është kuptuar, pra. Ose ne duam qiqra në hell… Përtej plotërisë së elementeve artistike, që janë në lartësinë e emrit të tij, disa nga domethëniet e atij filmi, nuk ka mundur t’i zbërthejë si duhet as kritika, as aradha e sociologëve dhe analistëve fodullë. Shoqëria shqiptare po vuan dhe do të vuajë edhe më tej prapambetjen e saj të gjithhershme. T’i hapim sytë dhe të ndërgjegjësohemi për këtë. Personazhi qendror i filmit, në dukje një fshatar i thjeshtë, si shumë të tjerë, realisht është një tiran i familjes së vet; pse jo, edhe i vetes së vet. Po. I vetes së vet, i jetës së vet. Më tej, edhe pse i varfër dhe i pashkollë, domuz e hijerëndë, Çeçua është njëherësh edhe njëlloj kapadaiu. Kapardisja është një term që mund ta hasësh të artikuluar qartazi, si e metë e shqiptarëve, edhe te Kadareja; (sadoqë ai, ndonjëherë, e vë këtë veti pranë një cilësie të pëlqyer si krenaria).

Në një nga skenat e para të filmit, emigranti refuzon të ngrejë dolli për Mbretin. “Ne në Amerikë paguajmë taksat...”, thotë ai. Le të kujtojmë për një çast se si shqiptarët e mjerë vazhdojnë ende të bëjnë këngë për disa politikanë halldupër dhe, mandej, le të përpiqemi të kuptojmë gjysmëfrazën “paguajmë taksa...” Të ikësh nga emfaza, të lësh mënjanë delirin, të ecësh me këmbë në tokë, të vështrosh me modesti kush je dhe ç’barrë e rëndë të pret e ç’sfida ke përpara, si qeveritar, si qytetar, si artist, çfarëdo që të jesh, këto për ne mbeten, prej shumë kohësh, gjëra të vështira edhe pse jo, njëlloj absurdi. Individë hundëpërpjetë. Shoqëri hundëpërpjetë. Kjo është ajo që ne s’kuptojmë. Nga jeta dhe sfidat e përditshme; pjesërisht, edhe nga filmi i Anagnostit...

Kinoregjisori Kujtim Çashku ka synuar të shtojë notat filozofike në kinema dhe të gjejë një dimension më shprehës, duke lundruar në ekzistencializëm, një term pak “armiqësor” për kohën “tjetër”. (Ekzistencializmi, siç e gjejmë në nënvizime të ekspertëve, e vë theksin tek individualizimi dhe vetërealizimi.) Kjo prirje u duk që në njërin nga filmat e parë të tij, “Pas vdekjes”, mbështetur mbi komedinë e njohur të Çajupit, ku shkëlqeu Pavlina Mani, një film që shpejt u ndalua. Por trendi kërkues u pasqyrua edhe në filmat e tjerë të tij: “Të paftuarit”, “Kolonel Bunker”, etj.

Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, që punuan dhe shkëlqyen njëherësh në kinema, pas disa orvatjeve të përshëndetura në tema të angazhuara (kryengritjet shqiptare të fillimit të shek. 20, Lufta Nacionalçlirimtare, etj.) mund të thuhet se e gjetën veten më mirë dhe u bënë më të veçantë përmes prurjes në kinema të njëlloj lirizmi, vendosur gjithnjë në një opus shoqëror. Ata janë nga të paktët regjisorë që ia kushtuan filmat e tyre më të mirë dashurisë, duke lënë në bobina vlera të patjetërsueshme të pasioneve njerëzore dhe ndjesive artistike, që shumëkush përpiqet t’i sulmojë (pa sukses): “Apasionata”, “Njeriu i mirë” dhe “Duaje emrin tënd”, dy të parët me skenar të Dritëro Agollit dhe i fundit me skenar të Nasi Lerës, (në interpretime fine nga Ndriçim Xhepa, Matilda Makoçi, etj.) Filmat në fjalë janë ndër realizimet më bindëse të kinemasë shqiptare të para ‘90-ës. (“Tana” (Kristaq Dhamo/ Fatmir Gjata) ishte filmi i parë shqiptar ku u shfaq (edhe) tema e dashurisë. Humbi do kohë ose paraqitej zbehtë dhe në frymën e patetizmit socialist. Më pas, u trajtua edhe në filmin “Në çdo stinë” (Viktor Gjika/ Bashkim Hoxha); “Fillim i vështirë (Albert Xholi/ Shpresa Vreto); “Shpresa” (Eduard Makria/ Dhimitër Xhuvani); në disa filma të mirë televizivë, si “Unë e dua Erën” (Albert Minga/ Besa Myftiu), më vonë te “Dashuria e fundit” (Gjergj Xhuvani/ Dhimitër Xhuvani), ku Guljelm Radoja e Kastriot Çaushi sjellin figura mjaft interesante, si dhe te “Parrullat” (Gjergj Xhuvani/ Ylljet Aliçkaj), etj. 

 Albert Xholi: Zgjedh (me paramendim pothuaj) temën sociale dhe atë të familjes, duke bërë çmos t’i ikë politikës dhe demagogjisë së kohës. Në të gjithë filmat e tij, ka thjeshtësi dhe shumë jetë. Po ashtu, në secilin prej tyre, kemi një “ikje”: nga realiteti, nga trazirat, nga pamundësia për të bërë pazar, etj. Te “Fillim i vështirë”, Zana, interpretuar denjësisht nga Marjeta Larja, në një moment delikat të marrëdhënieve në çift, largohet. Po ashtu bën Teto Kalina, një nga prurjet më të mira të aktores Liza Laskaj, në filmin “Familja ime”. Heroi i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm” në fund zgjedh largimin nga çfarë kishte ndërtuar me sakrifica, por në mënyrë abuzive. Një ikje edhe më e bukur është ajo e Anës (rol bindës i Eva Alikajt) në filmin “Jeta në duart e tjetrit”.

Një figurë të veçantë ka bërë në këtë art Xhanfise Keko, me një sërë filma kryesisht për fëmijë, që janë shpërblyer edhe me çmime në festivale ndërkombëtare. Breza të tërë janë rritur me filma si “Beni ecën vetë” ku u shfaq aq bindshëm Herion Mustafaraj; “Taulanti kërkon një motër”, (skenari nga Nexhati Tafa), film ku afrohen me aq thjeshtësi dy nga aktoret tona më të mira, Yllka Mujo dhe Roza Anagnosti, etj. Një profil më vete krijoi Bujar Kapexhiu me disa kinokomedi: “Dy herë mat”. Një Aleko Prodani i paharruar. “Tela për violinë” “Stolat në park” (skenare nga Pëllumb Kulla). Është detyrë e kritikës artistike dhe kineastëve të kërkojnë edhe më shumë në këtë temë, ku opinionet, është e natyrshme, mund të jenë të ndryshme, ndoshta ndonjëherë edhe të kundërta.

Mundimi për të ndërtuar rolin dhe prapë… njëtrajtshmëria

Por ndërsa te kinoregjisorët mund të qasemi me termin profil artistik, kur vjen fjala për interpretimin dhe aktorët, këta mëtojnë të krijojnë në çdo hap një karakter të ndryshëm. Sa i takon interpretimit, krijimi i profilit artistik, për të cilin në këtë “kapitull” do të flitet në mënyrë fragmentare, është një proces që i kapërcen limitet e këtyre shënimeve.  Krijimi i profilit artistik vjen si një punë e rëndë për aktorët, sepse shumëçka varet nga rolet dhe përzgjedhja e kinoregjisorëve. (Mbase bëjnë njëlloj dallimi në këtë nëntemë, për shkak të cilësive të veçanta: Niko Kanxheri (shumë trishtim në interpretimet kryesore të tij); Elida Janushi (stoicizëm dhe seriozitet në shumicën e roleve); Luftar Paja, duke përjashtuar kinokomedinë “Ëndërr për një karrige” (Fehmi Oshafi/ Gjikë Kurtiqi), në filmat e tjerë zakonisht krijon një figurë babaxhane, që shpesh bën humor e largon dhimbjet: “Gurët e shtëpisë sime”; (të veçantë këtu Violeta Dede, Spiro Duni). “Guna përmbi tela” (Muharem Fejzo/ Duro Mustafaj) ku do të vlerësoja lojën e aktorëve Fatos Sela e Serafin Fanko, etj.)

Mendoj se me gjithë prurjet e shumta, ka ndodhur që aktorë të mirë, për shkak të rrethanave artistike, kanë mbetur disa herë tek e njëjta figurë: Nëna e dhembshur fjalëpakë, njësoj përherë; apo babai që vetëm jep ca këshilla sa për t’u gjendur në rol; po ashtu, i njëjti hetues dhe i njëjti sekretar partie, etj. Ndonjëherë, të duket sikur nga filmi në film e, ndoshta edhe nga drama në dramë, nuk ndryshonte asgjë në lojën e aktorit apo aktores: Po ajo veshje, po ato gjeste, po ajo mënyrë të foluri; me pak fjalë, njëlloj klisheje në karakter dhe aktrim. Mund ta shikoje aktorin si ballist, si partizan, si veteran, si baba, si brigadier i dalluar… gjithë po ai. Këtë nuk se e pohoj me siguri, nuk është kjo disiplina që unë e di më mirë. Por kam bindjen se klisheja ka qenë gjithnjë dhe mbetet edhe ajo në një “rol” të diskutueshëm…

Megjithatë, shumë role kanë mbetur në kujtesë të shikuesve për veçanësinë e tyre, për faktin që janë pothuaj të pangjashëm e të papërsëritshëm: Ato fillojnë me Naim Frashërin dhe Pjetër Gjokën e Ilia Shytin dhe Luan Qerimin e vijnë te Thanasi i Vangjush Furxhit në dramën “Hijet e natës” (Vedat Kokona) apo Vani i Roland Trebickës në komedinë “Pallati 176” (Adelina Balashi). Të paharruar janë disa nga figurat e realizuara nga Kadri Roshi: Kujdestari në filmin “Lulekuqe në mure” (Dhimitër Anagnosti/ Petraq Qafzezi); Nazifi i filmit “Përballimi” (Viktor Gjika/ Teodor Laço), etj. Albert Verria dhe Nikolin Xhoja krijuan gjithashtu një dyshe nga më interesantet në filmin “Kapedani” (Fehmi Oshafi, Muharem Fejzo/ Skënder Plasari), veças personazhi emblematik i Kapedanit; Sandër Prosi në filmin “Nëntori i dytë” (Viktor Gjika/ Kiço Blushi). Të spikatura rolet e Robert Ndrenikës në filmat “Koncert në vitin ‘36” (Sajmir Kumbaro/ Kiço Blushi) “Dhe vjen një ditë” (Vladimir Prifti/ Teodor Laço), film në të cilin shkëlqejnë gjithashtu Rajmonda Bulku dhe Viktor Zhusti, etj.

Aktori Vangjush Furxhi krijoi disa figura të ndryshme nga njëra-tjetra te “Apasionata” (Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro/ Peçi Dado, Nexhati Tafa) apo “Të paftuarit” (Kujtim Çashku). Po ashtu, Reshat Arbana te “Dora e ngrohtë” (Kujtim Çashku/ Neshat Tozaj) apo në filmin “Vetmi” (Spartak Pecani/ Neshat Tozaj). Ikona mbeten figurat e krijuara nga Violeta Manushi dhe Pandi Raidhi në kinokomedinë “Zonja nga qyteti” (Piro Milkani/ Ruzhdi Pulaha). Timo Flloko gjithashtu krijoi një sërë role që mbetën të gdhendura në kinema: Çeçeni në filmin “Dita e parë e lirisë” (Esat Musliu/ Vath Koreshi) apo Agroni te “Vdekja e kalit” (Sajmir Kumbaro/ Nexhati Tafa), etj. Bujar Lako te “Gjeneral Gramafoni” (Viktor Gjika/ Vath Koreshi) solli një figurë që vështirë se do të realizohej më mirë nga çdokush që mund të ishte ofruar në atë rol të bukur.

Duke u “fshehur” pas subjektivizmit, por edhe duke kërkuar ndjesë që s’mund të sillet gjithçka në një shënim të vetëm, duhet të shtoj se një “akt” tjetër i rëndësishëm i të qenit i veçantë mund të shihet qartazi edhe në ato që quhen role mbështetëse apo të dyta. I tillë është toger Shazivari i Mirush Kabashit në filmin “Koncert në vitin ‘36” apo oficeri italian i krijuar nga Minella Borova në filmin “Në fillim të verës” (Gëzim Erebara/ Peçi Dado). Ndrekë Shkjezi, një nga mjeshtrat e roleve të dyta, arriti të krijonte një sërë karaktere dhe personazhe të besueshëm në filmat “Apasionata”, “Dhe vjen një ditë”, etj. Te filmi “Parrullat” (Gjergj Xhuvani/ Ylljet Aliçkaj) Birçe Hasko ka krijuar një figurë të paimitueshme të një prej drejtuesve të dikurshëm në krahina; mediokriteti dhe egërsia ngjizen njëherësh tek ai personazh, ndër të rrallët që vijnë në kinema. Në filmin “Mao Ce Dun” (Besnik Bisha/ Besnik Mustafaj), krahas disa figurave të sosura dhe veças interpretimit të Fadil Hasës, aktori Guri Koço gjithashtu sjell një drejtues politik pompoz vendor nga më të realizuarit që kemi parë në teatër dhe kinema pas viteve ‘90. Aktori Xhevdet Feri, që njihet për një sërë rolesh në filmat shqiptarë - do të veçoja “Hije që mbeten pas” (Esat Mysliu/ Diana Çuli) - në filmin “Gjoleka, djali i Abazit” (Dhimitër Anagnosti) në rolin anësor të një shoferi të kohëve kur makinat ishin tejet të rralla, duket aq i veçantë dhe bindës.

Në krijimin e personazhit, është me shumë rëndësi karakteri, si ai është shkruar, por sidomos qasja e vetë aktorëve, si dhe “roli” i regjisorit. Aktori Agim Qirjaqi, i cili ra në sy që në rolin e mësuesit dhe poetit te filmi “Rrugë të bardha”, krijoi figurën elegante dhe të ngecur në dramë të një shkrimtari të pavarur në filmin “Radiostacioni” (Rikard Larja/ Ismail Kadare), kurse në filmin “Misioni përtej detit” (Lisenko Malaj/ Anastas Kondo, Roland Gjoza) ai vjen krejt ndryshe, si një eksponent i dyshimtë i luftës. Margarita Xhepa është një nga aktoret që krijon figura të besueshme, nga filmat e saj më të hershëm (“Gjurma”) deri te rolet e spikatura në “I dashur armik” (Gjergj Xhuvani/ Dhimitër Xhuvani) apo te “Ne dhe Lenini” (Sajmir Kumbaro/ Ruzhdi Pulaha) në këtë të fundit, duke aktruar gjer në dhimbje krahas Robert Ndrenikës, Mirush Kabashit, Lazër Filipit, etj. Aktorja e pabujë Hatiqet Bendo, edhe pse me pak role, paraqet karaktere të ndryshëm: Te filmi “Familja ime” (Albert Xholi/ Rozi Theohari) është një grua që qahet tërë kohës, tartareckë, grindavece, qylaxheshë; person që të acaron. Kurse në kinokomedinë “Shkëlqim i përkohshëm” (Albert Xholi/ Vangjush Saro) nëna që krijon aktorja, është e thjeshtë, e qetë, relaksuese edhe për të birin, pra e besueshme, për më tepër, krejt tjetër nga figura e krijuar në filmin e mëparshëm. Të njëjtën dinamikë e lëvizje nga rolet e tjera të tyre, vërejmë në figurat që krijojnë Rajmonda Bulku në filmin “Vitet e pritjes” (Esat Mysliu/ Teodor Laço) apo Bujar Asqeriu në filmin “Jeta në duart e tjetrit” (Albert Xholi/ Lliko Nano), etj.

Natyrisht, për të gjithë ka qenë e vështirë të krijonin në kushtet kur xhirimi i filmave ishte një punë me plan, për më tepër e mbikqyrur tejet. Edhe në rrethana optimale nuk është e lehtë të dalësh nga vetja e përditshme për të krijuar një figurë artistike. Por talenti e shtyn artistin me këmbëngulje drejt profilit, veçanësisë. Aktori Jani Riza paraqet te filmi “Përballimi” (Viktor Gjika/ Teodor Laço) një ish-pronar tokash të mbushur me urrejtje e mjerim; kurse në filmin “Streha e re” (Spartak Pecani, Vladimir Kasa/ Teodor Laço), te figura e Shabanit, aktori na sjell një rol krejt tjetër nga ç’kishte krijuar më parë, të pangjashëm me asgjë: Një djalë fshati çapkën, hileqar, dhelpërush, të veshur me një stof komik. Po ashtu vjen aktori i palodhur Dhimitër Orgocka: Ndryshe në filmin “Horizonte të hapura” (ku krijojnë aq shumë “klimë” raportet e vështira me shef Sokratin (i veçantë edhe këtu Sulejman Pitarka) dhe krejt tjetër në filmin me titull “Përsëri pranverë” (Petrit Llanaj/ Thani Naqo).

Personaliteti artistik nuk dalloi nëse po luhej një film i ekranit të madh apo aso televiziv. Te “Udha e shkronjave” (Vladimir Prifti/ Peçi Dado) kemi një një rol unikal të Ndrekë Lucës; “Të shoh në sy” (Mevlan Shanaj/ Nasi Lera) e pamundur të mos admirosh lojën e Elvira Diamantit, etj. Krijimin e përcjell me shumë humor skenaristi dhe regjisori Arian Çuliqi, natyrisht në arritjet më të mira të tij, si “Dashuri dhe krisma”, “Një baba tepër”, etj. (ku ranë në sy aktorët Hajrije Rondo, Sejfulla Myftari, etj.)

 Duke kërkuar ndjesë që s’mund të jem tërësor në këto radhë, duke u përkulur me respekt përpara gjithë emrave të artit, deri te amatorët, mendoj se tash ne gjendemi në një betejë të trishtë me vakumin e mendimit artistik, mungesën e vlerësimeve dhe të impenjimit profesoral dhe profesional në shumë lëmenj; veças në atë të profilit krijues e të “kursit” që kanë marrë artet, filmi për së pari. Duhet të zgjohen ata që e ndjejnë se mund të thonë një mendim për letrat dhe për filmin, duke kapërcyer snobizmin e studiove televizive me shkëlqime false, ku llafet i merr era, po ashtu aromën e parfumeve të shtrenjta… Shpresoj, kritika dhe studjuesit e filmit, por më shumë institucionet, të lëvizin në drejtimin e duhur.

Kohë tjetër për filmin

Por sa premtojnë institucionet, shkolla, kritika letrare dhe artistike…

Ndryshimet që ndodhën në Shqipëri në fillim të viteve ‘90, fillimisht e vunë në pikëpyetje kinemanë. Përballja me filmin - tanimë pa atë strukturën gjigande të Kinostudios (prej 700 punonjësish) dhe pa fondet e garantuara, anipse në të keq - ishte e mundimshme për artistët, që megjithatë, do të sillnin një frymë tjetër në kinema. Piro Milkani kishte shkëlqyer në disa filma; sidomos “Zonja nga qyteti”, ku edhe sekretari i Partisë ishte realizuar mirësisht e profesionalisht nga i spikaturi Stavri Shkurti apo “Çifti i lumtur”, me një Bep Shiroka madhështor. Por tani, ai realizoi, si të thuash, filmin e jetës së tij, mbase krijimin më sublim të karrierës së vet të gjatë në kinema përmes “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i ndihmuar nga skenari, mjedisi (natyror e shoqëror) tejet interesant i vendit mik, por edhe aktorët e talentuar, si Nik Xhelilaj, etj.

Por ndërkohë, në “rol” erdhën regjisorë të rinj: Pluton Vasi: “Maya”, “Këtu bën ftohtë”; Artan Minarolli: “Nata pa hënë”, “Alive”; Edmond Budina: “Letra në erë” ku ai realizon një nga rolet e tij më të mira edhe si aktor, etj.; Bujar Alimani: “Amnistia”, ku shkëlqen Luli Bitri dhe rikthehet Karafil Shena; “Delegacioni”, ku edhe njëherë afrohen me klasin e tyre Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferri, etj.

Iu kërkoj ndjesë këtyre artistëve të rinj, që nuk i kam ndjekur në atë masë sa të tregoj edhe më gjatë për krijimtarinë e tyre, ndërkohë që iu uroj sa më shumë sukses e, më së pari, qasje në termin për të cilin u shkruan këto radhë, krijimin e profilit artistik. E vërteta është që filmi i tyre, falë lirisë së krijimit, por dhe bashkëpunimit me kineastë të huaj, doli nga klishetë dhe “ngurtësia” e Realizmit Socialist. Duke e thyer akullin që u krijua do kohë për shkak të mungesës së filmit shqiptar në evente ndërkombëtare, tani ata po i përcjellin krijimet e tyre në botë me sukses.

Ndër kinoregjisorët e rinj, Fatmir Koçi, në filmin “Tirana, viti zero”, dha pamje realiste dhe ndoqi linjat e një kinemaje që i beson më shumë gjetjeve filmike, kuadrit, dinamikës së jetës e, disi më pak, dialogut, të cilin gjithashtu e çepkat me shumë kujdes. Edhe pse heraherës në një lloj simbioze me dokumentarizmin, mbase për hir të temës, filmi ishte avangard për nga forma. Padyshim, ishte një arritje edhe filmi tjetër i tij “Koha e kometës”, edhe pse nuk duken fort bindës personazhet; mendoj, ata nuk arritën dot maksimumin në krijimin e karaktereve, me gjithë punën e lavdërueshme të regjisorit, përpjekjet e vetë aktorëve gjithaq. Mund të thuhet se Gjergj Xhuvani u ndesh më këmbëngulshëm me këtë “defect” përvoje e rrethanash, sidomos në filmin “Parrullat”, sa për vetë meritat e novelës së shkrimtarit Ylljet Aliçkaj, aq edhe falë profesionalizmit të aktorëve: Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Niko Kanxheri, Fadil Kujofsa, etj. Ajo që duhet nënvizuar, përtej fjalëve të mira dhe ndonjë rezerve, është që dy kinoregjisorët, nga më të veçantët dhe më të suksesshmit e kësaj kohe, dallojnë nga njëri-tjetri, kanë krijuar tashmë një profil të tyre, çka shihet në përzgjedhjen tematike, në mënyrën se si rrëfejnë, por edhe në gjininë e frymën ku e shohin krijimin e tyre; (p. sh. Koçi rreh nga epizmi, kurse Xhuvani është më lirik; Koçi e lë më të lirë aktorin, tenton njëlloj natyralizmi, kurse Xhuvani inspiron maksimumin në interpretim).

Por ndërkohë që krijimtaria rritet - po e rrimar ndonjë argument dhe kjo nuk e cënon kompozimin e këtyre shënimeve, përkundrazi vë gishtin në plagë - nga pikëpamja institucionale dhe e vëmendjes profesionale, për të mos folur për vlerësimin, pamja është gri; edhe pse në dukje ka kujdes, mediat i lënë mjaft vend filmit dhe teatrit. Shkollat, lus të jem i gabuar, nuk janë në lartësinë e detyrës së tyre, me profesoratin në masë indiferent dhe me probleme të çertifikimit real; kritika letrare dhe artistike gjithashtu është e pakët, e dobët, pothuaj jo institucionale, ndonjëherë duket se nuk ushtron autoritet dhe s’i “zihet besë”… Pa mohuar në të qasjet e një sërë krijuesve, një pjesë e tyre shkrimtarë, që e kanë ushtruar këtë zhanër a disiplinë duke menduar të kontribuojnë sadopak pikërisht për shkak të vakumit - këtu, me modesti, përfshij edhe veten - mendoj se në këtë lëmë, kanë përcjellë kontribute të veçanta Josif Papagjoni, Fatmir Terziu dhe Behar Gjoka. Dy të fundit kanë ndërkaq edhe një sërë arritje në krijimtarinë e tyre letrare.

Le të themi pa rezerva se për nga mundësitë, kritika e sotme gjendet në një lartësi dominuese, të cilën ia dha më së pari koha, liria, por edhe fakti që autorët (sidomos ata që janë përmendur) kanë një lidhje efikase me pjesën tjetër të komunitetit të krijuesve që ndodhen në Kosovë, Maqedoni, por edhe në diasporë përgjithësisht, sikundër me botën e gjerë të letrave, që sot është e prekshme për të gjithë. Është një avantazh të cilin krijuesit shqiptarë, pra as edhe kritikët, në kohën “tjetër” nuk e patën; kjo mungesë fatale kondicionoi deri diku prapambetjen dhe frymën ideologjike të krijimtarisë në fjalë. Çështja shtrohet që institucionet të zgjohen, të marrin përsipër çfarë u takon. Lexoja këto kohë një “studim” për “tiparet e tregimit” në aksh vit a dekadë para ‘90-ës (!) Nuk kam asgjë kundërshtuese, por s’mund të mos ndalem në dy probleme: Së pari, e them me njëlloj dhimbjeje, sado ta shtrydhësh kohën “tjetër”, vlerat e saj janë të kufizuara në temën tonë (të profilit artistik). Së dyti, a nuk e meriton (pak) më shumë vëmendje koha në të cilën ndërruan mendjet dhe manierat artistike?

Pyetja është për të gjithë, përfshi autorin e këtyre radhëve, që e pranon me modesti se ky shënim, në dy pjesë, është një ndihmesë minimale nga çfarë i detyrohemi lexuesve e shikuesve, artit, artistëve, çdo kohe. Me dëshirën për t’u kthyer sërish në këtë temë të vështirë, le të themi se vizioni për profil artistik e jetëgjatësi shkon më andej nga vetë krijimtaria…

Tagged under Vangjush Saro